Ramush Haradinaj e Kadri Veseli. Foto: Facebook

Vendosmëria për taksën mund t'i kushtojë Haradinajt me rrëzim të Qeverisë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka disa ditë që është duke e kërcënuar kryeministrin Ramush Haradinaj me rrëzim të Qeverisë.

Kjo gjë u vërejt edhe në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë, kur kryetari i PDK-së dhe i Kuvendit, Kadri Veseli, u përkujdes t’ia përmendte zgjedhjet  kryeministrit Ramush Haradinaj.

Koalicioni qeveritar është duke pësuar dridhje për shkak të vendosmërisë të kryeministrit Haradinaj për ta mbajtur vendimin për taksën 100% për produktet e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Mirëpo, njohës të çështjeve politike në vend kanë thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se deklarimet të tilla janë duke u bërë më shumë për poena politikë.

Përderisa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka kërkuar qeveri gjithëpërfshirëse, Partia Socialdemokrate (PSD), tha që nuk duan rrëzimin e Qeverisë për shkak të taksës.

“I kemi thënë edhe LDK-së e VV-së se nuk do ta ndihmojmë Listën Serbe për ta rrëzuar Qeverinë për shkak të taksës. Tani i themi edhe PDK-së se me ndihmën tonë nuk do ta rrëzojnë e as kërcënojnë AAK-në, si presion ndaj kryeministrit për ta larguar taksën”, ka shkruar kreu i PSD-së Shpend Ahmeti në Facebook.

Ndërsa kryeministri Haradinaj gjatë ditës së sotme tha se duhet të kryhen temat e rënda dhe pastaj të shkohet në zgjedhje.

“Nëse ne jemi në situatë me tema të rënda është e pakuptueshme të shkohet në zgjedhje. T’i kryejmë këto tema të rënda, pastaj shkojmë në zgjedhje”, tha Haradinaj në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë.

Deklarimet publike për poenë  politikë

Analisti politik, Shkëlzen Maliqi, tha për gazetën JNK se të gjitha këto mosmarrëveshje duhet të zgjidhen sa më shpejtë që të mos kemi probleme me faktorin ndërkombëtar.

“Mospajtimi i partnerëve të koalicionit është një temë për më shumë se 2 javë, duhet të zgjidhet sepse shkakton probleme me faktorin ndërkombëtar, sidomos me ShBA-të edhe BE-në. Haradinaj me deklarimet e tij po blen popullaritet mirëpo po e bllokon procesin e dialogut i cili nuk është duke funksionuar”, tha Maliqi.

Ndërsa vendosmërinë e kryeministrit Haradinaj, Maliqi e konsideron si ‘radikalizëm’ me pasoja.

“Haradinaj po investon tepër shumë në këtë ‘radikalizëm’ dhe pasoja do të ketë, ndoshta i konvenon që më vonë të përfitojë nga ky qëndrim”, tha ai.

Ndërsa sipas Eugen Cakollit, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës  (KDI), këto ‘polemika’ janë duke u bërë vetëm për paraqitje publike.

“Gjatë ditëve të fundit është shtuar retorika kushtetuese në mes të partnerëve të koalicionit në lidhje me taksën. Sidoqoftë, përkundër presionit të madh ndërkombëtar, e posaçërisht atij amerikan, vlerësoj se raportet në mes të krerëve të koalicionit janë dukshëm më stabile sesa paraqitjet në publik”, tha Cakolli.

Sipas tij ‘problemi’ kryeministrit nuk është kryeparlamentari Veseli, por presidenti Thaçi me idenë e tij për korrigjim kufiri.

“Taksën e shoh më shumë si mekanizëm bllokimi, të cilin kryeministri po e përdorë ndaj idesë së presidentit për korrigjimin e kufijve”, theksoi ai.

Shkuarja në zgjedhje të parakohshme, e pafavorshme për Kosovën

Ndonëse ‘vendosmëria’ për taksën mund të sjellë edhe rrëzimin e Qeverisë Haradinaj , Shkëlzen Maliqi në prononcimin për Gazetën JNK tha se zgjidhja më e mirë në situatën aktuale është një rikonfigurim i Qeverisë në të cilën do të merrnin pjesë PSD dhe LDK.

“Pikërisht për këtë çështje mund të ndërrohet edhe koalicioni dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Zgjedhjet nuk mund të vinë në konsideratë sepse është një momentum kur po kërkohet që dialogu të vazhdojë dhe në dy ose tre muajt e ardhshëm edhe të arrihet një rezultat”, tha ai.

Ndërsa Eugen Cakolli nga KDI, duke mos dashur të komentojë se a është e gatshme Kosova për zgjedhje të reja, tha se zgjedhjet e mundshme varen nga kalkulimet e partive politike.

“Në lidhje me jetëgjatësinë e koalicionit, besoj se ajo është e lidhur me zhvillimet, përkatësisht kalkulimet politike të subjekteve politike në pozitë, të cilat paraqesin faktorin determinues për shkuarjen eventuale në zgjedhje, si rezultat i kompozicionit aktual politik”, tha ai.