Kadri Veseli- Foto: Atdhe Mulla

Veseli: Qeveria nuk do të bjerë për shkak të taksës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në fjalimin e tij para deputetëve dhe mysafirëve të tjerë për nder të 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka deklaruar se marrëdhënia me Serbinë në asnjë moment nuk do ta përcaktojë fatin e Qeverisë së Kosovës.

“Pra, Qeveria e Kosovës nuk do të bjerë për shkak të taksës. Ky është qëndrimi im i vendosur”, ka deklaruar Veseli në Kuvend.

Veseli më tej ka shtuar se Qeveria dhe Kuvendi mund të bien vetëm për shkak të interesave të qytetarëve të Kosovës dhe partnerëve të tyre strategjikë si ShBA-ja dhe Bashkimi Europian.

I pari i Kuvendit ka thënë se Serbia e ka merituar dhe e meriton taksën, për shkak të sjelljeve të saj karshi Kosovës. Madje Veseli tha se largimi i saj është i panegociueshëm, për shumë arsye.

“Por, përmbi emocionet e taksës ndaj Serbisë, dua të flas për urgjencën e racionalitetit shtetëror. Vendimmarrja shtetërore nuk duhet të jetë as përgjegjësi dhe as kritikë individuale. Në  vendimmarrje shtetërore, asgjë nuk duhet të ketë personale. Pra, edhe ky vendim, si çdo vendim tjetër për Kosovën, duhet të jetë shtetëror, institucional”, është shprehur Veseli.

Veseli ka potencuar se interesat strategjike dhe gjeopolitike perëndimore dhe amerikane në Ballkan përputhen plotësisht me interesat e Kosovës dhe kombit tonë.

“Andaj, Kuvendi dhe Qeveria duhet t’u qëndrojnë prapa zotimeve të përbashkëta Kosovë – ShBA dhe BE. Në të kundërtën, Kosova nuk fiton. Ndërsa, Serbia rehabilitohet”, ka thënë Veseli.

https://kallxo.com/pak-mysafire-nga-vendet-mike-ne-seancen-solemne-per-pervjetorin-e-pavaresise/

https://kallxo.com/ne-seancen-solemne-njerez-te-akuzuar-per-vrasje-e-krim-te-organizuar/

Kallxo.com