Avdullah Hoti: Qeveri gjithëpërfshirëse për dialogun dhe zgjedhjet e reja

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se LDK refuzon çdo dialog që cenon elementet e shtetit të Kosovës siç janë territori, popullsia dhe resurset natyrore.

Në një intervistë me shkrim për Gazetën Jeta në Kosovë, Hoti ka thënë se institucionet aktuale nuk kanë legjitimitet për përfaqësimin e Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi, prandaj sipas tij është e nevojshme një qeveri gjithëpërfshirëse e cila krahas përmbylljes së procesit të dialogut, do ta përgatiste vendin për zgjedhje të reja.

Gjatë kësaj interviste Hoti, i cili në zgjedhjet e kaluara të vitit 2017 ka qenë kandidat i LDK-së për kryeministër, ka folur edhe për përafrimin me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), dhe raportet me këtë të fundit si dhe mundësinë për një koalicion parazgjedhor .

 

Kallxo.com: Z. Hoti, kohëve të fundit kemi parë një përafrim të Lidhjes Demokratike të Kosovës me Lëvizjen Vetëvendosje në qëndrimin karshi dialogut dhe çështjeve tjera. Sa është afatgjatë ky përafrim kur dihet se LVV ndër kushtet e saj ka rishikimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, e disa nga këto marrëveshje janë arritur gjatë qeverisjes Mustafa?

Albin Kurti dhe Isa Mustafa Foto: Haki Abazi FB

Avdullah Hoti: Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje janë parti opozitare dhe të dyja bashkë përfaqësojnë më tepër se 60% të qytetarëve të Kosovës. Kur kemi parasysh këtë fakt, si dhe rolin e opozitës në demokraci parlamentare, natyrshëm vjen koordinimi i veprimeve në Kuvend. Sa i përket çështjes së dialogut me Serbinë, qëndrimi i LDK-së është i njohur dhe kushdo që pajtohet me atë qëndrim është i mirëpritur për bashkërendim të veprimeve për t`i ndjekur ato parime. Më vjen mirë që VV-ja është përafruar në këto parime tonat për dialogun, që në përgjithësi po pranohen nga të gjitha forcat politike.

Kallxo.com: Edhe në të kaluarën LDK-ja ka pasur një përafrim të tillë më LVV-në, mirëpo në fund ka rezultuar me një jo qëndrueshmëri dhe ju keni bërë koalicion me PDK-në. Pse është më ndryshe partneriteti juaj me VV-në tash?

Avdullah Hoti: LDK-ja është parti anëtare e Partive Popullore Evropiane. Rrjedhimisht edhe ndjek rrugën dhe parimet e këtyre partive. Si e tillë LDK është e hapur për bashkëpunim dhe koordinim të bazuar mbi këto parime me këdo që pajtohet dhe zotohet për t`i ndjekur ato. Kjo është filozofia e veprimit tonë politik, prej të cilës ne nuk mund të heqim dorë. Tash së fundi, LDK-ja ka marrë pjesë në konkresin e Partive Popullore Evropiane në Helsinki ku është korniza e veprimit politik të këtij grupimi më të madh politik të Evropës. Ne jemi pjesë e kësaj kornize të veprimit pasi interesi i Kosovës është integrimi në BE. Ne ftojmë të gjitha forcat politike të relfektojnë dhe të na bashkohen në këtë qasje politike.

Kallxo.com: A është pengesë aspekti ideologjik i LVV-së për të krijuar në aleancë afatgjate dhe a mendoni që në të ardhmen shkakton pengesa për koalicion?

Avdullah Hoti: Të gjitha forcat politike që përqafojnë filozofinë politike të LDK-së janë të mirë se ardhura të bashkëpunojnë me LDK-në dhe të ndërtojnë koalicionet e gjera për të qeverisur Kosovën dhe për ta udhëhequr bashkërisht Kosovën drejt integrimit euro-atlantik.

Kallxo.com: Jemi duke parë që politika kosovare është duke u ndarë në dy anë, në njërën anë jeni  ju si LDK dhe VV-ja ndërsa në anën tjetër janë partitë e tjera, a është duke u bipolarizuar politika kosovare?

Avdullah Hoti: Është fakt se koalicion i pakicës PAN është më i dobëti që ndonjëherë ka pasur Kosova. Ky koalicion me 22 partitë, që të përbashkët kanë vetëm interesin për pushtet, është formuar me koncesione jo parimore dhe mbi interesa të ngushta partiake. Kjo gjë është vërtetuar me mënyrën e funksionimit dhe vendimmarrjes së tyre. Ne nuk pajtohemi me këtë mënyrë të të qeverisurit dhe po punojmë të ndërtojmë koalicione të gjera për të ndryshuar sa më parë gjendjen në vend. Mospajtimet e tilla nuk mendoj se e bipolarizojnë politikën kosovare. Kjo vetëm sa ndihmon në qartësimin se kush dhe si mendon për të mirën e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.

Kallxo.com: Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump si dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar unifikim të spektrit politik për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve. A janë argumentet e LDK-së më të fuqishme sesa kërkesa e partnerëve ndërkombëtarë duke e pasur parasysh qasjen konstruktive që LDK e ka pasur ndaj komunitetit ndërkombëtar?

Avdullah Hoti: LDK-ja është e angazhuar tash e tri dekada për thellim të miqësisë me SHBA-të dhe BE-në. E vetmja rrugë e Kosovës është rruga euro-atlantike. Në këtë frymë është sjellë LDK deri sa ka drejtuar Qeverinë dhe kur presidentët e vendit ishin nga LDK. Ne do të angazhohemi për shtetin e pavarur të Kosovës, si republikë parlamentare me integritet territorial dhe institucional, me sovranitet shtetëror dje kufij të pacenueshëm.

Në letrën e tij, Presidenti Trump kërkon të flasim me një zë dhe ne i kemi hapur mundësinë gjithë spektrit politik që të bëhemi bashkë. Ne jemi të gatshëm të marrim përgjegjësinë tonë në këtë proces dhe t’i prijmë procesit si forca më e madhe politike. LDK i ka adaptuar parimet bazë për qasje ndaj dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe jemi të gatshëm të punojmë me të gjitha forcat politike karshi atyre parimeve. LDK do të ketë çdo herë qasje refuzuese ndaj dialogut kur në procesin e negocimit përfshihen elementet e shtetit të Kosovës siç është territori, popullsia apo resurset natyrore.

Për tri dekada me radhë, LDK-ja angazhohet që Kosova, si një vend i pavarur, të kontribuojë në bashkëpunimin, stabilitetin dhe prosperitetin rajonal, në frymën e synimeve për integrim evropian. Për ne, fqinjësia e mirë paraqet themelin e dimensionit të ri ndërkombëtar të Kosovës. Ne besojmë se çështjet e interesit të ndërsjellë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut dhe se marrëdhëniet e mira ndërshtetërore janë parakusht për paqe në rajon dhe për procesin e integrimeve euroatlantike. Të gjitha këto ju kemi bërë të ditur partnerëve tanë ndërkombëtarë në komunikimet e vazhdueshme që kemi me ta.

Institucionet aktuale nuk kanë fuqi politike për shkak të humbjes së shumicës parlamentare të koalicionit qeverisës, prandaj as legjitimitet politik për të përfaqësuar Kosovën në procesin e dialogut. Rrjedhimisht, LDK-ja konsideron se dialogu duhet të zhvillohet pas zgjedhjeve të reja parlamentare, nga të cilat do të dalin institucione legjitime që do ta marrin përgjegjësinë për dialogun. LDK-ja po ashtu shpreh gatishmërinë që të bëhet pjesë e një qeverie gjithëpërfshirëse, e cila qeveri do të përmbyllte procesin e dialogut dhe do ta përgatiste vendin për zgjedhje.

Kallxo.com: Ndonëse jeni bashkuar me VV-në për ta ‘ndalur’ presidentin Thaçi, sa është e unifikuar vet LDK-ja në këtë iniciativë duke e marrë parasysh që në disa raste, akterët e vet LDK-së kanë përkrahur disa nga iniciativat e presidentit Thaçi?

Avdullah Hoti: Asnjë iniciativë e cila prek çështjet fundamentale të shtetit të Kosovës nuk ka përkrahje në LDK, dhe këtë gjë e kemi bërë të qartë me qëndrimin tonë lidhur me procesin e Dialogut.

Kallxo.com: Si e komentoni faktin që grupi negociator si kushte në bisedimet me Serbinë ka vendosur  njohje nga Serbia, reparacionet e luftës si dhe të pagjeturit, gjëra që LDK-ja nuk i ka shtyrë përpara sa ka qenë udhëheqëse e dialogut në Qeverinë Mustafa?

Avdullah Hoti: Së pari, ky grup negociator nuk është përfaqësues. Dialogu është çështje që kërkon qasje serioze dhe institucione që kanë legjitimitet politik e qytetar. Çështja e dialogut në Qeverinë Mustafa është trajtuar me këtë seriozitet. Asnjëherë në Qeverinë Mustafa nuk është lejuar të hapet çështja e shtetësisë së Kosovës, as territori dhe as organizimi kushtetues i vendit. Sigurisht se në atë kohë, dialogu ka qenë i natyrës tjetër.

Kallxo.com: Deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi ka kërkuar heqjen e taksës 100 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnjës të vendosur nga qeveria e Kosovës. Cili është pozicioni i LDK-së karshi taksës dhe kërkesës së komunitetit ndërkombëtar? Sipas jush cili shënon momentin kur duhet të hiqet taksa?

Avdullah Hoti: LDK-ja e ka bërë të ditur qëndrimin lidhur me vendimin për taksën për produktet e Serbisë dhe Bosnjës. Taksa është masë e merituar, por po ashtu është një masë popullsitë, e pa matur mirë në momentin e marrë. Taksa erdhi në momentin e dështimit të anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe si e tillë mund të shihet edhe si mbulesë e Qeverisë për këtë dështim dhe për shumë dështime tjera. Sigurisht që vendimi për tërheqje të taksës i takon atyre që kanë marrë vendimin për ta vënë atë. PDK-ja dhe Presidenti, që vraponin për të marrë meritat për taksën, tash nuk marrin përgjegjësinë për ta hequr atë kur ju kërkohet nga partnerët ndërkombëtarë.

Kallxo.com: Një ndër efektet e taksës 100 për qind ka qenë rritja e konsumit të prodhimeve vendore si dhe shtimi i raporteve tregtare me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Si i komentoni këto efekte dhe çka do të thotë për LDK-në rritja e prodhimit dhe konsumit të produkteve vendore?

Avdullah Hoti: Taksa ndaj mallrave serbe është masë politike për të arritur efekte politike. Është relative se deri në çfarë mase mund të dëmtohet ekonomia e Serbisë përmes kësaj takse në mënyrë që Serbia të detyrohet nga publiku i brendshëm i saj të ndërrojë kursin politik karshi Kosovës. Nëse kjo masë ka ndikuar sapo pak në riorientimin e tregtisë së Kosovës drejt Shqipërisë dhe vendeve të tjera fqinje, atëherë kjo sigurisht është e mirëseardhur dhe përfituese për Kosovën në afat më të gjatë.

11 Shkurt 2019 - 19:20

Arta Sopi 11/02/2019 - 19:20
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend