Haradinaj: T’i kryejmë temat e rënda pastaj shkojmë në zgjedhje

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se në këtë moment është e pakuptimtë që vendi të shkojë në zgjedhje.

Sipas tij, tani vendi është një situatë ku po merret me tema të rënda dhe është kohë e papërshtatshme për zgjedhje.

“Nëse ne jemi në situatë me tema të randa është e pakuptueshme të shkohet në zgjedhje. Ti kryejmë këto tema të randa, tana shkojmë në zgjedhje”, tha Haradinaj.

“Zgjedhjet mund të vijnë çdo ditë. Për zgjedhje s’ka nevoje me u ba nervoz, mjafton me u ba 61 deputetë. Nuk jam i gatshëm me shku në zgjedhje, se du me punu, por Parlamenti e ka vendimarrjen”, shtoi ai.

Ai po ashtu foli lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe njohjen e Kosovës nga Serbia.

Sipas tij njohja duhet të vijë si kërkimfalje për gjenocidin në Kosovë.

“Ju e dini që kam thanë disa herë që njohja duhet të vjen si kërkimfalje për atë çfarë i ka ndodhë Kosovës, pra njohje e dhimbjes e tragjedisë. Pastaj hapen dyert edhe për të tjera, por jam i hapur me bisedu me gjithë akteret”

Ai gjithashtu ripërsëriti kritikat ndaj ndërmjetësueses së dialogut Federica Mogherini lidhur me mënyrën se si po e kryen punën e saj.

“Mogherini ka mbajtë një dialog të fshehtë. Ajo është mirë me nxjerrë dialogun në tavolinë, si i ka hije. Mendoj se është mirë me vazhdu dialogu”, tha Haradinaj.