Takimi i Ramush Haradinajt me Shpend Ahmetin | Foto: ZKM

Shpend Ahmeti: Nuk votojmë për rrëzimin e Qeverisë për shkak të taksës

Bashkëkryesuesi i ekipit negociator në bisedimet me Serbinë dhe kryetari i PSD-së Shpend Ahmeti edhe njëherë i ka dal në krahë kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ai përmes një statusi në Facebook ka deklaruar se nuk e do votojnë për rrëzimin e Qeverisë përmes ndihmës së Listës Serbe, për shkak të taksës.

“I kemi thënë edhe LDK-së e VV-së, se nuk do ta ndihmojmë Listën Serbe për ta rrëzuar Qeverinë për shkak të taksës. Tani i themi edhe PDK-së se me ndihmën tonë nuk do ta rrëzojnë e as kërcënojnë AAK-në, si presion ndaj kryeministrit për ta larguar taksën”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Ai gjithashtu i ka dërguar fjalë edhe partnerit të Haradinajt në Qeveri, PDK-së se nuk ndihmojnë rrëzimin e Qeverisë.

“Tani i themi edhe PDK-së se me ndihmën tonë nuk do ta rrëzojnë e as kërcënojnë AAK-në – si presion ndaj Kryeministrit për ta larguar taksën”, ka shkruar tutje i pari i PSD-së, Shpend Ahmeti.

Ky është statusi i plotë i Shpend Ahmetit:

Po lexoj nëpër media se analistët po thonë se e parashikojnë prishjen e koalicionit, dhe qeveri të re (pa zgjedhje) me LDK dhe PSD.

Përderisa për LDK-në nuk mund të flas, sa i përket PSD-së, mund të konfirmoj se nuk ka pas as edhe një takim apo diskutim për këtë gjë.

Ne kemi dhënë dhe vazhdojmë të japim mbështetje politike për taksën dhe jemi pjesë e delegacionit shtetëror për dialogun. I kemi thënë edhe LDK-së e VV-së, se nuk do ta ndihmojmë Listën Serbe për ta rrëzuar Qeverinë për shkak të taksës. Tani i themi edhe PDK-së se me ndihmën tonë nuk do ta rrëzojnë e as kërcënojnë AAK-në – si presion ndaj Kryeministrit për ta larguar taksën.

Vazhdojmë të mbajmë qëndrimin që për taksën duhet të merret vendimi i përbashkët, ku edhe presionin edhe kritikat do t’i bartim bashkë. Taksa është e drejtë dhe është vendimi i parë pas të gjitha sulmeve që ka bërë Serbia ndaj nesh. Ne jemi të interesuar të dialogojmë me Serbinë sipas platformes që kemi aprovuar, por Qeveria ka të drejtë të merr vendime për ta mbrojtur interesin e shtetit tonë.

Dialogu me Serbinë është çështje tejet e rëndësishme për Republikën e Kosovës, si në aktualitet ashtu edhe në potencialitet. Prandaj, vendimet për të duhet të synojnë përherë koncensualitet dhe të përfshijnë të gjithë ata që janë të interesuar ta ndihmojnë Kosovën. Protagonizmi e personalizimi i këtij procesi as nuk është i mundshëm dhe do të ishte tejet i dëmshëm.