Të dielën LDK hyn në testin e parë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit

Një muaj pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme nacionale, ku pësuan rezultatin më të dobët në historinë e saj, LDK do të mbledhë Kuvendin Zgjedhor për të votuar kryetarin e ri të partisë.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lidhja Demokratike mori pak mbi 100 mijë vota, që do t’i sigurojnë asaj vetëm 15 deputetë nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës.

Rezultat ky, që e “detyroi” Isa Mustafën të jap dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë.

Deri më tani, 3 zyrtarë të LDK-së kanë shpallur kandidaturat e tyre për kryetar të partisë, por që nuk kanë treguar asgjë më shumë pos që do t’i shpallin kandidaturat e tyre.

I pari që ka shpallur kandidaturën është Anton Quni. Ndërsa gjatë së hënës kandidaturat kanë shpallur edhe Lumir Abdixhiku e Lutfi Haziri.

Kjo do të jetë hera e parë në historinë e kësaj partie, që 3 kandidatë do t’i hyjnë në garë për të marrë udhëheqjen e partisë më të vjetër në Kosovë.

Isa Mustafa dy mandate e kishte merrë udhëheqjen e LDK-së pa garë, ndonëse kishte pasur kundërkandidatë.

Kjo për shkak se kandidimi iu “ishte pamundësuar” për shkak të një pike të statutit të brendshëm të LDK-së.

Në statut thuhet se kandidaturat duhet të provohen nga Kuvendi Zgjedhor me 50% +1 votë.

“Besoj që sapo të filloj Kuvendi Zgjedhor do të jetë Kuvendi ai që do t’i përcaktoj konditat tjera”, kishte thënë sekretari i partisë, Arban Abrashi kur ishte pyetur nëse do të ndërrohet kjo pikë e statutit të LDK-së.

Në Kuvendet e kaluara, LDK ishte akuzuar nga eksponentë të ndryshëm se ka pasur marrëveshje të fshehtë mes njerëzve të kryesisë së LDK-së.

Njëri nga kandidatët, Abdixhiku shkroi të hënën se nuk do të ketë marrëveshje të fshehtë dhe se gara do të jetë transparente.

“Nuk do të ketë marrëveshje; s’duhet të ketë! Do të ketë garë dhe garë të drejtë e me votë të fshehtë. Na duhet një proces zgjedhës demokratik për të mbajtë një standard të lartë politik. Le të vendoset lirë. Veç LDK mund ta bëjë një gjë të tillë!”, shkroi të hënën, Lumir Abdixhiku.

Analisti, Artan Muhaxhiri e sheh si parakusht korrektësinë e garës, për të pasë një proces të rregulltë zgjedhor.

“Faktori kryesor që do ta determinojë suksesin e zgjedhjeve në LDK do të jetë korrektësia e garës. Mënyra e vetme që siguron ecuri normale dhe minimizim të pakënaqësive është krijimi i parakushteve të barabarta për të gjitha kandidaturat dhe përcaktimi i kritereve objektive me të cilat do të vlerësohen ato. LDK-ja nuk ka asnjë alternativë, përveç ofrimit të garancive maksimale për proces normal me të cilin menjëherë do të nisnin ndryshimet emergjente”, tha Muhaxhiri për KALLXO.com

Kush janë kandidatët për kryetar të LDK-së?

Lutfi Haziri që nga 2010 nuk i ka hyrë më garës për zgjedhje parlamentare. Që nga 2013, Haziri udhëheqë me komunën e Gjilanit, që dy mandate.

Anton Quni që nga 2010, vazhdimisht është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së. Ky pritet të jetë mandati i tij i pestë si deputet.

Në anën tjetër, Lumir Abdixhiku është bërë pjesë e LDK-së pak para zgjedhjeve të 2017. Që atëherë, Abdixhiku është zgjedhur në vazhdimësi deputet i LDK-së, në 3 palë zgjedhje që ka garuar.

Lutfi Haziri për një kohë të gjatë është parë si një njeri i afërt me kryetarin në dorëheqje të LDK-së, Isa Mustafën. Haziri ka qenë nënkryetar i Isa Mustafës tash e një kohë të gjatë.

Lumir Abdixhiku ishte anëtarësuar në LDK, në maj të 2017. Në kohën kur kishte aderuar në këtë parti, Abdixhiku ka qenë drejtor ekzekutiv në Institutin Riinvest, në të cilin, Isa Mustafa është njëri nga themeluesit.

Poashtu, Lumir Abdixhiku është profesor në Kolegjin Riinvest, në të cilin të paktën deri më 2018, Isa Mustafa ka pasur 6.4% të aksioneve.

Tash, 4 vjet prej anëtaërsimt në LDK, Abdixhiku është njëri nga kandidatët kryesor për të marrë drejtimin e partisë.

Anton Quni është ministër në detyrë i Mbrojtjes. Këtë detyrë, Quni e kishte marrë kur ishte formuar Qeveria Kurti 1, në koalicionin e përbashkët LVV-LDK.

Quni kishte qenë një nga zyrtarët e vetëm të LDK-së që ishte munduar të mbante koalicionin dhe të mos rrëzohej Qeveria Kurti. Tentimi i tij kishte qenë i padobishëm, pasi që Kurti ishte rrëzuar me më shumë se 80 vota në mars të 2020.

Njëri nga themeluesit e LDK-së, historiani Jusuf Buxhovi po e sheh procesin e Kuvendit Zgjedhor të LDK-së, si një mashtrim. Sipas tij, për të mos tingëlluar si mashtrim, LDK duhet të kompletoj procesin zgjedhor që nga nëndegët e deri në kryesi.

“Nëse vazhdon me këtë mashtrim jo që do të dëmtohet, por ka edhe rrezik që largohet fare nga skena politike, dhe këta e bartin përgjegjësinë e shkallmimit të një partie historike”, tha Buxhovi në një intervistë të shkurtë për KALLXO.com.

“LDK-së i duhet t’i përputhet rrethanave, t’i kthehet kosovo-centrizimit dhe të jetë e reformuar në përputhje me kërkesat e qytetarëve, liria, demokracia, shteti i Kosovës, shteti i ligjit të cilat deri tani janë uzurpuar prej klasës politike të deritanishme ku edhe LDK-ja ka një pjesë të madhe të përgjegjësisë dhe fajit”, shtoi Buxhovi.

Asnjë nga 3 kandidatët e LDK-së deri më tani nuk ka paraqitur ndonjë vizion se si kanë planifikuar ta udhëheqin partinë, përveç që i kanë shpallur kandidaturat.

Analisti, Artan Muhaxhiri në një intervistë të shkurtë për KALLXO.com tha se në situatën në të cilën është LDK, emrat e përveçëm nuk kanë rëndësi, por platformat që ata do t’i ofrojnë.

“Normativisht, emrat e përveçëm nuk do të kenë aspak rëndësi në garë. Dallimin do ta bëjnë kualitetet e platformave të paraqitura dhe garancitë që kandidati/kandidatja fitues/e domosdoshmërisht do ta ketë mbështetjen e pakushtëzuar nga të gjithë, të pacenueshme prej interesave klanore.

Kushdo që bëhet kryetar i ri i LDK-së nuk do të ketë sukses pa pasur plan kreativ, konkret dhe realist, me përkrahje të plotë shumështresore organizative”, tha Muhaxhiri për KALLXO.com.

Sipas tij, që LDK të kthehet në një parti të rëndësishme në Kosovë, duhet të jetë e hapur ndaj ideve të reja.

“Reformimi substancial, seleksionimi pozitiv i kuadrove dhe hapja e mirëfilltë ndaj ideve të reja janë mundësitë e vetme për LDK-në që sërish të bëhet parti me rëndësi domethënëse qeverisëse në Kosovë”, tha Muhaxhiri, duke shtuar se zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë, janë një test për LDK-në.

“Test shumë i madh do të jenë zgjedhjet e sivjetme lokale, ku do të tregohet niveli i fuqisë së saj për rimobilizim strukturor nëpër komuna”, shtoi Muhaxhiri për KALLXO.com.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, LDK doli partia e tretë në vend, duke u përgjysmuar në vota që nga zgjedhjet e parafundit, të 6 tetorit 2019.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit me Avdullah Hotin kandidat për kryeministër, LDK mori 110 mijë e 978 vota apo 12.64%, ndërsa në zgjedhjet e 2019, LDK me Vjosa Osmanin kandidate për kryeministre kishte marrë 206 mijë e 516 vota ose  24,54%.