Ekipi negociator i Kosovës - Foto: KALLXO.com

Për Kosovën, bisedimet me Serbinë janë punë e burrave

Muajin e kaluar Kosova caktoi 9 përfaqësues të rinj për të marrë pjesë në bisedimet me Serbinë, por nuk u zgjodh as edhe një grua.

Ekipi i ri negociator i 9 burrave të Kosovës për bisedimet me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja debutoi në Bruksel javën e shkuar. Vetë takimi me shefen e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini solli shumë pak rezultate, por një gjë ra në sy nga grupi i fotografive.

Në anën e Mogherinit ishin tre gra të tjera dhe një burrë. Në anën e Kosovës kishte vetëm burra.

Parlamenti i Kosovës miratoi të ashtuquajturin Delegacioni për Dialog më 15 dhjetor, duke zgjeruar përfaqësimin e vendit në bisedime me pjesëmarrës nga të gjitha partitë në koalicionin qeverisës dhe një parti opozitare në atë që qeveria thotë se është një përpjekje për të përfaqësuar më mirë vendin, ndërsa bisedimet shkojnë drejt një marrëveshjeje.

Por kritikët së shpejti u kapën pas faktit se nuk u përzgjodh as edhe një grua.

“Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme ose demokraci pa pjesëmarrjen e grave në procese që do të përcaktojnë të ardhmen e vendit dhe mirëqenien e shoqërisë,” tha Edita Tahiri, ish-negociatorja kryesore e Kosovës në bisedimet me Serbinë.

Shumica e anëtarëve në ekipin e ri janë “amatorë” kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe bisedime për paqe, tha Tahiri për BIRN.

Nga ana tjetër, dy nga zyrtarët më të lartë të Kosovës që merren me BE-në janë gra: Ministrja e Integrimit Europian Dhurata Hoxha, e cila është koordinatorja e qeverisë për çështjet e BE-së dhe e vetmja ministre femër në një kabinet të përbërë nga 21 burra, dhe Blerta Deliu-Kodra, kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian.

As Hoxha as Deliu-Kodra nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN-it. Tahiri vetë udhëhoqi delegacionin e Kosovës për shtatë vjet, ndërsa midis viteve 2011 dhe 2016 posti më i lartë i shtetit të Kosovës, presidenca, u mbajt nga një grua, Atifete Jahjaga.

Ekipi shpërfill impaktin e luftës te gratë

Tahiri tha se mungesa e grave ishte pasojë e mungesës së tyre në pozicione të larta në parti në shoqërinë patriarkale të Kosovës.

E pyetur nëse gratë në Kosovë nuk kërkojnë pozita lidershipi apo nëse poste të tilla janë thjesht të papërshtatshme për shkak të mjedisit, gruaja e vetme që drejton një parti politike në Kosovë, Mimoza Kusari-Lila, tha se kjo ishte “pak nga të dyja” .

Kusari-Lila, e cila drejton partinë opozitare Alternativa, tha se gratë duhet të kenë guxim më të madh në trajtimin e çështjeve kryesore të ditës.

“Shumë shpesh gratë nuk e konsiderojnë veten të denjë për të marrë poste drejtuese ose nuk kanë guximin të besojnë në punën, vendimmarrjen dhe vendosmërinë e tyre,” tha Kusari-Lila. “Ato heqin dorë shumë shpejt.”

Një ish-drejtoreshë ekzekutive e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Ministre e Tregtisë dhe kryetare e komunës së Gjakovës, Kusari-Lila tha se rekordet e qeverisë aktuale për barazinë gjinore ishin të dobëta dhe tha se mungesa e grave në ekipin negociator reflektonte mungesën e besimit midis partive politike.

Gratë të nën përfaqësuara në të gjithë kabinetin

Mirishahe Syla nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore tha se negociatat ishin një “produkt i luftës” dhe se mungesa e grave shpërfill “kontributin që gratë i kanë dhënë në proceset politike në Kosovë dhe ndikimin që kishte pasur lufta te gratë”.

Për pasojë, tha ajo, përdhunimi dhe abuzimi i grave gjatë luftës së viteve 1998-1999 nuk gjen asnjë vend në agjendën e bisedimeve.

Partia Social Demokrate e opozitës, PSD, përfaqësohet më mirë në ekip, duke qenë se ajo plotësoi vendet e lëna bosh nga dy parti të tjera opozitare të cilat nuk pranuan të merrnin pjesë. Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuci, e minimizoi mungesën e ndonjë gruaje në ekipin negociator.

“Përfaqësimi në dialog nuk duhet të shihet nga perspektiva gjinore, sepse kemi dërguar përfaqësuesit më të përgatitur dhe më adekuat,” tha Kuçi.

“Dialogu jo domosdoshmërish duhet të përfshijë gratë nëse burrat janë më të interesuar dhe më të përgatitur.”

Sipas ligjit të Kosovës, partitë politike duhet të sigurojnë përfshirjen dhe përfaqësimin e burrave dhe grave; pjesëmarrja e barabartë konsiderohet e përmbushur kur një gjini ka 40 për qind përfaqësim. Parlamenti ka një kuotë 30% për gratë, ndërsa Kushtetuta e Kosovës thotë se organet shtetërore duhet të marrin të gjitha masat e duhura për “t’i siguruar grave mundësinë për të përfaqësuar qeveritë e tyre në nivel ndërkombëtar dhe për të marrë pjesë në organizatat ndërkombëtare”.

Sipas një analize të vitit 2018 nga Rrjeti i Grave të Kosovës, megjithatë, nga 66 këshilltarë politikë, 52 janë burra dhe vetëm 14 janë gra. Nga 11 ministri për të cilat ishin të disponueshme të dhëna, vetëm njëra prej tyre kishte një grua si shefe stafi e ministrit.

Nga 37 komuna në Kosovë, asnjëra prej tyre nuk drejtohet nga një grua.