Foto: Atdhe Mulla

Opozita kritikon PDK-në për debatin 'e panevojshëm' për buxhetin e KQZ-së

Buxheti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk po shihet si problem për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Partitë opozitare kanë argumentuar se në çfarëdo situate të nevojës për zgjedhje të parakohshme, KQZ duhet t’i ofrohet buxhet.

Ndonëse Partia Demokratike e Kosovës e ngriti si shqetësim mungesën e buxhetit të KQZ-së për organizim të zgjedhjeve të parakohshme, kjo nuk është aspak diçka e re. Me situata të tilla KQZ është përballur çdo herë që ka pasur zgjedhje parlamentare në Kosovën e pavarur.

Megjithatë, inkasimi i buxhetit për KQZ-në nga ana e Qeverisë s’ka qenë kurrë temë diskutimi.

Një javë më herët, të gjitha partitë politike përmes konferencave për media u deklaruan të gatshme për zgjedhje.

Mirëpo, një javë pas, diskursi i disa partive politike ka ndërruar. Shto kësaj edhe “vonesat” e presidentit për t’i ftuar partitë politike në takim. Këto po shihen si tentim për ta shtyrë datën e zgjedhjeve.

Mbledhja e djeshme e Qeverisë në largim përfundoi pa filluar fare.

Partnerët e koalicionit nuk binin dakord dhe kishin mendime të kundërta se nëse marrja e vendimeve nga një qeveri e dorëhequr janë të ligshme apo jo.

Kryeministri në largim Ramush Haradinaj u ballafaqua me një kundërshtim të madh nga ministrat e PDK-së.

Në një moment të caktuar, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri u ankua tek Haradinaj se KQZ nuk ka para për organizimin e zgjedhjeve të reja, duke ngritur kështu dilema se nëse i lejohet Qeverisë së dorëhequr të marrë vendim për t’i alokuar para Komisionit Qendror të Zgjededhjve.

Në fund, duke mos u pajtuar për këto dilema, Haradinaj njoftoi se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar një opinion ligjor se cili është roli i Qeverisë pas dorëheqjes.

KQZ e konfirmoi gjatë ditës së djeshme se nuk kanë para për organizim e zgjedhjeve për shkak se 2019 nuk është paraparë të jetë vit zgjedhor.

Mungesa e mjeteve në vitet jo kalendarike për mbajtjen e zgjedhjeve janë të zakonshme për KQZ-në.

Këtij institucioni, paratë për zgjedhje i ndahen vetëm përgjatë viteve zgjedhore.

“Viti 2019 nuk është një vit zgjedhor, çka do të thotë se në Ligjin e Buxhetit për këtë vit nuk ka mjete të planifikuara për zgjedhje”, kishte thënë për KALLXO.com, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Mirëpo, në Kosovën e pas pavarësisë, KQZ asnjëherë s’ka pasur buxhet të ndarë paraprak për zgjedhje.

Krejt kjo, për shkak se asnjë palë zgjedhje nuk janë mbajtur në vit zgjedhor. Asnjë qeveri nuk kishte përfunduar mandatin e saj kushtetues 4 vjeçar. Ose ishin rrëzuar, ose ishin dorëhequr.

Mirëpo, KQZ-së gjithmonë u janë ndarë para nga Ministria e Financave për të organizuar zgjedhje.

Qeveria Haradinaj është qeveria e katërt që bie nga para kohës, që nga shpallja e Pavarësisë.

Hashim Thaçi e kishte përfunduar dy herë mandatin para kohës, Isa Mustafa dhe tani Ramush Haradinaj.

Në raste të tilla, kur KQZ ballafaqohet me kërkesën për organizim të zgjedhjeve të parakohshme, krejt çfarë duhet të bëjë është përgatitja e planit buxhetor dhe pastaj dorëzimi i saj tek Ministria e Financave.

Adnan Rrustemi, anëtari i Vetëvendosjes në KQZ-së, e thotë për KALLXO.com se KQZ asnjëherë s’ka pasur buxhet të planifikuar për zgjedhje të jashtëzakonshme, ndërsa debatin për buxhetin e zgjedhjeve e sheh si “frikë të PDK-së” përballë zgjedhjeve.

“Debati për buxhetin për zgjedhje është i pakuptimtë dhe i nisur nga PDK-ja si shprehje e frikës së saj për t’u përballur me qytetarët në zgjedhje dhe pjesë e një përpjekje për t’i zvarritur zgjedhjet. Nuk është hera e parë që Kosova organizon zgjedhje të jashtëzakonshme, madje të gjitha zgjedhjet parlamentare nga shpallja e pavarësisë kanë qenë të jashtëzakonshme dhe çështja e ndarjes së buxhetit asnjëherë nuk ka qenë problem dhe as që është diskutuar”, tha Rrustemi për KALLXO.com

Përveç kërkesës që KQZ, mund ta dërgoj tek Qeveria e Kosovës, përkatësisht te Ministria e Financave, Rrustemi thotë se kjo mund të behet edhe nga Kuvendi i Kosovës.

“Këtë mund ta bëjë Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancë të rregullt apo të jashtëzakonshme e në procedurë të rregullt si përgjigje në kërkesën e KQZ-së për mjete financiare shtesë”, thotë Rrustemi.

Ndërsa diskursin e PDK-së, ai e quan qesharak.

“Diskursi i PDK-së është sa qesharak, aq edhe manifestim i përpjekjes së tyre për t’i ikur zgjedhjeve, që tashmë janë një fakt i kryer”, thotë tutje ai.

Ndërsa anëtari tjetër i KQZ-së, nga radhët e LDK-së, Florian Dushi tha për KALLXO.com se ndarja e buxhetit për KQZ është obligim ligjor.

“Meqë KQZ planifikon dhe kërkon buxhet vetëm për ciklet e rregullta zgjedhore sipas afateve kushtetuese e ligjore, në rast të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, në në asnjë rast KQZ nuk ka pasur ndonjë buxhet të ndarë paraprakisht. Por, në momentin që zgjedhjet e jashtëzakonshme janë shpallur nga ana e presidentit ne gjithmonë kemi përgatitur kërkesën tonë buxhetore, ia kemi dorëzuar qeverisë, e cila pastaj ka obligim ligjor t’i siguroj mjetet e kërkuara nga ana e KQZ-së”, tha Dushi për KALLXO.com

Sipas tij, çështja e buxhetit të KQZ-së është e paraparë në Ligjin për Zgjedhje që nuk lë hapësirë për diskutim mes institucioneve.

“Në fund të fundit, çështja e buxhetit për zgjedhje, mbështetur në dispozitat e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, nuk është çështje për të cilën ka ndonjë hapsirë për çfarëdo lloj negociatash ndërinstitucionale”, thotë tutje Dushi.

Ai thotë se s’ka asnjë dyshim se ka një tendencë për t’i vonuar zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Nuk ka asnjë dyshim, tendenca për shmangien ose vonesën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme po vërehet hapur, por “mungesa” e buxhetit nuk përbënë arsye për ndonjë vonesë apo shtyrje, qofshin ato edhe të orkestruara në mes partnerëve”, thotë në mes tjerash Dushi.

Që nga e premtja e javës së kaluar, Qeveria Haradinaj është në dorëheqje. Ramush Haradinaj i kishte njoftuar kabinetin e tij qeveritar për dorëheqjen pas mbledhjes së Qeverisë.

Ai kishte deklaruar se arsyeja e dorëheqjes është ftesa që kishte marrë nga Gjykata Speciale për t’u intervistuar si i dyshuar.

Në njoftimin e dorëheqjes, Haradinaj i kishte bërë thirrje Presidentit Hashim Thaçi që të fillojë procedurat për organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Presidenti Thaçi ka vendosur që javën e ardhshme t’i ftoj partitë politike në konsultim për situatën politike dhe mundësinë e caktimit të datës së zgjedhjeve.