Foto: Atdhe Mulla

KQZ e pranon: Nuk kemi para për zgjedhje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka konfirmuar se nuk ka mjete financiare të gatshme për t’i organizuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Sot gjatë mbledhjes së Qeverisë, Ministri i Drejtësisë nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri ngriti si çështje faktin që KQZ-së nuk ka mjete financiare për organizimin e zgjedhjeve për shkak se 2019 nuk është vit zgjedhor.

Në rast se vendi shkon në zgjedhje, atëherë KQZ do t’i drejtohet Ministrisë së Financave me kërkesë buxhetore për mjete financiare.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Viti 2019 nuk është një vit zgjedhor, çka do të thotë se në Ligjin e Buxhetit për këtë vit nuk ka mjete të planifikuara për zgjedhje. Nëse do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, duke u mbështetur edhe në praktikat e kaluara KQZ-ja bën kërkesë buxhetore në Qeveri për mjete financiare për mbajtjen e zgjedhjeve”, ka thënë Elezi për KALLXO.com

Qeveria e Kosovës nuk arriti të mbajë mbledhjen e saj sot, për shkak se partnerët e koalicionit mendonin ndryshe sa i përket ligjshmërisë së vendimeve që mund të merr qeveria që tashmë është e dorëhequr.

PDK dhe Nisma e kanë kundërshtuar Haradinajn për idenë e marrjes së vendimeve, ndërsa ky u fundit njoftoi kabinetin qeveritar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim, pasi që sipas tij, nuk mund ta lë vendin në “vakum qeverisës”.

https://kallxo.com/haradinaj-kerkon-interpretim-nga-kushtetuesja-per-bazen-ligjore-te-mbledhjeve-te-qeverise/