Infografika: Kallxo.com

Noterët: Trend pozitiv i pronave të regjistruara në emër të dy bashkëshortëve

Në disa bashkëbiseda të cilat BIRN-i i ka zhvilluar me noterë nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, ata kanë deklaruar se vitet e fundit është shënuar dukshëm rritje e kërkesave të palëve për ta regjistruar pronën në emër të përbashkët të të dy bashkëshortëve.

Noterët deklarohen të kënaqur me këtë trend, derisa thonë se në rritjen e këtij numri, pozitivisht ka ndikuar Udhëzimi i Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e pronës në emër të përbashkët të të dy bashkëshortëve.

Nga viti 2016 Qeveria e Kosovës e ka miratuar një udhëzim administrativ për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve me qëllim të inkurajimit të çifteve të reja që nga fillimi i krijimit të pronës ta gëzojnë të drejtën e regjistrimit të asaj prone në emër të dy bashkëshortëve, e drejtë që është e garantuar edhe me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet në fuqi.

Përfitimet që dalin nga ky Udhëzimi Administrativ për regjistrimin e pronës në emër të përbashkët të dy bashkëshortëve, janë lirimi nga tarifa për shërbimin e regjistrimit, lirimi nga tatimi mbi pronën për periudhën 1 vjeçare si dhe lirimi nga tarifa për shpenzimet e noterit.

Arben Mustafa, noter nga Gjilani është shprehur se regjistrim më i madh i pronave në emër të përbashkët të të dy bashkëshortëve është vërejtur pas hyrjes në fuqi të Udhëzimit Administrativ.

“Statistika të sakta nuk mbajmë, por është në trend rritja prej që ka hy në fuqi një udhëzim administrativ që është për mos pagesë të disa taksave, për shembull në komunë lirohen kur pronën e bartin në emër të të dy bashkëshortëve”, ka deklaruar noteri nga Gjilani, Arben Mustafa.

Bardhyl Dinaj, noter nga qyteti i Vushtrrisë ka thënë për KALLXO.com se nga puna e përditshme me palë, sipas tij rreth 80% e palëve që drejtohen në zyrën e tij, po vendosin që pronën ta regjistrojnë në emër të përbashkët.

“Nëse e shohim prej palëve që vijnë në zyre për shitblerje me siguri 80% prej tyre e regjistrojnë pronën në emër të përbashkët me bashkëshortët e tyre, sepse po përfitojnë edhe prej kësaj kampanjës që lirohen prej shpenzimeve të kadastrës”, tha noteri Dinaj.

Bashkim Stavileci, noter nga Peja ka treguar për KALLXO.com se në rritjen e numrit të pronave të regjistruara në emër të të dy bashkëshortëve në masë të madhe janë duke ndikuar vetë noterët të cilët po i informojnë dhe udhëzojnë palët për ta bërë këtë regjistrim.

“Rritje ka gjithsesi, ndonëse nuk mbajmë statistika të këtyre regjistrimeve. Rritje ka për shkak se ne noterët po ndikojmë dhe po i inkurajojmë që kontratat e patundshmërive me i regjistru në emër të të dy bashkëshortëve, po ju tregojmë që taksat janë më të ulëta kur vendoset prona në emër të të dyve. Edhe në procedurë trashëgimore po i nxisim që gratë të mos heqin dorë nga pjesa e vetë trashëgimore”, ka deklaruar për KALLXO.com Bashkim Stavileci.

Ndërsa sa i përket arsyeve se pse gjatë procedurave të trashëgimisë, gratë ende po refuzojnë ta gëzojnë të drejtën e tyre në trashëgimi, noteri Stavileci tha se është ndikimi i të drejtës zakonore.

“Gratë po e refuzojnë trashëgiminë se po thonë po dojmë me pas te kush me shku, po thonë se nëse e lypim pjesën tonë pastaj te vëllezërit nuk kemi çka me shku ma”, tha noteri Stavileci.

Edhe noteri nga Ferizaji, Nexhat Qorrolli tha se arsyet më të shpeshta të refuzimit të trashëgimisë nga ana e grave është ndikimi i të drejtës zakonore.

“Ka mbetur një e dhënë e vjetër patriarkale që nuk marrim hise, e drejta zakonore ka ndikuar tek to. E drejta zakonore shpesh ka qenë në kundërshtim me të drejtën pozitive, njerëzit hala vuajnë nga e drejta zakonore sepse thonë se filanja ka marrë hise apo nuk ka marrë hise. Fëmijët janë të barabartë, ne insistojmë që të marrin pjesë në trashëgimi sepse është pasuria e tyre e krijuar nga trungu familjar”, tha Qorrolli.

Sefadin Blakaj, noter nga Prishtina ka deklaruar se afro 80% e palëve që kryejnë shërbime në zyrën e tij, pajtohen që pronat t’i regjistrojnë në emër të përbashkët të burrit dhe gruas.

Ndërsa sa i përket procedurave të trashëgimisë, Blakaj tha se në zonat rurale ende vazhdon të jetë problem tradita që gratë të mos trashëgojnë pronën e prindërve.

“Gati 80% të transaksioneve të shit-blerjes së bashkëshortëve pajtohen që pronën me e regjistru edhe në emër të burrit edhe në emër të gruas, gjë që është zhvillim i mirë. Te procedurat e trashëgimisë në zonat rurale vazhdon me qenë aktive tradita e vjetër akoma”, tha Blakaj.

Edhe noterja tjetër nga Prishtina, Alije Gusija tha se ka hapa pozitiv sa i përket vetëdijesimit të grave për të drejtat e tyre në pronë.

“Po e shoh një hap të zhvillimit, është një dukuri që ka filluar një vetëdijesim më i madh, ne gjithë kohës u themi se është e drejta e tyre. Sa i përket arsyeve të heqjes dorë nga trashëgimia ka qenë arsyeja e traditës, arsimimit, janë mësuar me ja lanë pronën vëllait por prapë po them që është një hap pak më pozitiv se sa që ka qenë”, tha noterja Gusia.

Ermira Uka- Gashi, noterja nga Fushë Kosova tha se trendi i rritjes se pronave të regjistruara në emër të dy bashkëshortëve po vërehet më tepër tek çiftet e reja.

“Ka trend të rritjes absolutisht, por tash me këto ndërtimet e reja të banesave që po i blejnë çiftet e reja shumica po i regjistrojnë si bashkëpronarë, kjo më shumë vlen për moshën e re, për çiftet e reja. Ndërkohë që për trashëgimi ndonëse ne i njoftojmë për të drejtën e tyre ato në shumicën e rasteve heqin dorë në favor të vëllezërve apo nënës nëse është gjallë ose baba kur është gjallë”, ka deklaruar noterja Uka- Gashi.

Agim Sylejmani, noter nga Vitia tregon se në rritjen e numrit të pronave të regjistruara në emër të përbashkët të bashkëshortëve kanë ndikuar shumë edhe mediat me fushata vetëdijësuese.

“Sidomos prej qershorit të 2019-ës ka një trend të dukshëm. Sidomos krahasuar me vitin 2013 kur kam filluar të punoj tash dukshëm vërehet ndryshim. Mendoj që këtu ka ndikuar edhe Udhëzimi Administrativ dukshëm e po ashtu edhe fushatat vetëdijësuese dhe mediat. Ka një trend të madh të rritjes. Vitet e më hershme as që është bërë fjalë për t’i regjistruar pronat në emër të grave ndërsa tash vijnë bashkërisht dhe i vendosin në emër të të dyve”, ka deklaruar noteri Agim Sylejmani.

Ndonëse vërehen hapa pozitiv drejt rritjes së numrit të grave pronare të pasurive të pa luajtshme, prapë se prapë të dhënat tregojnë se vetëm 16% e pronave në mbarë vendin janë në emër të grave.

Ndërsa 50% e regjistrave kadastralë janë të regjistruar në emër të personave të vdekur.

Të dhënat tjera tregojnë se një gruaje i duhet mesatarisht tetë vite procedurë gjyqësore për të gëzuar të drejtën e saj në pronë.

BIRN në vazhdimësi ka raportuar edhe për betejat e gjata ligjore me të cilat po ballafaqohen gratë me qëllim të njohjes së të drejtave të tyre në pronë si dhe njohjes së kontributit të tyre në krijimin e pasurisë së përbashkët me bashkëshortet e tyre.

 

12 Vjet në Kërkim të Drejtësisë për Shtëpinë

 

Si iniciativë për promovim të Udhëzimit Administrativ për regjistrimin e pronës në emër të përbashkët të të dy bashkëshortëve BIRN ka kontaktuar afro 2 mijë zyrtarë të lartë të vendit për të parë nëse janë duke e respektuar Udhëzimin Administrativ të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve.

Por, gjetjet e hulumtimit të BIRN-it kanë pasqyruar se as 5% e këtyre zyrtarëve të lartë nuk janë duke e respektuar këtë Udhëzimin Administrativ për regjistrimin e pronës në emër të dy bashkëshortëve.

Hulumtimi ynë ka treguar se vetëm 35 nga 1.304 zyrtarë të lartë të Kosovës posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorte.