Vetëm 19 % e pronës në Kosovë është e regjistruar në emër të dy bashkëshortëve

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet për gratë në biznes dhe zotërimin e pronave nga gratë.

Plator Gërdovci, drejtor i Bujqësisë në Komunën e Prishtinës, tha se shifra prej 19% është shumë e vogël dhe se këtu ndikon edhe mentaliteti i kosovarëve, pse kaq pak prona janë të regjistruara në emër të grave.

“Mendoj që prej rrethanave të cilave kemi ardhë si shoqëri, paragjykimet dhe historisë prej nga vijmë, ndikojnë në këtë përqindje. Ky numër kaq i vogël i grave që kanë prona në emër të tyre shkakton edhe probleme të tjera, si p.sh. grantet në bujqësi” – ka thënë Gërdovci.

Ai ka renditur edhe tri arsye të tjera të cilat, sipas tij, po shkaktojnë një pabarazi në qasjen e fondeve publike.

“Mungesa e informimit, mospasja e pronës në emër të tyre, ndikon që gratë të mos aplikojnë për grante publike. Edukimi është një gjë tjetër e rëndësishme që po ndikon në këtë pabarazi” – ka thënë më tej Gërdovci.

Komuna e Ferizajt renditet e dyta pas kryeqytetit sa u përket statistikave për regjistrimin e pronësisë në emër të përbashkët nga bashkëshortët.

Balton Derguti, drejtor i Zhvillimit Ekonomik në këtë Komunë, ka thënë se pavarësisht kësaj nuk janë të kënaqur pasi që nuk është numër i mjaftueshëm për ta barazuar çështjen pronësore.

“Ka shumë faktorë që kanë ndikuar në këtë përqindje. Faktori i parë mendoj që është mentaliteti, edukata dhe duke pasur parasysh që jetojmë në një vend me një zhvillim ekonomik të ulët dhe në një vend të tillë nuk ka as ngritje të vetëdijes. Në të kaluarën prindërit kanë menduar që trashëgimia u takon vetëm djemve” – ka thënë Dërguti.