Komuna e Prishtinës mbështet gratë në bujqësi

Plator Gërdovci, drejtor i Bujqësisë në Komunën e Prishtinës, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se mungesa e pronës e penalizon shumë një grua që të merret me agrobiznes.

Ai ka shtuar se Komuna e Prishtinës u ka mundësuar të gjitha grave që të aplikojnë për grante vetëm me një certifikatë familjare.

“E kemi vërejtur që është një problematikë shumë e madhe dhe mund të lërë komplet një fuqi punëtore apo kreative që të mos merret me agrobiznes”- ka thënë Gërdovci.

Drejtori i Bujqësisë ka shtuar se në Komunën e Prishtinës vetëm 10% të përfitueseve të granteve janë gra, ndërsa në Ministrinë e Bujqësisë është vetëm 5%.

“Janë 60 fermere gra që merren me bimë mjekuese aromatike. Interesi ynë ka qenë që t’i ndihmojmë ato gra dhe t’i subvencionojmë. E kemi hapur thirrjen për grante dhe kanë aplikuar vetëm 3” – ka thënë Gërdovci.

Sipas Gërdovcit, çështja e pronës dhe e informimit kanë qenë kryesoret që këto gra fermere nuk kanë aplikuar për grante.