Luljeta Aliu kërkon nga gjykata masë urgjente të sigurisë për pasurinë të cilën ajo pretendon se është krijuar gjatë martesës me ish burrin e saj

Luljeta Aliu, i ka kërkuar me padi Gjykatës së Prishtinës vendosjen urgjente të masës së sigurisë në rastin ku palë e paditur në këtë rast është ish-bashkëshorti i saj Bekim Krasniqi, me objekt kontesti përpjesëtimin e pasurisë së përbashkët.

“Edhe në seancën e kaluar ju kam lutur që të merrni masë urgjente të përkohshme…, gjersa Apeli e ka kthy në rivendosje çështjen…, jon t`u u ndërmarr veprime për me u tjetërsu…, ja u dërgova dokumentin e urbanizimit, ish dashtë me u vendos urgjentisht…. kërkoj që sot me u vendos për masë urgjente të sigurimit”- ishte propozimi i Luljeta Aliut.

Lidhur me këtë propozim të Aliut, përfaqësuesi i kundërpropozuesit Miftar Krasniqit, Granit Vokshi lidhur me propozimin, tha se nuk mund të deklarohet pa e kuptuar mirë atë.

“Për t`u deklaruar rreth një propozimi, unë fillimisht duhet ta kuptoj se cili është propozimi, propozuesja këtu kërkon masë urgjente për të cilën unë nuk e kam idenë se çka është ajo në kuptim të LPKS, andaj në mënyrë që të deklarohem rreth këtij propozimi fillimisht më duhet që ta kuptoj, e për këtë kërkoj nga gjykata që t`i kërkoj propzueses sqarime të mëtutjeshme se për çka e ka fjalën”- tha Vokshi.

Kundër këtij propozimi ishte edhe përfaqësuesi i Bekim Krasniqit, Murat Paçarada, i cili tha që vendosja e kësaj mase është cenim i të drejtës së pronësisë.

“E kundërshtoj nga fakti se vendosja e çdo mase, është cenim i të drejtës së pronësisë pa u vërtetu me prova”- tha Paçarada.

Përndryshe me të filluar seanca, Aliu njoftoi gjykatën që përfaqësuesi i saj ligjor nuk mund të jetë prezent në gjykim dhe se qëndrimi i saj ishte që të vazhdonte seanca edhe pa praninë e përfaqësuesit.

E njëjta gjykatës i kishte propozuar që si prova të administrohen dy CD që në to ka videoincizime, prova për pronë të përbashkët, biseda ku flitet për shtëpi, biseda për të arritur marrëveshje.

Sipas Aliut me këto prova do të dëshmohej që pronat për të cilat po kërkon vendosjen e masës së sigurisë, janë prona të përbashkëta.

Ndërsa përfaqësuesit e kundërshtarëve të propozimit kërkuan që këto prova të mos merren parasysh, e nëse të njëjtat aprovohen për administrim të njëjtit propozuan që seanca e sotme të shtyhet me qëllim të analizimit të provave.

Gjykata pas propozimit të përfaqësuesve ligjor të kundërshtarëve të propozimit mori aktvendim për ta ndërprerë seancën dhe e njëjta u caktua të mbahet më datën 4 prill të këtij viti.

Sipas padisë së vitit 2017 Luljeta Aliu kishte parashtruar padi në Gjykatën e Prishtinës kundër ish bashkëshortit të saj Bekim Krasniqi.

Padia e parashtruar nga Aliu ka për objekt kontesti përpjesëtimin e pasurisë së përbashkët mes saj dhe burrit të saj e ku vlera e kontestit është 3 mijë e 100 euro.

Përmes kësaj padie Aliu kishte kërkuar nga gjykata që të obligoj ish-bashkëshortin e saj, Bekim Krasniqi, të pranojë që pasurinë e patundshme të specifikuar si në padi, paditësja ta regjistroj në emër të saj në ½ pjesë ideale pranë DGJKP-së në Graçanicë.

Tutje e njëjta përmes padisë ka kërkuar nga gjykata që të caktohet masa e sigurisë dhe të obligohet Krasniqi që pasurinë e paluajtshme të specifikuara si në padi të mos e tjetërsoj apo ta vë në hipotekë, ta jap me qera apo çfarë do forme tjetër.

Luljeta Aliu kishte zgjeruar padinë më vonë edhe ndaj Miftar Krasniqit ku me këtë padi kishte kërkuar nga gjykata që të caktohet masa për siguri, dhe të i ndaloj Krasniqit që pronat t`i jap me qira apo t`i ngarkojë me çfarë do barre.