Komuna e Ferizajt ndan 100 mijë euro grante për gratë që kanë biznese

Balton Dërguti, drejtor i Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Ferizajt, në emisionin “Kallxo Përnime”, ku u diskutua rreth të drejtës së grave në trashëgimi, ka thënë se në këtë Drejtori ka më pak pengesa për të fituar grante për biznes.

Dërguti ka shtuar se për aplikimin për grante në këtë Drejtori nuk kërkohet posedimi i pronës apo lokal biznesi.

“Ne këtë vit i kemi ndarë 100 mijë euro për grante për biznese. Në të kaluarën ka pasur edhe kritere që përparësi kanë pasur gratë por s’ka pasur përqindje të caktuar. Tash duke e parë nevojën për mbështetje ndaj grave, kemi vendosur që këtë vit grantin për biznes ta japim 100% për gratë” – ka thënë Dërguti.

Ai ka shtuar se nga ky subvencionim do të përfitojnë 40 gra që merren me biznes në komunën e Ferizajt.

“Ato gra që do të përfitojnë nga ky subvencionim kanë kërkuar pajisje prodhuese e përpunuese në vlerë prej 2,500 euro, që do të jetë një ndihmesë shumë e mirë për to që të munden të zhvillojnë biznesin e tyre” – ka thënë Dërguti.