Ilustrim

Një dekadë pa reformë zgjedhore

Janë bërë një dekadë prej kur në Kosovë është iniciuar reforma zgjedhore.

Kjo reformë e cila do të duhej të përmirësonte procesin zgjedhorë, duke certifikimi i kandidatëve, listën e votuesve, votimin e diasporës, afatet kohore, financimin e partive politike, ka mbetur peng e vullnetit politik, sipas njohësve të sistemit të zgjedhjeve në Kosovë.

E që nga ajo kohë, Kosova anipse pa reformë zgjedhore ka mbajtur 4 palë zgjedhje parlamentare e dy palë zgjedhje për Kuvende komunale si dhe disa zgjedhje në komuna të caktuara kur kryetarët kalonin në ekzekutiv.

Nga qeveria Kurti 2, njohësit e sistemit të zgjedhjeve në Kosovë presin hapa konkret për finalizimin e një procesi që ka filluar që nga viti 2011.

E për hapat konkret që do të merren, KALLXO.com ka dërguar pyetje në zyrën e kryeministrit, mirëpo të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje.

Mungesa e vullnetit politik që po përsërit të njëjtat probleme në zgjedhje

Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare Demokraci Plus (D+), Valmir Ismaili në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se reforma zgjedhore asnjëherë nuk ka qenë prioritet i vërtetë i subjekteve politike.

“Reforma zgjedhore është bërë temë zakonisht gjatë periudhave zgjedhore kur edhe jemi ballafaquar me mangësitë e ligjit. Vetëm në këto rrethana partitë politike e kanë përmendur reformën zgjedhore si nevojë për të shmangur defektet në proces zgjedhor”, ka thënë ai.

Edhe Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) vlerëson se vonesa prej një dekade ka ndodhur për shkak të mungesës së vullnetit politik.

“Çështja e reformës zgjedhore është aktualizuar dhe përdorur vetëm në prag të proceseve zgjedhore, për përfitime politike. Po ashtu, për shkak të polarizimit dhe përplasjeve pozitë-opozitë, është krijuar një frymë mosbesimi e mosbashkëpunimi, që ka ndikuar në një hezitim të partive për t’i hyrë procesit të reformimit përmbajtjesor të sistemit zgjedhor, duke u koncentruar kryesisht tek përmirësimet teknike”, ka thënë Cakolli për KALLXO.com.

Për Valmir Ismailin nga D+, mungesa e reformës po bënë që në zgjedhje në Kosovë të përsëriten problemet e njëjta.

“Certifikimin e kandidatëve, listën e votuesve, votimin e diasporës, afatet kohore, financimin e partive politike, etj. Pra, përkundër përparimit në menaxhim të procesit zgjedhore nga KQZ dhe akterë tjerë të përfshirë në proces, mos ndryshimi i ligjeve përkatëse e ka kufizuar avancimin e mëtutjeshëm të këtij procesi”, tha ai.

Eugen Cakolli nga KDI, vlerëson se një reformë e mirëfilltë do të shmangte jo vetëm problemet teknike por edhe do të bënte garantimin e të drejtave themelore të zgjedhjes.

Cakolli për KALLXO.com ka përmendur disa elemente të cilat sipas tij janë esenciale për përmirësimin e zgjedhjeve në Kosovë.

“Votimi preferencial për zgjedhjet parlamentare duhet të reduktohet, pragu zgjedhor duhet të rikategorizohet, mënyra e zgjedhjes së Presidentit të rishqyrtohet, ndarja në zona zgjedhore, që duhet të paktën të trajtohet si opsion, mandati i kryetarëve dhe nënkryetarëve të komunave, vota automatike për bartësin e listës për zgjedhjet e nivelit lokal duhet të hiqet, afatet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme apo jashtëzakonshme”, tha ai.

Cakolli ka përmendur edhe ndryshimet në kuptim të organizimit dhe administrimit të zgjedhjeve, duke filluar nga adresimi i problemeve me financimin e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre gjatë fushatës, listat zgjedhore dhe përfaqësimi i barabartë gjinor.

“Duhet të rishikohet e drejta e vendimmarrjes së KQZ-së në kohë zgjedhjesh, çështja e numërimit të votave e cila duhet të avancohet, performanca e stafit zgjedhor e cila duhet të jetë subjekt i kontrollit të kualitetit, identifikimi biometrik i votuesve, votimi jashtë vendit i cili duhet të rishikohet në tërësi, dizajni i fletëvotimit i cili duhet të përmirësohet”, tha ai.

Prioritet për qeverinë dhe gjithëpërfshirje të spektrit politik

Dita e dy prillit 2021 në Kosovë përfundoi me një mbledhje të vonshme të kabinetit qeveritar.

Kjo mbledhje kishte vetëm një pikë të rendit të ditës, ndryshimin e Ligjit të Zgjedhjeve sipas të cilit do t`i mundësohej diasporës që të votojnë nëpër ambasadat kosovare.

Kjo iniciativë e qeverisë, u vlerësua si e ngutshme dhe presion ndaj opozitës e cila dy ditë më vonë do të duhej të votonte ose jo në zgjedhjen e presidentes Vjosa Osmani.

Dështimi për zgjedhjen e presidentit do të prodhonte zgjedhje të reja në vend. Një ditë më vonë, qeveria u tërhoq nga ndryshimi i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

E Kurti, pasi që ishte tërhequr nga Ligji për Zgjedhjet, kishte dërguar një mesazh të ri për opozitën, një pjesë e së cilës kishte deklaruar se nuk e voton Vjosa Osmanin për presidente.

“Ata që nuk e duan Presidenten, që kanë bërë e po bëjnë luftë speciale kundër saj, mund ta çojnë vendin në zgjedhje. Me zgjedhjen e tyre ata i kanë zgjedhjet në dorë: ose mbi 80 vota në kuti për Vjosa Osmanin, ose mbi 500 mijë vota në kuti për Lëvizjen Vetëvendosje”, pati shkruar Kurti në facebook.

Dërgimi i këtij projektligji ka qenë premtim i Kurti në fushatën zgjedhore.

“Njëri prej projektligjeve të para që ne do të sjellim në Kuvendin e Republikës do të jetë që mërgata jonë të votoj në Ambasada dhe konsullata, kështu që nëse përsëriten zgjedhjet, do të jetë më ndryshe” , ka thënë Kurti në debatpernime.

Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare Demokraci Plus (D+), Valmir Ismaili ka thënë që pret nga qeveria Kurti dy që reforma zgjedhore të bëhet prioritet, duke mos u kufizuar vetëm tek votimi i diasporës.

“Nuk do të duhej që kjo temë të kufizohej vetëm në ligjin për votimin e diasporës por të ketë një reformë më të gjerë që përfshin edhe temat e sipërpërmendura. Po ashtu, procesi i reformës zgjedhore kërkon një gjithë përfshirje të gjithë spektrit politik dhe akterëve tjerë, përfshirë edhe shoqërinë civile”, tha Ismaili.

E hulumtuesi nga KDI, Eugen Cakolli ka thënë se pret jo vetëm nga shumica parlamentare por edhe nga secili subjekt politik, hapa konkret për inicimin e këtij procesi.

“Reforma zgjedhore duhet në radhë të parë të mos parcializohet për tema të caktuara, por të jetë një proces që adreson të gjitha elementet e sistemit zgjedhor. Së dyti, reforma duhet të bazohet në parimet e gjithëpërfshirjes, duke marrë për bazë qëndrimet e partive opozitare, shoqërisë civile dhe akterëve tjerë, si dhe transparencës ndaj publikut”, ka theksuar ai.