Foto: Albert Krasniqi/ Facebook

Albert Krasniqi: Duket i pamundur një konsensus për zgjedhjen e Presidentit

Partitë politike në Kosovë vështirë se do të mund të gjejnë një kandidat konsensual për pozitën e presidentin të ardhshëm të Kosovës.

Kështu vlerëson njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Albert Krasniqi, i cili është pjesë e organizatës joqeveritare “Demokraci Plus”.

Ai thotë për KALLXO.com se në këtë drejtim, duket që subjektet politike janë dorëzuar dhe se duket e pamundur që mund të prodhohet një kandidat konsensual.

Krasniqi ka shtuar se përpjekjet do të duhej të ishin që të kishte një kandidat që ka një përkrahje më të gjerë.

“Normalisht, përpjekjet e partive politike do të duhej të ishin në drejtim të gjetjes së një kandidati konsensual për president të vendit, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme dhe të kishte një kandidat  për president i cili do të mund të gëzonte një përkrahje më të gjerë”, theksoi ai.

Analisti politik konsideron që ky është një momentum i përshtatshëm për të gjitha partitë politike që të zgjedhin një president konsensual.

“Kjo për shkak se asnjëra prej forcave politike në Kosovë nuk e ka fuqinë që të imponojë një kandidat të tillë dhe kështu do të duhej, pra që ky kandidat për president të zgjidhet vetëm në bazë të një konsensusi më të gjerë. Çfarëdo konstelacioni tjetër politik që mund të dalë pas zgjedhjeve do të rritë gjasat që të ketë president i cili prapë do të vijë nga ndikimet e mëdha të partive politike mbi të ose nëse veç nuk do të jetë ndonjëri prej kryetarëve aktual të partive politike”, vlerëson ai.

Por, sipas Krasniqit, konsensusi duket të jetë e pamundur që të ndodhë aktualisht.

“Përbrenda legjislaturës ekzistuese po duket e pamundur dhe prej asaj që po shohim, deklarimet e liderëve të partive politike dhe anëtarëve të tjerë të partive politike po duket që veç ka një dorëzim në këtë drejtim, që nuk mund të prodhohet një kandidat konsensual”, shtoi ai për KALLXO.com.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ende nuk ka ndonjë datë konkrete se kur pritet të mbahet tryeza me partitë politike vendore për të diskutuar për çështjen e presidentit të ardhshëm.

Tryeza ishte paralajmëruar ditë më parë, nga kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti. Ky i fundit, të hënën ka deklaruar se nëse nuk do të ketë zgjidhje mes partive politike për çështjen e presidentit, vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

Pas dorëheqjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, nga 5 nëntori i këtij viti detyrën e presidentes është duke e ushtruar kryeparlamentarja Vjosa Osmani, e cila nuk mund të qëndrojë në këtë pozitë më shumë se gjashtë muaj.

Ndërkohë, disa nga subjektet politike kanë shfaqur ambiciet që emri i presidentit të vijë nga radhët e tyre.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), janë shprehur të gatshëm që t’u bëjë ftesë subjekteve politike për të diskutuar për postin e presidentit.

Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka ndarë mendjen muaj më parë që kandidati i tyre për president të jetë Ramush Haradinaj, aktualisht kryetar i kësaj partie politike.

Synimin për pozitën e kreut të shtetit e ka bërë publik edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nga e cila kanë thënë se nuk kanë vota për asnjë kandidat tjetër që nuk vjen nga PDK.

Kurse, Lëvizja Vetëvendosje duke kërkuar më ngulm mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, ka deklaruar se presidenti mund të zgjidhet pasi të zgjidhet qeveria e re.

Lidhur me qëndrimin e LVV-së, Albert Krasniqi (D+) thotë se ‘barrikadimi’ i këtij subjekti politik e bën të vështirë që të ketë zgjidhje për Presidentin.

“Këtë e bën të vështirë edhe barrikadimi i Lëvizjes Vetëvendosje për të pasur zgjedhje të presidentit vetëm një legjislaturë të ardhshme, dhe po ashtu qëndrimet e tjera të partive politike që po insistojnë që këto pozita t’i mbajnë vetëm për vete, pavarësisht fuqisë së tyre elektorale”, shprehet ai.

Krasniqi shton se ajo çfarë shihet nga të gjitha partitë politike, është se për to nuk është shumë me interes emri, ose kriteret të cilat duhet t’i plotësojë një kandidat për president, por më shumë kush do të jetë ai, cila parti do ta marr këtë post.

“Kjo po jep pak pesimizëm që kushdo që do të zgjidhet, pavarësisht a do të zgjedhet në legjislatura të ardhshme, do të përfundojnë me një kandidat për president i cili do të jetë jo i përshtatshëm në aspektin e kredibilitetit, lobimit në politikën e ardhshme, me integritet”.

“Po na lë një shije të keqe se si do të rrjedhë i gjithë procesi, pavarësisht se kur do të ndodhë”, shtoi analisti politik.

Kushtetuta e Kosovës e përcakton se presidenti i vendit nuk duhet të ushtrojë ndonjë funksion tjetër politik si dhe duhet të përfaqësojë unitetin e popullit.

Sa i përket mundësisë që të ketë ndërhyrje nga jashtë në këtë proces, Albert Krasniqi (D+) thekson se ka shumë ndasi të mëdha ndërmjet skenës politike në vend dhe se do të ishte e vështirë të përcaktohej se kush do të mund të kishte ndikim në këtë mes.

“Qysh po e shohim partitë politike në Kosovë kënaqen vetëm me pozita dhe me pushtet dhe nuk kanë shumë interesim për të bërë konsensuse tjera që mund të jenë në interes të vendit”, përfundoi ai.