Selia e OShP-së. Foto: Kallxo.com

OShP mbetet pa Bord

Nga sot, 31 mars 2021, nuk mund të shqyrtohet asnjë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP), pasi bordit të këtij organi i skadoi mandati. Për shkak të rrezikut të përsëritjes së situatës së viteve 2013-2014, të pamundësisë të shqyrtimit të ankesave të operatorëve ekonomik dhe mundësisë të nënshkrimit të kontratave të dëmshme nga autoritete kontratkuese, organizata Demokraci Plus i bën thirrje Qeverisë që sa më parë t’i përmbyll konkurset dhe t’i dërgoj emrat Kuvendit.

Përmes komunikatës për media Demokraci Plus bën me dije se ditën e djeshme me datë 30 mars 2021 ka skaduar mandati bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP).

“Mandati i bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit ka skaduar dje më 30 mars 2021. Demokraci Plus kërkon nga Qeveria e Kosovës që të përmbyllë procesin e konkursit për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, i cili është hapur më 12 janar 2021 dhe të konkursit të hapur më 8 prill 2019. Qeveria e Kosovës duhet të dërgojë sa më parë nga dy të propozuar për secilën pozitë, në mënyrë që Kuvendi i Kosovës të formojë Organin e Pavarur Përzgjedhës e pastaj të procedojë me votim”, thuhet në komunikatë.

Sipas organizatës Demokraci Plus nga data 31 mars mund të shqyrtohen ankesa e operatorëve ekonomik ndaj autoriteteve kontraktuese lidhur me tenderët.

Në komunikatë përmendet periudha e muajit korrik 2013 deri në mars 2014 ku rreth 7 muaj ishin grumbulluar ankesa dhe bordi i ri nuk i shqyrtoi për shkak të kalimit të afatit ligjor prej 34 ditësh për marrjen e vendimit.

Demokraci Plus e sheh si rrezik që situata të përsëritet dhe operatorët ekonomik nuk kanë ku të ankohen ndërsa autoriteti kontraktuese mund ta keqpërdorin situatën për të nënshkruar kontrata të dëmshme.

Prandaj, Demokraci Plus i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që sa më parë të përmbyllë konkurset e hapura dhe të dërgojë në Kuvendin e Kosovës nga dy emra për secilën pozitë të anëtarit të bordit të OSHP-së. Kuvendi i Kosovës në momentin që pranon emrat të themelojë sa më parë Organin e Pavarur Përzgjedhës dhe të hedhë në votim emrat e propozuar. Të gjitha këto veprime duhet të bëhen sa më parë në mënyrë që të ketë sa më pak shkëputje dhe operatorëve ekonomik të mos ju mohohet e drejta e ankesës.

Bordi aktual i OSHP-së sipas Ligjit për Prokurimin Publik ka një mandat pesë vjeçar pa pasur mundësi për rizgjedhje