Zhvillimi teknologjik ka rritur hapësirën për dezinformim në ambientin mediatik

Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) mbajti konferencën për Integritetin e Informacionit ‘DISICON’ nën temën e përgjithshme “Cenueshmëritë e qytetarëve ndaj dezinformimit”.

Fokus i diskutimit ishte edhe tranzicioni i mediave nga ato të shkruara në rrjete sociale dhe shpërndarja e madhe e lajmeve të rreme.

Jeton Mehmeti, nga Komisioni i Pavarur për Media tha se në 13 vitet e fundit në Kosovë ka ndodhur ndryshim i madh në skenën mediale.

Sipas tij, sfida më e madhe është fakti që informacione shpërndahen edhe nga shumë persona jo profesionistë.

“Në 13 vitet e fundit kemi parë ndryshim të madh në skenën mediale por edhe të asaj që quajmë media. Kemi kaluar në atë se sa vibrante janë informacionet në një vend, fokusi është në atë se sa është kualitativ informacioni që pranohet. Tani jemi para një sfide më të madhe pasi informacioni  shpërndahet nga ata që janë profesionistë dhe ata që nuk janë, e këtë dallim qytetarët shpesh nuk dinë t’a bëjnë”- tha ai.

Derisa, Albana Rexha, analiste në Democracy Plus tha se cënimi prej keqinformimit nis qysh prej mos rezistencës individuale deri tek mungesa e kornizës institucionale për mbrojtje.

“Cenueshmëria më e madhe qëndron tek mungesa e rezistencës individuale ndaj dezinformimit, mungesa e përfshirjes së edukimit mediatik në shkolla si dhe mungesa e kornizës institucionale për mbrojtje nga sulme kibernetike”- tha Rexha.

Kurse, qëndrueshmëria është më e lartë, sipas Albana Rexhës, është në besimin e lartë tek narrativa e pro SHBA, BE, NATO, edhe pse ka dallime në etnitë tjera.

Rexha potencoi se niveli më i lartë i denizformatave është tek dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nivelin më të lartë të dezinformatave e gjenë tek dialogu me Serbinë dhe tema e Asociacionit. Kosova qëndron më mirë se Serbia e Mali i Zi, për shkak të lidhjeve të këtyre të fundit me Rusinë e Kinën”- shtoi ajo.

Agon Maliqi, bashkëthemelues i organizatës ‘SBunker’ tha se mediat dhe dezinformatat janë instrument përmes së cilit është shënjestruar rajoni.

“Mediat dhe dezinformatat janë instrumenti përmes të cilit vendet e rajonit por edhe Kosova janë shënjestruar. Një brishtësi që kemi në fushën mediatike është ajo për zhvillimet që ndodhin përtej nesh”- tha ai.

Sipas Maliqit, ndikimi i Rusisë dhe Kinës në këtë rajon ka synime të ndryshme.

“Aktorë të ndryshëm që kanë synuar këtë rajon kanë synime të ndryshme, Rusia është e qartë për të penguar marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, për ta mbajtur rajonin peng në integrimin evropian, Kina nuk është shumë prezente në Kosovë por vende tjera po. Turqia shfaqet më shumë në nivel të kontestimit të vlerave perëndimore”- shtoi ai.

Agon Maliqi më tej shtoi se në Kosovë nuk është shumë e qartë se prej nga vjen ndikimi dhe se ka media që marrin lajme nga Serbia me synim për destabilizim.

“Në Serbi është shumë e qartë se prej nga vjen ndikimi, derisa në Kosovë jo, vjen më shumë si e tërthortë. Shumë media pastaj bëjnë fryrje të informatave, kryesisht edhe për Clickbait për shkak të financimit. Në Kosovë arrijnë lajme që kanë synim destabilizues siç janë ato të Serbisë që njihen si media të pushtetit”- shtoi ai.

Ai pëmendi edhe rastet kur në rrjetet sociale shpërndahen lajme për të frikësuar zëra kritik që mundohen t’i sfidojnë narracionet e rreme. Sipas tij, ky trend është shumë prezent në profile e faqe në rrejtin Twitter.

Derisa, Besa Luci nga Kosovo 2.0 tha se informacioni është një lloj arme që përdoret për interesa të ndryshme.

Sipas saj, ndryshimi i madh mediatik në dekadën e fundit shumë media i ka gjetur të papërgatitura.

“Informacioni sot është kthyer në një lloj arme që përdoret nga qeveritë, korporatat e ndryshme, grupe të interesit. Ndryshimi teknologjik e ka shumëfishuar ambientin e keqinformimit, kjo ndërlidhet shumë me atë se si është skena mediatike në Kosovë. Ky ndryshim shumë media i ka gjetur të papërgatitura”- tha ajo.

Luci potencoi se cilësia e gazetarisë ka shënuar rënie pasi nuk ka shkallë të lartë të gazetarisë profesionale.

“Cilësia e gazetarisë ka rënie viteve të fundit edhe për shkak që nuk kemi shkallë të lartë të gazetarisë profesionale. Dezinformimi është i qëllimshëm, derisa gazetaria joprofesionale mund të ndodhë edhe si rezultat i mangësisë së njohurive”- tha ajo.

Sa janë të cenuar qytetarët e Kosovës nga dezinformimi, D+ dhe KDI dalin me raport

(Shënim: Lajmi është edituar për shkak të një gabimi tek shkurtesa NDI – Ora e ndryshimit 11:24 – 30.11.2022)