Demokraci Plus: Emërimet e konsujve pa koordinim institucional ndikojnë negativisht në marrëdhëniet e Kosovës

Organizata joqeveritare Demokraci Plus (D+), ka reaguar në lidhur me zhvillimet e fundit në Shërbimin e Jashtëm.

Sipas D+, zhvillimet e fundit lidhur me emërimet e Konsujve të Përgjithshëm të Kosovës, po shpërfaqin edhe njëherë dështimin sistematik të politikës së jashtme.

D+ tha se mungesa e koordinimit ndërmjet Zyrës së Kryeministrit me Ministrinë e Punëve të Jashtme, por edhe ndërmjet Qeverisë me Presidencën, dëmton rëndë funksionimin efikas të misioneve të Kosovës jashtë vendit, ndërsa ka shtuar se emërimet e Konsujve të Përgjithshëm në kundërshtim me zakonet diplomatike, ndikojnë negativisht në marrëdhëniet e Kosovës me këto shtete.

“Vendi ynë ka mbetur i pa përfaqësuar me ambasadorë në vendet kryesore, në kohën kur po përballemi me një luftë të ashpër diplomatike të Serbisë. Duke analizuar situatën e shfuqizimit të katër (4) dekreteve nga ana e U.D. Presidentes së Republikës, Dr. Vjosa Osmani-Sadriu, D+ vlerëson se janë kryer shkelje nga të gjitha palët e përfshira në këtë proces. Shkelja e parë është bërë nga Presidenti Thaçi, me dekretimin e Konsullit të Përgjithshëm në Tiranë. Në këtë rast Presidenti Thaçi ka bërë shkelje të trefishtë, duke dekretuar Konsullin e Përgjithshëm pa koordinim paraprak me Ministrinë e Punëve të Jashtme (Ligji nr. 03/L-207, Neni 7 pika 10), duke i zgjatur mandatin në kundërshtim me ligjin (Ligji nr. 03/L-207, Neni 7 pika 8), dhe duke mos përfillur propozimin e Qeverisë për përfundim të mandatit ashtu siç përcakton Kushtetuta (Neni 84 pika 25)”, thuhet në komunikatën e D+.

Sipas Demokraci Plus (D+), në tri dekretet e tjera të lëshuara nga ana e U.D. Presidentes Osmani-Sadriu, bëhet fjalë për lirimin nga detyra të tre personave të emëruar në pozitat e Konsujve të Përgjithshëm në ato qytete ku Republika e Kosovës vetëm se ka përfaqësim diplomatik (Ambasada), konkretisht në Shkup, Lubjanë dhe Pragë. Këto tri dekretime janë bërë me rekomandim nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe me dekret nga ana e Presidentit Thaçi. Megjithatë, nga të dhënat publike, këto dekretime janë bërë në vendet ku Kosova nuk ka themeluar Konsullata të Përgjithshme dhe nuk ka marrë pëlqimin e vendeve pritëse, që është në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore (Neni 10 dhe 12).

Gjithashtu, D+ konsideron se edhe U.D. Presidentja Osmani-Sadriu, përmes shfuqizimit të dekreteve ka ndaluar shkeljen e Konventës së Vjenës, por që këtë është dashur ta bëjë në koordinim me Qeverinë, ashtu siç e përcaktuat Kushtetuta (Neni 84 pika 25) tek kompetencat e Presidentit se “emëron dhe shkarkon shefat e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës me propozimin e Qeverisë’. Presidenti nuk mund të bëj emërime apo shkarkimet pa qenë të bazuara në një propozim të Qeverisë. Kjo mund të përbëjë një precedent të keq në të ardhmen.

“D+ kërkon maturi nga të gjitha palët, koordinim ndër-institucional dhe zbatim rigoroz të legjislacionit vendor dhe zakoneve diplomatike ndërkombëtare që rregullojnë fushën e Shërbimit të Jashtëm. Me të tilla veprime, Republika e Kosovës del jo-serioze në arenën ndërkombëtare dhe tregon papjekuri në një periudhë kur asaj i duhet mbështetje ndërkombëtare në periudhën e vështirë nëpër të cilën po kalon”, përfundon komunikata.