D+ reagon ndaj mbledhjeve të mbyllura për media të komisioneve parlamentare

Organizata ‘Demokraci Plus’, ka reaguar ndaj mbledhjeve të mbyllura për media që po mbahen nga komisionet paralamentare.

“Përhapja e pandemisë Covid-19 edhe në vendin tonë ka vështirësuar punën e institucioneve, në veçanti të Kuvendit të Kosovës. Legjislativi ka reduktuar ndjeshëm aktivitetet e tij edhe si pasojë e shkarkimit të Qeverisë. Përkundër kësaj, disa komisione parlamentare kanë mbajtur mbledhje gjatë kësaj periudhe kryesisht për të diskutuar për masat e ndërmarra nga Qeveria dhe institucionet tjera shëndetësore. Nuk kanë munguar as mbledhjet në mënyrë virtuale, të cilat D+ i inkurajon si formë gjatë kësaj periudhe të pandemisë”, thuhet në reagimin e tyre.

D+ ka thënë se nuk është e pranuneshme zhvillimi i mbledhjeve të komisioneve parlamentare pa praninë e mediave dhe publikut.

“Transparenca është obligim i institucioneve publike për të shkëmbyer informata me qytetarët. Në të kundërtën, pamundësohet llogaridhënia. Ne e kuptojmë që komisionet parlamentare duhet të respektojnë masat distancës sociale dhe të shmangin koncentrimin e shumë personave në një sallë,  mirëpo kjo nuk është arsye e mjaftueshme për të pamundësuar qasjen e plotë në informata të mediave dhe publikut”, është thënë më tej.

Ata kanë kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që t’i mundësojë transmetuesit publik të regjistrojë dhe shpërndajë me mediumet e tjera mbledhjet e komisioneve, në mënyrë që publiku të ketë informacionet e nevojshme nga puna e përfaqësuesve të tyre.

“Një mundësi tjetër që Kuvendi mund të konsiderojë është transmetimi i drejtpërdrejtë i mbledhjeve të komisioneve parlamentare në faqet zyrtare të Kuvendit në internet, ashtu siç vepron me seancat plenare. Po ashtu, edhe mbledhjet të cilat mbahen në mënyrë virtuale, videot e këtyre mbledhjeve duhet të publikohen”, thuhet në përfundim të reagimit.

Disa komisione parlamentare që janë mbajtur gjatë pandemisë, sic janë Komisioni për të Drejtat e Njeriut ditë më parë dhe sot Komisioni për Legjislacion kanë qenë të mbyllura për media.

Anëtarët e këtyre komisioneve kanë folur për media pasi është përfunduar mbledhja.