Oxhak i një termocentrali me qymyr | Foto: Flickr

Kosova e Vogël Përballë Dilemës së Madhe Energjetike

Pothuajse të gjithë pajtohen se Kosova, me 1.8 milionë banorë dhe një prej niveleve më të larta të papunësisë në Evropë, ka nevojë urgjente për energji.

Pyetja është sesi mund të prodhohet ajo pa i shkaktuar edhe më shumë dëm një vendi që përballet me nivele të tmerrshme ndotjeje – dhe që i duhet të bëjë zgjedhjen e vështirë mes përdorimit të burimeve energjetike të së shkuarës apo të vendosë për ato të së ardhmes.

Çështja në diskutim është një termocentral me qymyr prej 1 miliard eurosh, i mbështetur nga Banka Botërore, që Kosova ka kaluar më shumë se një dekadë duke u munduar të ndërtojë. Ky projekt parashikon të sjellë dy gjëra që vendi nuk i ka dhe i nevojiten medoemos: energji dhe zhvillim ekonomik.

Gjatë periudhës në fjalë, veprimtarët mjedisorë dhe shumë ekspertë të energjisë kanë luftuar për ta bllokuar ndërtimin e termocentralit, duke argumentuar se energjitë më të pastra janë bërë shumë më të lira gjatë viteve të fundit aq sa do të ishte më mirë për këtë vend të varfër që të ndërtonte ferma eolike dhe panele diellore për të përmbushur mungesat në energji.

Banka Botërore pritet të vendosë këtë vit nëse do ta financojë termocentralin e fundit me qymyr në rrjetin e saj botëror të projekteve apo ta braktisë këtë nocion dhe të përqafojë larminë e alternativave më të pastra energjetike.

Mbështetja e Bankës Botërore është jetike sepse mund të sabotojë pjesën më të madhe të financimit për projektin. Një zëdhënës i Bankës Botërore nuk pranoi të japë afate apo të thotë se nga cila alternativë po anonte banka.

Çka ndodh në Kosovë ka rëndësi jo thjesht për njerëzit atje, të cilët do të donin t’i ngjiteshin shkallës së zhvillimit dhe të gëzonin stilin e krahasueshëm të jetesës së vendeve të pasura nga aspekti i energjisë, siç janë Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia.

Kjo sepse suksesi i cilitdo shteg që do të zgjedhë mund të formësojë mendimin e politikë bërësve që mundohen të gjejnë sesi të sjellin rrymë për më shumë se 1.2 miliardë njerëz në botë që nuk kanë qasje, pa shkaktuar dëm mjedisor. Është një sfidë që përndjek bankat ndërkombëtare, kompanitë e energjisë dhe qeveritë nga Amerika Latine në Afrikë dhe në Azinë Juglindore. Kosova mund të ofrojë një dritare ndaj një rruge të mundshme përpara.

Por, pikësëpari, asaj i duhet të kuptojë sesi ta sigurojë këtë energji. Vendi ka më pak kapacitete gjeneruese të rrymës sesa Shqipëria apo Zambia, ndaj nuk ka mjaftueshëm energji për të fuqizuar ekonominë, parandaluar ndërprerjet në furnizim apo për të tërhequr investime të huaja. Situata do të përkeqësohet vitin që vjen: Termocentrali më i vjetër në vend, i njohur si Kosova A, duhet të dekomisionohet sepse është një nga më ndotësit në të gjithë Evropën.

Për ta zëvendësuar, qeveria e Kosovës, Banka Botërore dhe një kompani amerikane ContourGlobal, po synojnë ndërtimin e një termocentrali të ri me qymyr, që kap një vlerë mbi 1 miliard dollarë, si dhe një sërë masash për ta ndihmuar Kosovën që ta përdorë energjinë që ka në mënyrë me efiçiente.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry diskutuan bashkërisht për mundësitë e termocentralit të ri me qymyr në fund të vitit që shkoi, me Kerrin që e quajti projektin një “shembull i rëndësishëm i çka mund të bëjmë bashkë”.

Mbështetja ndërkombëtare për një termocentral të ri me qymyr, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara, bie ndesh me advokimin përherë e më të fortë të administratës Obama për zgjedhje të pastra energjetike. Të martën në një konferencë për energjinë e pastër në Nju Jork, Kerry kritikoi varësinë e vazhduar ndaj burimeve të vjetra të energjisë si qymyri dhe i bëri thirrje botës të “shfrytëzonte fuqinë e burimeve të pastra, të rinovueshme si dielli dhe era dhe oqeani”.

Ashtu si paraardhësit e tij, termocentrali i ri, me kreativitet i emëruar Kosova C, do të djegë linjit, kushëririn e dobët, të thërrmueshëm, ngjyrë kafe dhe toksik të qymyrit. Ndër të paktat gjëra që Kosova ka me bollëk janë miliarda ton linjiti të varrosura nën dhe.

Por shumë nga pjesa tjetër e Evropës, me pak përjashtime, po lëvizin larg qymyrit dhe drejt alternativave më të pastra të energjisë. Belgjika u bë vendi i shtatë i BE-së që e hoqi qymyrin tërësisht. Kjo i bën kritikët e planit të Bankës Botërore për Kosovën që të tundin kokët në mosmiratim sepse linjiti prodhon më pak energji dhe është më i dëmshëm ndaj mjedisit se qymyri.

“Ata praktikisht po dënojnë njerëzit e varfër, të mbindotur, të keqpajisur me një sistem energjetik që është tashmë i prapambetur në Bahskimin Europian të cilit ata duan t’ju bashkohen”, tha Dan Kammen, një profesor i energjisë në Universitetin e Kalifornisë, Berkley, dhe themelues i Laboratorit për Energji të Rinovueshme dhe të Përshtatshme. “Është e qartë se diçka e tillë nuk është e mençur nga pikëpamja e energjisë, apo çlirimit të karbonit, apo integrimit në Bashkimin Evropian”.

Analiza e tij për mundësitë e energjisë për Kosovën arriti në përfundimin se një termocentral që punon me qymyr do të ishte njëherësh më i kushtueshëm dhe më i keq për mjedisin sesa të përdoreshin burime të rinovueshme energjie nga uji, dielli dhe era, si dhe të bëheshin përmirësime të mëdha në gjëra të rëndomta si efiçenca energjetike.

Analiza të tjera kanë arritur përfundime të ngjashme. Tom Sanzillo, një ekspertë në financën e energjisë në Institutin për Ekonomiksin e Energjisë dhe Analizën Financiare, një think tank që promovon energjinë e qëndrueshme, vë në pikëpyetje zgjuarsinë e marrjes përsipër të borxheve të stërmëdha dhe çmimeve më të larta të rrymës, duke dyfishuar përdorimin e pikërisht atij burimi energjie që ka shkaktuar pjesën dërrmuese të degradimit mjedisor të Kosovës. Dhe nëse termocentrali i ri është planifikuar t’i japë hov rritjes ekonomike, tha ai, Kosova dhe Banka Botërore duhet të gjejnë një manual më modern.

“Nëse ky vend dëshiron të hyjë në epokën moderne të konkurrencës makroekonomike, kjo nuk bëhet duke prezantuar një tjetër termocentral me qymyr”, tha ai. “Ko bëhet duke prezantuar përditësime në rrjetin elektrik. Bëhet me energji nga era dhe dielli. Ka të bëjë me një të ardhme moderne”.

Por edhe në vende të përparuara si Shtetet e Bashkuara, realizimi i tranzicionit në sisteme energjetike më të pastra dhe më të mençura ka qenë një zvarritje e mundimshme, e kufizuar nga kundërshtitë politike, vështirësitë ekonomike, dhe inercia tradicionale në favor të modeleve që kanë funksionuar mirë përgjatë dekadave.

Kjo është një prej arsyeve pse bankat e mëdha të zhvillimit hezitojnë t’i nxjerrin tërësisht jashtë loje lëndët e para ndotëse si opsion për vendet e uritura për energji. “Nëse kemi vështirësi për ta arritur këtë në SHBA, nuk është çudi që do ta kemi të vështirë ta arrijmë në Kosovë”, tha Kammen.

Kosova e ka futur Bankën Botërore në një pozitë të vështirë. Në vitin 2013, Banka Botërore tha se do të financonte termocentrale qymyri vetëm në raste të rralla kur nuk ekzistonin alternativa reale. Institucione të tjera, nga Thesari i SHBA-ve tek Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), kanë ndjekur të njëjtën qasje. Madje edhe Banka e Re Zhvillimore dhe Banka e Investimeve për Infrastrukturën Aziatike të udhëhequra nga Kina, janë në dilemë nëse dhe në ç’masë duhet të mbështesin termocentrale të reja me qymyr.

Banka Botërore thotë se ende po studion implikimet mjedisore dhe ekonomike të Kosovës C dhe se nuk do të marrë një vendim përfundimtar derisa të kryhen studimet. Nuk është e qartë se kur ekzaktësisht do të merret një vendim përfundimtar.

Për momentin, një zëdhënës i Bankës Botërore tha, “Ne qëndrojmë të vendosur për të ndihmuar Kosovën të gjejë zgjidhje për kufizimet e saj në energji përmes një strategjie tërësore energjetike që përfshin rritje të eficiencës energjetike, zhvillimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, dhe mbështetje për prodhim të ri elektriciteti”.

Nga Keith Johnson, botuar në Foreign Policy