Kosova përfiton nga Banka Botërore grant 9.1 milionë euro për sistemin e ujitjes

Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, Massimiliano Paolucci kanë nënshkruar sot grantin për projektin “Përmirësimi dhe Rehabilitimi i Sistemeve të Ujitjes”, në vlerë prej 9.15 milionë euro.

Sipas njoftimit, projekti synon rritjen e efiçiencës në shfrytëzimin e ujit dhe rritjen e rendimentit bujqësor në komunat e Gjakovës, Prizrenit dhe Rahovecit.

“Synohet rehabilimi dhe modernizimi i Skemës së Ujitjes Radoniqi-Dukagjini, që renditet ndër investimet prioritare të identifikuara në Master Planin për sektorin e ujitjes në Kosovë”- thuhet në njoftim.

Ndërsa, thuhet se përfitues kryesor nga ky projekt do të jenë fermerët privat që shfrytëzojnë skemat e ujitjes/kullimit, duke ofruar produkte me cilësi të lartë si për tregun e brendshëm, ashtu edhe për rajonin e Bashkimin Evropian.

Murati dhe Paolucci kanë vlerësuar bashkëpunimin e suksesshëm ndër vite, duke theksuar se investimet e tilla në sektorin e ujitjes pritet ta bëjnë sektorin bujqësor më konkurrues dhe inovativ, të bazuar teknologji e standarde moderne.

“Vlen të përmendet se fondet e këtij granti janë kontribut i Bashkimit Evropian, ndërsa administrohen nga Banka Botërore”- thuhet në njoftimin e ministrisë.