Falsifikimet historike, misteret dhe të pavërtetat e Betejës së Kosovës së viti 1389
Beteja e Kosovës e viti 1389, mbetet ngjarja më e manipuluar në historinë e popujve ballkanik, veçmas në hapësirën shqiptare dhe serbe.
Të dhënat kontradiktore që vijnë nga burimet historike që nga mesjeta, po mundësojnë që kjo betejë të interpretohet në mënyra të ndryshme, edhe në ditët e sotme.
Për historianët kosovarë, kjo betejë dhe e ashtuquajtura ‘shpërngulja e madhe serbe e viti 1690’, janë burim i shumë manipulimeve dhe mitologjive në kujtesën dhe mësimdhënien e historisë përgjatë viteve.
Ngjarje këto të cilat në vazhdimësi trajtohen në mediat ballkanike, duke u glorifikuar në njërën anë e nxitur urrejtje mes popujve.
Veçmas Beteja e Kosovës (1389) është përdorur dhe po përdoret nga shteti i Serbisë për të arsyetuar ‘të drejtën e saj historike’ mbi Kosovën.
Përplasjet në ditën betejës
Për çdo vit, në fund të qershorit, mediat si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni ashtu edhe në Serbi, vërshohen nga komente e shkrime të ndryshme rreth kësaj beteje, me konfrontime verbale e fyerje të shumta.
Një gjë e tillë u dëshmua edhe pak ditë më parë (28 qershor 2021) kur serbët shënuan 632 vjetorin e kësaj beteje në Gazimestan vend në afërsi të qytetit të Obliqit në Kosovë.
Tubimet serbe zunë hapësira qendrore në media.
Komente të ndryshme për betejën u dhanë nga historian e personalitete shqiptare, të ndryshme nga ato serbe, në medie e në rrjetet sociale.
Në një shkrim autorial të postuar në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, Jusuf Buxhovi, historian, shkrimtar e publicist, shkroi se shteti i Kosovës duhet t’i ndalojë orgjitë hegjemoniste kishtare serbe në Gazimestan.
“Shteti i Kosovës, që ta dëshmojë sovranitetin historik dhe kulturor në hapësirën e vet të lënduar dukshëm me Pakon e Ahtisarit dhe lëshimet Kishës Ortodokse Serbe, së pari duhet të ndalojë ‘haxhillëqet’ kishtare serbe në Kosovë, veçmas këtë që lidhet me shënimin e Vidovdanit”, ka shkruar Buxhovi në Facebook.
Ndërkaq, historiani serb, Dejan Ristiq (Dejan Ristić), duke reaguar ndaj një postimi të Vlora Citakut, ish-ambasadore e Republikës së Kosovës në SHBA-së, për përvjetorin e Betejës së Kosovës, që njihet si festa e “Vidovdanit”, ka thënë në mediat serbe se postimi i Çitakut ishte një përpjekje flagrante për të falsifikuar të kaluarën në botën e civilizuar.
“Prandaj, unë i rekomandoj përzemërsisht znj. Citaku që të kthehet në shkollën fillore, të lexojë përsëri librin e historisë për shtetin mesjetar serb dhe të ngrohtë karrigen mirë, pasi deklarata e saj ishte e turpshme dhe me plotë injorancë”, ka deklarua ndër të tjerash Ristiq, për mediet serbe.
Miti në shërbim të politikës
Historianët kosovarë thonë se rëndësia mediatike që i jepet kësaj ngjarjeje në media është përpjekje për të përligjur synimet e shtetit serbë për Kosovën.
Historiani Lulëzim Lajçi, ekspert i mesjetës, thotë për KALLXO.com se “Vidovdani” serb është shpikje e politikës dhe kishës ortodokse.
“’Vidovdani’ serb i datës 15 përkatësisht i 28 qershorit 1389, është shpikje e politikës dhe kishës serbe gjatë shekullit XIX, njësoj si edhe kulti i Lazarit dhe miti serb për Kosovën”, ka thënë ai.
Sipas tij, rëndësia dhe pasurimi medial që i jepet sot kësaj ngjarjeje, bëhet me qëllim gjoja që t’ i dëshmohet botës se para ardhjes së osmanëve në Ballkan, Kosova ishte tokë serbe.
Ndërkaq, Gjon Berisha, historian, ekspert i mesjetës, potencon për KALLXO.com se në historiografinë serbe, duke filluar nga shekulli XIX e në vazhdim, kjo ngjarje, është tentuar të interpretohej si vepër kryesisht e serbëve.
“Në vazhdimësi është tentuar të minimizohet kontributi dhe pjesëmarrja e shqiptarëve të Kosovës në veçanti, në përpjekje për t’u vënë në shërbim të politikave ditore dhe koncepteve shoviniste serbe për ta paraqitur Kosovën si ‘djep të kulturës dhe formimit të ndërgjegjes nacionale serbe'”, thotë Berisha.
Njëjtë, sipas tij, shteti serb vepron edhe me të ashtuquajturën ‘shpërngulje e madhe serbe e viti 1690”.
Berisha thotë se fryma shoviniste e këtyre tezave, të njohura të historiografisë nacionaliste serbe të ngritura qëllimisht për t’i mohuar shqiptarëve praninë dhe autoktoninë në Kosovës.
E kjo sipas tij, është manifestuar me aktivitete “shkencore, artistike kulturore”, duke u pasqyruar edhe në media.
“Pikërisht, në këtë frymë, duke vajtuar për humbjen e Betejës së Kosovës – propaganda serbe e ringjalli mitin e fitores së thyer, i cili sipas serbëve pengoi bashkimin politik të të gjithë serbëve ndërsa në Serbi ishin ndarë dy krahina, Kosova dhe Vojvodina. Në mars 1989 ndryshohen njëanësisht Kushtetuta e Kosovës, përmes së cilës ia hoqi autonominë Kosovës. Më 28 qershor 1989, 600 vjet pas betejës së Fushë Kosovës, në Gazimestan u mblodhën qindra mijëra serbë ku Sllobodan Millosheviqi mbajti një fjalim luftënxitës, kundër shqiptarëve”, ka thënë Berisha.
Kurse, Agron Islami, osmanolog, ka thënë për KALLXO.com se interpretimet e deri tanishme mbi Betejën e Parë të Kosovës të vitit 1389 kanë tejkaluar të dhënat burimore dhe kjo ka ardhur si rezultat i politikave shoviniste të shtetit serb.
“Ku siç dihet që nga viti 1989 politika serbe e udhëhequr nga lideri famëkeq Slobodan Millosheviç, Betejës së Parë të Kosovës i dha konotacion nacionalist edhe pse bëhej fjalë për një Betejë e cila kishte ndodhur 600 vite më herët, në një kohë kur nuk kishte rend e as ide nacionaliste, përkundrazi lufta dhe paqja konceptoheshin si interesa të përkohshme dhe jo siç është sot, kur ka një rend ndërkombëtar që garanton marrëveshjet”, ka thënë ai.
Mëdyshja, betejë apo komplot?
Historianët kosovarë japin mendim të ndryshme për “Betejën e Kosovës”. Për disa, më shumë gjasë nuk ka pasur fare betejë.
Historiani Enver Rexha, drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës ka thënë për KALLXO.com se nuk dëshmohet ajo çfarë thotë historiografia serbe.
Sipas tij, po të kishte një betejë të përmasave të tillë do të kishte edhe një trashëgimi arkeologjike, gjë që nuk ka, shton ai.
“Nuk kemi mbetje arkeologjike nga ajo luftë. Nuk ka varreza të ushtarëve të vrarë, s’ka as artefakte, shtiza, heshta apo parzmore që dëshmojnë se s’ka dëshmi arkeologjike për atë betejë. Përmendorja në Gazimestan është ndërtuar në viti 1953 dhe nuk është asgjë tjetër pos një falsifikim, një konstruksion politik i elitës serbe për qëllime të caktuara”, ka thënë ai.
Sipas tij, parimisht beteja mund të mos ketë ndodhur, thjesht, shtoni ai, mund të jenë bërë spastrime të njerëzve që kanë qenë kundër vasalitetit ndaj osmanëve, siç është rasti i Llazarit.
Njëjtë mendon edhe historiani Lulëzim Lajçi. Ai thotë se për shkencën e historisë nuk është i njohur asnjë dokument nga dita e ngjarjes dhe me burime nuk mund të saktësohet dita kur ka ndodhur beteja.
“Unë mendoj se po t`i kemi parasysh ato pak burime, shkrime të kohës, mund të konstatojmë se kjo ‘luftë’ nuk ka ndodhu dhe se sulltan Murati I dhe knjaz Lazari janë vrarë në kampet e tyre”, ka thënë ai.
Të dhënat kontradiktore
Të dhëna kontradiktore dhe që kundërshtojnë njëra tjetrën jepen nga historianë e kronikanë që nga mesjeta.
Osmanologu Agron Islami ka thënë se kronikanët mesjetar osman, nuk kontestojnë zhvillimin e betejës së viti 1389. Por, sipas tij, nëse i përmbledhim shkurt të dhënat e kronikanëve osman mbi këtë Betejë, shihet se ka detaje që bien ndesh me njëra tjetrën.
“Idrisi Bitlisi dhe Hoxha Sadeddin japin datën 27 gusht 1389, Ashëkpashazade nuk lëshohet në data, por jep vetëm vitin 1389, apo tek numri i pjesëmarrësve (ushtarëve) në betejë”, thotë ai.
Të mjegullta janë edhe të dhënat për luftëtarin e krishter që vrau Sulltan Muratin I, që sipas historiografisë serbe është serbi Millosh Obiliq.
“Ndërsa studimet krahasimtare të të gjitha burimeve narrative të kohës nxjerrin në pah përbërjen e formacioneve në koalicionin kundër osman i cili përbëhej nga shqiptarët, serbët, boshnjakët, hungarezët, vllehët etj; Therjen në mënyrë tinëzare të Sulltan Muratit të Parë pas Betejës nga ana e një ushtaraku nën emrin Milesh (sipas Enveriut), apo Milosh Nikolla (sipas Hoxha Saddedinit), Mihalis (sipas kronikës anonime osmane); vrasjen e Princit Llazar, i cili kishte rënë rob në duart e osmanëve gjatë Betejës”, ka thënë Islami për KALLXO.com
Beteja e Kosovës 1389
Beteja e vitit 1389 në mes të popujve të Ballkanit dhe Perandorisë Osmane, e quajtur ndryshe edhe si “Beteja e popujve”, ka ndodhur në territorin e Kosovës në mes lumenjve Llap dhe Sitnica. Popujt ballkanik formuan një koalicion ushtarak për t’i bërë ballë ushtrisë osmane, po thyhen keq. Vriten dy protagonistët e betejës, Sulltan Murati I i osmanëve dhe princ Llazari i koalicionit ballkanik.