VIDEO: Serbët shënojnë përvjetorin e Betejës së Kosovës

Mijëra serbë janë mbledhur sot në Gazimestan të Obiliqit për të shënuar përvjetorin e Betejës së Kosovë të vitit 1389.

Shumica e pjesëmarrësve në këtë manifestim ishin serbë nga Kosova, por kishte edhe nga shtetet fqinje.

Pelegrinët festuan me këngë e simbole nacionaliste serbe.

Për të shmangur incidentet e mundshme Policia e Kosovës është kujdesur që pjesëmarrësit të mos bartnin flamuj, bluza dhe pankarta me përmbajtje nacionaliste.

Policia ka njoftuar se ka arrestuar një person për veprën penale nxitje e urrejtjes, si dhe konfiskuar edhe disa armë të ftohta.

Ceremonia fetare u drejtua nga patriarku i Kishës Ortodokse serb, Porfirije.

Mitropoliti serb Joanikije tha pas ceremonisë se sakrifica e Kosovës është burimi i frymëzimit për popullin serb.

Ai ka folur për rëndësinë e Betejës së vitit 1389 për serbët dhe identitetin e tyre kombëtar.

“Ne mendojmë se kjo Betejë (e Kosovës) nuk është e humbur. Ne e morëm atë plagë të madhe që do të thotë se e humbëm Kosovën nga njëra anë, por ne korrëm një fitore morale”, ka thënë mitropoliti serb Joanikije.

Ndërkaq, Milosh Rashiq, qytetar, ka thënë se për serbët “Vidovdani” është një moment historik i veçantë.

“Në këtë  moment të rëndësishëm, ku ishte edhe patriarku Porfirije, ne po shënojmë një ngjarje të  madhe për ne, që do të thotë se ne kemi një themel në Kosovë dhe se jemi të bashkuar në këtë mënyrë, se ne e mbajmë dhe e ruajmë traditën dhe identitetin tonë nacional”, ka thënë ai.