Cili është mesazhi i takimit Thaçi – Macron- Vuçiq?

Edhe pse dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit të kaluar pas taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe e boshnjake, kjo nuk i ka penguar presidentët e dy vendeve, Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuçiqin, të takohen me ndërmjetësim të homologut të tyre francez Emmanuel Macron.

Takimi i një dite më parë në kuadër të Forumit të Paqes në Paris, për njohës të zhvillimeve politike në vend dhe të procesit të dialogut, po thuhet të jetë mbajtur në saje të përkushtimit të Bashkimit Europian, respektivisht Francës, për vazhdimin e negociatave mes palës kosovare dhe asaj serbe.

Përderisa faktori ndërkombëtar kërkon rikthimin e bisedimeve në tryezën e Brukselit, Kosova është në pritje të formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve nacionale që janë mbajtur më 6 tetor.

Zyra e Presidentit të Kosovës ka njoftuar se Thaçi në këtë takim ka konfirmuar se Kosova është e gatshme të vazhdojë dialogun me Serbinë, në kërkim të një marrëveshjeje për paqe, e cila sipas tij do të sjellë njohje reciproke dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara, duke i hapur kështu rrugë zhvillimit në Kosovë dhe integrimit në NATO dhe Bashkim Europian.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka përsëritur vendosmërinë se dialogu mund të rifillojë pas heqjes së taksës 100 për qind.

Lidhur me zhvillimet në Paris, Violeta Haxholli, hulumtuese nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se takimi në fjalë ka qenë i natyrshëm duke pasur parasysh edhe interesimin e Francës për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Natyrisht se dialogu nuk mund të vazhdojë pa u formuar institucionet e reja në Kosovë, Kuvendi dhe Qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit. Sepse sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese Qeveria përkatësisht kryeministri në konsultim me presidentin udhëheqin zbatimin e politikës së jashtme, duke përfshirë këtu edhe procesin e dialogut që bie në këtë domen”, thekson ajo.

Ndërsa, sipas Haxhollit, Kuvendi është mbikëqyrës i këtij procesi.

“Prandaj pa formimin e institucioneve të reja nuk mund të vazhdojë dialogu sepse mungojnë shtyllat qendrore udhëheqëse dhe mbikëqyrëse të dialogut, pra Qeveria dhe Kuvendi”, tha ajo për Gazetën.

Ndërkaq, analisti politik Imer Mushkolaj takimin Thaçi-Macron-Vuçiq më shumë e ka parë të jetë zhvilluar për interesa të Bashkimit Europian.

“Tash për tash, pozita më funksionale e institucioneve të Kosovës është ajo e presidentit dhe në njëfarë forme ky takim është bërë besoj unë më tepër për të treguar gatishmërinë që e ka Bashkimi Europian, në këtë rast Franca, si një ndër vendet kryesore të BE-së,  për vazhdimin e dialogut, si një shenjë kujdesi kushtimisht të Francës, rrjedhimisht edhe e BE-së për përgjegjësinë që e kanë në dialog”, tha ai për Gazetën JnK.

Mushkolaj më tej shton se më shumë sesa për arritjen e  ndonjë pajtimi reciprok për të vazhduar dialogu, takimi ka qenë në shërbim të marrjes së poenëve politikë nga Bashkimi Europian.

“E sidomos pas angazhimit më dinamik të shtetit të ShBA-së, respektivisht dërgimit të dy emisarëve, njërin për Ballkanin Perëndimor dhe tjetrin ekskluzivisht për çështje të dialogut Kosovë-Serbi”, potencon ai.

Analisti nuk beson se ka gjasa që të rifillojë dialogu pa u formuar institucionet e reja të vendit.

“Këtë e dinë të gjithë ata që ishin në takim edhe Thaçi, edhe Vuçiq dhe Macron. Kështu që duhet pritur formimi i institucioneve dhe pastaj të shihet  se si do të jetë qasja e kryeministrit të ri, që pritet të jetë zoti Kurti dhe cila do të jetë pastaj edhe përgjegjësia që e ka presidenti bazuar në Kushtetutë, lidhur me këtë proces”, thotë ndër të tjerash ai.

Mushkolaj  thotë se edhe në bazë të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese presidenti nuk është personi kyç në dialog me Serbinë.

“Pavarësisht se pas Brukselit do të mund ose do të kishte dëshirë kushtimisht që ai të vazhdojë të jetë në krye të dialogut. Nuk shoh dhe nuk pres që dialogu të vazhdojë përpara themelimit të institucioneve të reja dhe po ashtu nuk e kam të qartë se cili do të jetë roli i presidentit në këtë proces”, përfundoi analisti politik.

Gjatë mandatit të Qeverisë Haradinaj, përfaqësues i palës kosovare në Bruksel ka qenë presidenti i vendit Hashim Thaçi, përderisa në Kuvend ishte votuar edhe i ashtuquajturi Ekip Negociator me bashkëkryesuesit Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.

Por ky delegacion shtetëror ishte shpallur i jashtëligjshëm nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka filluar në vitin 2011, përderisa shumë marrëveshje nga këto negociata nuk kanë arritur të zbatohen.