Ilustrim

Telenovela me rezultatet e zgjedhjeve

Ankesat e subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë kundrejt rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) javën e kaluar, e kanë mjegulluar edhe më tej rrugën drejt formimit të institucioneve të reja të vendit.

Mundësia për rinumërim të rreth 1500 vendvotimeve dhe ankesat për shpallje të pavlefshme të votave të ardhura nga Serbia do të ndikojnë jo vetëm në kohën e certifikimit të zgjedhjeve, por edhe në rezultatin përfundimtar të tyre.

Njohës të proceseve zgjedhore në vend, vlerësojnë se konstituimi i Kuvendit dhe votimi i Qeverisë mund të ndodhë gjatë muajit dhjetor të këtij viti.

Ndërkohë, KQZ-ja ka bërë të ditur se aktualisht janë në pritje të konfirmimit nga Gjykata Supreme se nuk ka ndonjë ankesë lidhur me vendimin e Panleit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për rinumërim.

Zëdhënësi i këtij komisioni, Valmir Elezi ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se sapo të kenë  konfirmimin do të dalim me njoftim lidhur me hapat e mëtejshëm të KQZ-së.

Në anën tjetër, Valmir Ismaili nga Demorkaci Plus (D+), thotë se me vendimet e fundit të PZAP-iy situata është komplikuar edhe më shumë pasi që do të numërohen edhe rreth 1500 kuti të tjera.

“Sipas disa përllogaritjeve rinumërimi do të zgjas edhe dy javë. Nëse nuk do të ketë ankesa në rinumërim (24h pas rinumërimit) rezultatet mund të certifikohen pas kësaj periudhe. Mirëpo nëse do të ketë ankesa për procedura në QNR dhe ato shkojnë deri në Gjykatë Supreme, atëherë kjo do të marrë edhe tetë (8) ditë të tjera”, sqaron ai.

Sipas Ismailit në rastin më të mirë nëse rinumërimi fillon sot dhe nuk do të ketë ankesa, atëherë mund të kemi shpallje të rezultateve pas dy javëve, përderisa në senarion tjetër kjo mund të shkoj në më shumë se tri javë.

Edhe analisti politik Blerim Vela ka thënë, se nëse mbeten të plotfuqishme vendimet e PZAP-it, ato shtyjnë certifikimin e rezultatit final për së paku disa javë – kah fundi i nëntorit ose fillimi i dhjetorit.

“Sipas këtij skenari, konstituimi i Kuvendit dhe votimi i qeverisë mund të ndodhë gjatë muajit dhjetor”, ka shkruar Vela në rrjetin social Facebook.

Përplasjet në Kosovë për votat nga Serbia

Votat e ardhura nga Serbia janë bërë mollë sherri për subjektet politike në Kosovë, për shkak të ndikimit të tyre në ulëset në Kuvendin e Kosovës, të kandidatëve për deputetë të disa partive.

Pakot me vota nga shteti serb janë duke u hetuar nga Prokuroria e Kosovës, nën dyshimet për helmim pasi hapja e tyre u shkaktoi alergji komisionerëve të KQZ-së, javë më parë.

Fillimisht, Lëvizja Vetëvendosje, subjekti i cili i fitoi zgjedhjet e 6 tetorit, kishte kundërshtuar përfshirjen e këtyre votave në rezultatet finale duke i quajtur të kundërligjshme, përderisa Nisma-AKR-PD  dy herë radhazi u ankuan në PZAP, për të kërkuar zhvleftësimin e këtyre pakove.

Numërimi i tyre, e la jashtë Kuvendit koalicionin parazgjedhor Nisma Socialdemokrate-Aleanca Kosova e Re-Partia e Drejtësisë (Nisma-AKR-PD), kurse Lëvizja Vetëvendosje po e kërkon përfshirjen e  tyre në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, për t’i pasur ende 3 deputetë më shumë.

Në anën tjetër, PZAP-i ka vendosur dy herë lidhur me ankesat e koalicionit Nisma-AKR-PD për shpalljen e pavlefshme të 3.782 fletëvotimeve të ardhura nga Serbia.

Fillimisht më 30 tetor 2019, Paneli i përbërë nga gjyqtarët Gyltene Sylejmani, Rrustem Thaqi dhe Ferki Rexhepi, kishin hedhur poshtë ankesën e koalicionit në fjalë për anulimin e fletëvotimeve të ardhura nga Serbia.

Ky Panel e kishte hedhur poshtë ankesën për anulimin e fletëvotimeve të ardhura nga Serbia për shkak se e kishte vlerësuar si të pasafatshme.

Lidhur me ankesat e sërishme të koalicionit NISMA-AKR-PD ndaj votave të ardhura nga Serbia, PZAP më 11 nëntor 2019 vendosi në mënyrë meritore duke i vlerësuar ankesat e koalicionit dhe përgjigjet e KQZ-së lidhur me këto vota.

Me këtë vendim PZAP urdhëroi KQZ-në që t’i largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të gjitha votat e përfshira nga fletëvotimet e ardhura me pako nga Serbia.

Ndërkaq, KQZ-ja në mbledhjen e djeshme ka theksuar se lidhur me vendimin e PZAP-it për anulimin e votave të ardhura nga Serbia ka pasur ankesa në Gjykatën Supreme.

Ndërkohë kjo e fundit, ka kohë 72 orë për të vendosur për ankesat e mundshme.