Thaçi e Vuçiq takohen me ndërmjetësim të Macron

Pa ndonjë njoftim paraprak, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me ndërmjetësim të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, ka takuar sot edhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Sipas një njoftimi të Zyrës së Presidentit,  Thaçi në këtë takim ka konfirmuar se Kosova është e gatshme të vazhdojë dialogun me Serbinë, në kërkim të një marrëveshjeje për paqe, e cila sipas tij do të sjellë njohje reciproke dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara, duke i hapur kështu rrugë zhvillimit në Kosovë dhe integrimit në NATO dhe Bashkim Evropian.

Dialogu Kosovë-Serbi ka stagnuar pas vendosjes së taksës 100 për qind nga Qeveria Haradinaj ndaj produkteve serbe dhe boshnjake vitin e kaluar.

Ndërkohë, presidentët Thaçi e Vuçiq në vazhdimësi janë akuzuar për marrëveshje të fshehtë, pjesë e së cilës do të mund të ishte edhe “korrigjimi i kufirit”.