Amnistia ndaj degraduesve të ambientit

Gjykatat po shqiptojnë dënime me gjoba për personat që kanë bërë krime në ambient, duke përfshirë eksplatimin e zhavorit, hedhjen e mbeturinave inerte në shtratet e lumenjve e dëmtimin e pyjeve.

Të vetmit që janë dënuar me burg janë personat që janë zënë duke vjedhur pyjet.

Nga 50 aktgjykime të analizuara, nga zyrtarë ligjor të KALLXO.com, del që kishte raste kur ishte shqiptuar dënim prej 200 euro edhe pse dëmi i shkaktuar ishte rreth 16 mijë euro.

Recedivistët janë dënuar me gjobë edhe pse gjykata kishte konstatuar se i njëjti person ishte i dënuar 6 herë për vepra penale.

Për krimet në ambient u diskutua edhe në emisionin #KallxoPernime.

Blerta Iberdemaj, nga Zyra Ligjore e BIRN-it, ka thënë se për rreth 6 muaj ka analizuar vendimet e gjykatave rreth këtyre krimeve.

Ajo tha se Gjykatat e Kosovës kanë shqiptuar dënime të buta ndaj personave që kanë kryer krime mjedisore.

“Ne zakonisht jemi të njohur për analizimin e vendimeve deri në detaje, na intereson me pa se si gjykatat i marrin vendimet, si i arsyetojnë ato vendime. Dukuria e krimeve ambientale trajtohet pak sidomos prej institucioneve tona. I kemi marrë 50 aktgjykime të gjykatave, i kemi krahasuar a janë në përputhje me Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale dhe Udhëzuesin për politikën ndëshkimore. Nga kjo kemi vërejtur që gjykatat në shumicën e rasteve kanë shqiptuar dënime shumë të buta” – ka thënë Iberdemaj.

Ajo ma tej ka shtuar se edhe dënimet me gjobë kanë qenë minimale ndaj kryerësve të krimeve ambientale.

“Me apo pa qëllim, gjykatat kanë bërë dyfishim të rrethanave lehtësuese. Në Udhëzuesin e politikës ndëshkimore shkruan qartë se si gjyqtarët duhet të marrin vendime, si duhet të maten rrethanat edhe provat. Nga ajo që kemi pa në terren kemi vërejtur që psh nëse kryerësi i veprës penale ka pranuar fajësinë, është konsideruar rrethanë lehtësuese, në rastin kur ky person ka shprehur keqardhje, gjykata prapë e ka numëruar si rrethanë të re lehtësuese” – ka thënë më tej ajo.

Ajo tha se gjykata bën llogaritje të dyfishtë të fakteve që ka para vetes dhe në mënyrë jo të drejtë merr parasysh më shumë rrethana lehtësuese se sa që thotë udhëzuesi.

“Me analizimin e aktgjykimeve në fjalë, në disa raste kishte dyfishim të rrethanave lëhtësuese është bërë kur është marrë për bazë pranimi i fajësisë nga i akuzuari dhe kërkim falja e shprehja e keqardhjes si rrethana të ndara, duke mos i llogaritur të dyja në një”, tha Iberdemaj.

Kodi Penal parasheh deri në dy vjet dënim me burgim për kryerësit e këtyre veprave, pra dëmtimin e ambientit.

Kodi Penal parasheh pranimin e fajit si rrethanë lehtësuese e po ashtu është paraparë edhe keqardhja e shfaqur nga i pandehuri si rrethanë lehtësuese. Me Udhëzuesin për Politikën Ndëshkimore mund të argumentohet se pranimi i fajësisë është provë e keqardhjes dhe rrjedhimisht mund të merret parasysh nga gjykata gjatë vlerësimit nëse vërtet ekziston keqardhja apo pendimi.

Pra, i akuzuari duke pranuar fajësinë tregon së është duke marrë përgjegjësinë për veprimet e tij dhe se është penduar për to. Ndonëse kjo në vetvete mund të mos jetë bindëse, në të dyja rastet gjykata duhet t’ia atribuoj faktet vetëm njërës rrethanë lehtësuese.

Naim Sejdiu, kryeinspektor i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, u pajtua që dënimet për kryersit e këtyre krimeve janë minimale dhe të papërfillshme.

“Këto gjoba për operatorin nuk qojnë asnjë peshë e të cilët janë recidivista dhe këta operatorë janë duke na penguar në punën tonë, por edhe në punën e atyre operatorëve që i kemi me licenca”, ka thënë Sejdiu.

Lumenjtë janë kthyer në rrjedha të ujërave të zeza, e për shkak të ndërtimeve buzë shtratit të tyre të cilat kur po kemi vërshime po shkaktojnë dëme milionëshe.

Në fshatin Gllaviqicë të Pejës eksploatimet ilegale kanë filluar nga paslufta dhe janë duke vazhduar ende.

Shtrati i lumit është shkatërruar dhe aty kanë mbetur të hapura gropat e mëdha që përveç pamjeve të shëmtuara që i japin lumit janë rrezik për banorët e zonës.

Shkatërrimi i Drinit të Bardhë nga eksploatimi i zhavorrit në Gllaviqicë e Kramovik

Hulumtimet e KALLXO.com. kanë treguar se janë amnistuar eksploatuesit ilegal të zhavorit nga shtrati i lumenjve.

Pra ka shkatërrim të maleve, të lumenjve e madje janë hapur edhe miniera ilegale të qymyrit, por prapë shumë pak njerëz janë dënuar me burg për këto krime që i kanë bërë ndaj ambientit.

Behar Mustafa, hulumtues e i cili qe disa vite bën temave që kanë të bëjnë me krimeve në ambient, ka thënë se Gllaviqica është ‘pamje e shëmtuar’.

“Këtë e shohim nëpër krejt storjet që kanë të bëjnë me ambient, është në hyrje të Pejës, shfrytëzohet për me nxierr rerën dhe zhavorrin në shumicën e kohës, ilegalisht’’, tha Mustafa.

Ai shtoi se ka eksploatues që ka mbi 20 kallëzime penale që ka vepruar ilegalisht por që vazhdojnë me vepru pa problem.

“Para dy vjetëve ishim duke e pritur policinë bashkë me ish kryeinspektorin dhe 20 kamionë kanë dalë të pa mbushur ata e njohin edhe veturën e kryeinspektorit e përciellin e shohin, kush po del e kush po hin”, tha Mustafa

”Ndonëse ishin zënë 5 kompani duke eksploruar ilegalisht, nuk ndodhi asgjë”,shpjegon më tej Mustafa

“Ata si pa hiç policia vetëm ne me kryeinspektorin, derisa erdh policia, ata u larguan”, tha Mustafa.

Naim Sejdiu, kryeinspektor i KPMM-së, tha se rajoni i Dukagjinit dhe i Gjilanit janë më të eksploatuarit nga operatorët ilegal.

‘Eksploatimin më të madh e kemi në Dukagjin, edhe në pjesën e Gjilanit kah Kamenica, inerte dmth rërë dhe zhavorr që është në lumenj e toka bujqësore. Kemi bërë një punëtori ku kemi ftuar të gjitha institucionet me qëllim parandalimi dhe ndalimit të operatorëve ilegalë. Dhe jemi dakorduar që të veprojmë të gjithë së bashku. KPMM të gjithë operatorët ilegalë që i ka zënë në terren i ka përgatitur lëndët i ka dërgu në prokurori” – ka thënë Sejdiu.

Sejdiu, ka thënë se si KPMM, kanë bërë përgatitjen e lëndës për shkelësit e ligjit të ambientit, brenda 5 dite më pas të njejtën e kanë dërguar në polici.

“Me incizim gjeodezik, masën vëllimore, gjibën e financace, gjobën administrative, gjitha i kemi përgatit dhe i kemi dërguar në Polici, pra këtë plan e kemi nisur në 2022”, tha Sejdiu.

Kryeinspektori i KPMM-së ka shtuar që bashkë me Policinë kanë zënë 26 operatorë në terren dhe kanë sekuestruar mjetet e tyre të punës.

“Janë sekuestruar mbi 80 makineri të larta. Me ligj ne e kemi detyrë të shpallim sekuestrimin ndërsa prokuroria bën sekuestrimin e këtyre mjeteve, Nga KPMM-ja ne i bëjmë gjobat administrative për një operator legal që bën ndonjë shkelje, 10 mijë euro është gjoba ndërsa ata ilegalë e kanë gjobën 5 mijë euro dhe masa e shfrytëzuar, dmth vjedhja e resursit është 10 mijë euro për operator ilegal” – ka thënë më tej Sejdiu.

Nga viti 2012 deri në vitin 2022 KPMM-ja ka lëshuar 817 gjoba.

Naim Sejdiu gjithashtu ka shtuar se deri më sot nuk është arrestuar askush për këtë vepër penale.

“Kur ta përfundojmë ne lëndën e dërgojmë në prokurori, por po shohim që dënimet janë me gjoba dhe minimale. Se kur një operator do të përfundonte në gjykatë me 200-300 mijë euro gjobë, nesër do ta ketë të vështirë me dalë me punu” – ka thënë Sejdiu.

‘Krimi në ambient i bën bashkë shqiptarë e serbë’

Dushan Radakoviq nga OJQ “ACDC”, ka thënë se në komunat me shumicë serbe krimi multietnik ka bashkëpunim të fortë sa i përket marrjes së zhavorrit nga lumenjtë.

Sipas tij, kjo i bashkon shqiptarët dhe serbët, duke shtuar që në kufirin midis Çabrës dhe Zupqit në Zubin Potok, ekziston sasi e madhe zhavorri te pjesa ku është kufiri ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Ai ka shtuar se në Gjykatën e Mitrovicës në vitin 2020 janë 13 raste, kryesisht shpyllëzim.

“Në përgjithësi gjobat e deritanishme, siç tha kolegu, janë mesatarisht 200 deri në 250 euro. Janë vetëm 3 dënime me burg me dënim prej 3 muaj, 5 muaj, por ato dënime janë shndërruar në dënime me kusht. Asnjë person nuk ka shkuar në burg nga i tërë veriu, asnjë njeri nga shtatë komunat, për prerje të pyjeve, gjuetisë pa leje, shkatërrimit të lumenjve” – ka thënë Radakoviq.

Ai ka shtuar se në rajonin e Mitrovicës nuk ka asnjë rast të dënimit për shfrytëzim të zhavorrit.

“Ne kemi një që ishte për gjueti, një për peshkim, për gjueti pa leje, pjesa tjetër është e gjitha për prerje pylli” – ka shtuar Radakoviq.

Ndërsa ka thënë se kanë dorëzuar kërkesë inspeksionit, prokurorisë dhe drejtorisë së përgjithshme për mjedis të Komunës së Mitrovicës për ta pastruar atë.

Para dy muajsh hodhën dheun mbi bërllokun, në mënyrë që të mos dukej fizikisht bërlloku që ishte aty dhe i cili ndot lumin nga i cili të gjithë ne pimë ujë. Ndotja është katastrofike, por dënimet janë pothuaj inekzistente. Do t’i kthehem një gjëje shumë të rëndësishme që ka ndodhur para një muaji apo një muaj e gjysmë, në lidhje me vërshimet që patëm në Mitrovicë”, tha ai.

Naim Sejdiu, kryeinspektor i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, ka thënë se edhe në veri të vendit, ky komision ka inspektuar edhe në veri.

“Kemi koleg nga nacionaliteti serb që diku ka lëshuar 4 gjoba për ata që e kanë dëmtuar ambientin, por operatorët nuk njohin kufij, ka shumë raste që nga pjesa jugore kalon në veri, pra knej e kemi pengu ka dalë andej”, tha Sejdiu.

Ka thënë gjithashtu që në gjykatë janë 3-4 lëndë për lumenj.

“Për lumin Ibër, janë këto lëndë në gjykatë. Por kjo pjesë i takon më shumë mjedisit me fol, sepse ne merremi me vjedhjen e resursit, për atë e vendosim gjobën administrative, edhe gjobën e rentës minerare, ka pas rast ku kemi dhënë gjobë në vlerë prej 87 mijë eurove”, tha Sejdiu.

Kryeinspektori i KPMM-së, ka kritikuar prokurorët që, sipas tij, nuk dalin asnjëherë në vendin e ngjarjes për ta parë dëmin e shkaktuar.

“Qysh mundesh ti me e studiu një send kur nuk e sheh, nuk e prek, pa dalë me pa, edhe prokurori e gjykatësi duhet me dalë me hetu në vend të ngjarjes” – ka thënë Sejdiu.

Edhe Behar Mustafa nga KALLXO.com, i cili ka disa vite që trajton tema që kanë të bëjnë me krimet ndaj mjedisit, ka thënë se asnjëherë nuk ka rastisur në ndonjë prokuror apo gjykatës në vendin e ngjarjes për sa i përket dëmeve në mjedis.

“S’kam taku asnjëherë prokuror, as gjykatës në terren” – ka thënë Mustafa.

Ndërsa Shkodran Nikçi nga Prokuroria e Pejës ka thënë se nga ky institucion, prokurorët dalin në terren.

Sipas tij, problem kryesor për këtë institucion është rrjedhja e informacionit.

“Dy prokurorë kanë dalë, kemi të vështirë t’i zëmë në flagrancë kryerësit e këtyre krimeve sepse dikush mund ta rrjedhë informacionin dhe derisa ne të shkojmë te vendi i ngjarjes aty s’po gjendet asgjë” – ka thënë Nikçi.

Behar Mustafa nga KALLXO.com ka thënë se zhavorri që nxierret ilegalisht, një pjesë e mirë e tij, është i destinuar për punishtet ku financues është shteti.

“Na kena raportu në 5 vende që KPMM-ja i ka shkrujt kallëzim penal, njërit që e ka zënë tu eksploatu ilegalisht, e ai ka qenë duke e qu me ni punishte që u financu nga Ministria e Ambientit. Po i bie që ky dikaster po e financon degradimin e ambientit”, tha Mustafa.

Në hulumtimin e KALLXO.com të vitit 2020, thuhet se menaxherët e disa kontratave nuk kanë kërkuar llogari nga kompanitë për dheun dhe zhavorrin që është përdorur për shtrim të rrugëve.

I njëjti material që është shtruar në rrugët e Kosovës është nxjerrë ilegalisht nga bizneset që fitojnë tenderë.

Hulumtimi tregon për heshtjen e institucioneve shtetërore para një dukurie që e shkatërron dhe degradon ambientin.

Kompanitë që marrin tenderë milionësh nga shteti janë po ato që e shkatërrojnë dhe e degradojnë ambientin duke eksploatuar ilegalisht dhe duke e marrë zhavorrin dhe dheun ne mënyrë ilegale për ta hedhur në punishtet ku punojnë me paratë e buxhetit të shtetit.

Kjo mundësohet nga mungesa e komunikimit në mes të institucioneve që japin tenderë me Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

Shteti financon degradimin e ambientit

Këtë e ka konfirmuar edhe Zyra Kombëtare e Auditorit.

“ZKA e ka konstatu se rrugët janë shtruar nga përfitues që materialin e kanë marr ilegalisht. Në vitin 2020 është kjo e gjetur e ZKA-së. Kjo e gjetur është bërë për KPMM-në dhe ministrinë e Mjedisit”, tha zyrtarja ligjore nga Kallxo.com, Blerta Iberdemaj.

Ajo ka shtuar se në këtë raport, auditori e thekson qartë që mungon shqiptimi i gjobave nga KPMM-ja si dhe sekuestrimin e mjeteve të punës.

Naim Sejdiu, kryeinspektor i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, ka treguar rastet ku ka shqiptuar gjobë prej 20 mijë euro, për kompaninë e cila ka qit zhavor ilegal në rrugën Zahaq-Pejë.

“Ky subjekt e ka paguar gjobën, por nuk mund ta detyrojmë që ta heq zhavorrin. Nuk jam kompetent me heq”, tha Sejdiu.

Sejdiu ka shtuar se kur të dalin në terren, policia gjithmonë është prezentë por jo edhe prokuroria.

“Hetuesi policor e thërret prokurorin e caktuar por që i njëjti nuk vjen në terren. Asnjëherë s’kam qenë në terren bashkë me një prokuror”, ka thënë ai.

Shkodran Nikçi nga Prokuroria e Pejës ka përmendur prokurorin Astrit Gashi, i cili sipas tij ka dalë në terren kur është ftuar nga policia.

“Ai ka pasur dosje prej 8 mijë faqe për degradim të mjedisit, për krejt rrafshin e Dukagjinit. Prokurori duhet me dalë në terren ku është vepra e rëndë në këtë rast për dergradim të mjedisit. Kjo lëndë ende është duke u trajtuar”, tha Nikçi.

Dushan Radakoviq nga OJQ “ACDC”, në “Kallxo Përnime”, tha se kriminelët që veprojnë në veri, janë shumë të lidhur mes vete.

“Çmimi i drurit ka hipur nga 30 euro për metër në 70, 80 apo 90 euro për metër”.

Prerja e pyllit paraqet problemin më të madh, pas uzurpimit dhe shfrytëzimit të zhavorrit, sepse nga drunjtë ne marrim frymë. Ndërkaq gjithnjë e më pak po kemi drunj, dhe as Ministria dhe askush tjetër nuk ka mbjellë asnjë dru, por vetëm presin e presin”, tha Radakoviq.

Ai gjithashtu ka thënë se për këto veprimtari nuk kanë faj vetëm gjykatat por të gjithë, “edhe policia ka faj, edhe agjencia, edhe prokuroria”.