Shteti financon degradimin e ambientit

Institucionet e Kosovës me para të taksapagueseve po e financojnë degradimin e ambientit. Hulumtimi i KALLXO.com ka zbardhur se disa projekte infrastrukturore të financuara nga buxheti i Kosovës janë realizuar me materiale të eksploatuara ilegalisht dhe duke e dëmtuar ambientin.

Menaxherët e disa kontratave nuk kanë kërkuar llogari nga kompanitë për dheun dhe zhavorrin që është përdorur për shtrim të rrugëve. I njëjti material që është shtruar në rrugët e Kosovës është nxjerrë ilegalisht nga bizneset që fitojnë tenderë. Hulumtimi tregon për heshtjen e institucioneve shtetërore para një dukurie që e shkatërron dhe degradon ambientin.

Kompanitë që marrin tenderë milionësh nga shteti janë po ato që e shkatërrojnë dhe e degradojnë ambientin duke eksploatuar ilegalisht dhe duke e marrë zhavorrin dhe dheun ne mënyrë ilegale për ta hedhur në punishtet ku punojnë me paratë e buxhetit të shtetit. Kjo mundësohet nga mungesa e komunikimit në mes të institucioneve që japin tenderë me Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

Rruga Dollc-Gjakovë është shtruar me materialin e eksploatuar ilegalisht në fshati Kramovik i Rahovecit.

Ministria e Infrastrukturës e kishte kontraktuar kompaninë “Via SHPK” për shtrimin e një pjese të kësaj rruge. Kjo ministri ishte sinjalizuar nga KPMM se kompania e kontraktuar është duke e shtruar këtë rrugë me material që eksploatuar ilegalisht. Madje, në dokumentet e KPMM-së të siguruara nga KALLXO.com, thuhet se materiali i përdorurë në këtë rrugë është i cilësisë së dyshimtë.

Në raportin e KPMM-së thuhet se kompania ‘Via ShPK’ ka përdorur materiale të cilat janë marrë në fshatin Kramovik dhe i njëjti është përdorur për shtrim të rrugës. KPMM-ja i ka shqiptuar një gjobë kësaj kompanie, si dhe rastin e ka dërguar në prokurori më 11 shtator 2019 në formë të kallëzimit penal.

“Te Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit e kemi problemin aktual në zgjerimin e rrugës ‘Dollc – Gjakovë’, dhe se gjatë inspektimeve tona unë shpeshherë ju kam pri këtyre gjërave edhe në operimet ilegale kemi takuar dy operatorë të cilët materialin e shfrytëzuar ilegalisht e kanë përdorur në infrastrukturë në shtrimin në mbushjen e trasesë së kësaj rruge. Bëhet fjalë për materialin mbushës të trasesë dhe se e them me përgjegjësi të plotë se në dy lote aty ku unë i kam pa nuk e di se saktë cili është 2 apo 3 sepse nuk është punë e imja por në masën 90 % ai material mbushës është ilegal”, ka thënë Fatmir Gërguri, kryeinspektor në Komisionin e Pavarur për Minierave dhe Mineraleve, i cili ka shtuar se ne të dy lotet e kësaj rruge materiali mbushës 90% është ilegal.

Pronari i kompanisë së kontraktuar nga ministria e Infrastrukturës për shtrim të kësaj rruge “Via SHPK”, Drilon Shamolli, thotë se ministria nuk e kanë pyetur se ku e merr materialin.

“Nuk ju intereson mbikëqyrësve ku e marr materialin për shkak se ata na i kërkojnë atestet e atij materiali, sepse është një treg të lirë dhe unë materialin mundem me marr në secilin gurthyes”, thotë Shamolli.

Ai e pranon se ka marrë materialin ne fshatin Kramovik të Rahovecit. Madje e ka paguar gjobën e KPMM-së, si dhe e ka pranuar fajin edhe në gjykatë.

“Unë e kam pasur edhe një kallëzim penal pasi KPMM-ja ka vazhduar e ka shqiptuar gjobën me një vlerë prej më shumë se 7 mijë euro. Të njëjtën unë e kam paguar menjëherë brenda afatit ligjor mirëpo ata kishin vazhduar me procedurat e kallëzimit penal. Kam shkuar në prokurori më kanë marrë në intervistë e kam pranuar fajin sepse nuk kam qenë në dijeni, është mbajtë seanca gjyqësore, është shqiptuar dënimi me burgim i cili mu ka kthyer në gjobë prej 1 mijë euro”, thekson Shamolli.

Përderisa KPMM-ja dhe Gjykata i kanë shqiptuar gjobë dhe dënime, në Ministrinë e Infrastrukturës nuk është marrë asnjë masë ndaj kontraktorit të tyre.

“Fillimisht ju njoftoj, se nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit, për realizimin e këtij projekti janë të kontraktuar 8 (tetë) operatorë ekonomik të ndryshëm të cilët janë të ndarë në 8 (tetë) lote. Menaxherët tonë të cilët i mbikëqyrin punimet në realizimin e këtij projekti deklarohen, se në asnjë rast nuk është përdorur zhavorri i lumenjve në mbushjen e gërmimeve të cilat kanë qenë të parapara në projekt”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit.

Pamje nga fshati Kramovik i Komunës se Rahovecit

Por KALLXO.com ka siguruar shkresat që inspektorati i KPMM-së i ka dërguar në Ministrinë e Infrastrukturës, duke i njoftuar se kontraktori i tyre është duke e dëmtuar ambientin me qëllim që të realizojë punimet e kontraktuara.

Shtrati i lumit Ibër

Material me prejardhje të dyshimtë është përdorur edhe në projektin për rregullimin e shtratit të lumit Ibër në Mitrovicë. Ky projekt që kishte një vlerë prej 1.7 milion euro është financuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit.

KPMM-ja pretendon se kompania e kontraktuar për këtë projekt, Lirigzoni, ka ekploatuar material ilegalisht në fshatin Broboniq të Mitrovicës për të vendosur më pas në projektin e shtratit të lumit Ibër. Ky biznes është gjobitur tri herë nga KPMM-ja, ndërsa ndaj dy pronarëve të saj është dorëzuar edhe kallëzim penal në Prokurori.

“Në komunën e Mitrovicës bëhet fjalë për projektin për rregullimin e shtratit të lumit Ibër, operatorin që ne e kemi takuar ne vendshfrytzim është kompania Lirigzoni, të cilën e kemi takuar ne fshatin Broboniq të Mitrovicës, ndërmarrja nuk është takuar vetëm një herë sigurisht i ka 3 dënime së paku të shfrytëzimit, materiali ilegal është përdorur komplet ne rregullimit e shtatit te Ibrit”, thekson kryeinspektori i KPMM-së, Fatmir Gërguri.

Pronari i kompanisë “Lirigzoni S”, Haki Haxhiu, mohon pretendimet dhe konstatimet se materiali i fshatit Broboniq është përdorur në shtratin e lumit Ibër, ndërsa pranon se materiali i fshatit Broboniq është i cilësisë së dobët.

“Jo ne ilegalisht nuk jemi duke punuar ne jemi duke punuar në Broboniq të Mitrovicës, është pronë e kompanisë tonë. Zhavorrin nuk e kemi vendosë në shtratin e lumit Iber per shkak se ky zhavorr nuk bën me u përdorë aty sepse është shumë i dobët, në Inspektoriatin e KPMM-së nuk po mundemi me kuptu, vijnë i bëjnë disa fotografi dhe ecin dhe neve na vjen dënimi dhe ne krejt këto sende presim me i ballafaqu në gjykatë”, theksoi Haxhiu.

Sipas rregullave, mbikëqyrja se çfarë dheu po përdoret në këtë projekt i takon komunës së Mitrovicës. Por në komunë nuk dinë se nga erdhi dheu.

“Pasha Zotin na nuk jemi në dijeni sepse ne nuk jemi kompetent me ditë ku e merr materialin po ne jemi kompetentë me pa se a na përshtatet neve projekti aktual, dhe asnjëherë nuk kërkojmë prej operatorëve ku e merr materialin ajo është pune e Inspektorëve te KPMM-së, dhe nuk e di kah e ka pru”, thekson drejtori i komunës së Mitrovicës Naser Muja.

Për ta zbardhur nga erdhi dheu inspektorati i minierave i kishte kërkuar komunës së Mitrovicës t’i ofrojë faturat që kishte dorëzuar kompania për prejardhjen e dheut. Përgjigja tregon se komuna nuk ka të dhëna të tilla dhe nuk kishte dëshmuar fatura.

“Unë kam një përgjigje prej drejtorit Muja por ajo përgjigje nuk i përmbush kërkesa e mija sepse unë kam kërkuar shifra dhe ata nuk na i kane dhënë ato”, thekson kryeinspektori i KPMM-së, Gërguri.

Ai ka thënë se edhe për këtë rast e ka njoftuar Ministrin e Ambientit dhe Komunën e Mitrovicës.

Vendi ku është ekploatuar material në fshatin Broboniq të Mitrovicës

Një dosje është hapur në prokurorinë e Mitrovicës për eksploatim të ambientit ndërsa ende nuk ka dosje për zyrtarët që lejuan që me fonde publike të paguhet dheu i cili pretendohet se është nxjerrë ilegalisht dhe pa leje mjedisore.

Projekti 1.3 milionësh i Ministrisë së Tregtisë

KALLXO.com ka gjetur se edhe në projektin e Ministrisë së Tregtisë për ndërrimin e parku industrial në fshatin Lumadh të Vushtrrisë dyshohet se është punuar me material që është nxjerrë ilegalisht. KPMM-ja pretendon se në projektin në vlerë 1.3 milionë euro dheu u mor ilegalisht nga fshati Gllovatin i Vushtrrisë. KPMM-ja e ka gjobitur punkryesinë, kompaninë “Erst Bau”. Pronari i kësaj kompanie, Burim Bytyqi, thotë e ka paguar gjobën e KPMM-së.

“Nuk kam çka me thanë, e kam paguar dënimin që ma ka shqiptuar KPMM-ja, nuk e kam ditë se nuk bën me përdorë këtë dhe”, theksoi Bytyqi. KPMM-ja edhe këtë rast e ka përcjellë në Prokurori.

KPMM-ja, kallëzime të tilla penale janë ngritur edhe për rrugën unazore “Bujar Roka” e cila pritet të lidhë Gjakovën më shtetin e Shqipërisë. Edhe në atë rrugë janë konstatuar po ashtu përdorim i materialeve të nxjerra ilegalisht në mbushjen e trasesë së rrugës.

Pronari i Kompanisë Drini, Fatmir Gashi, pretendon se veprimet e tij nuk ishin legale pasi thotë se materialin e ka marrë nga një pronë private aty afër ku është duke u ndërtuar rruga.

“Materiali që është përdorur në rrugë për mbushje jo 100 por 200 % i plotëson kriteret për mbushje gjë që është verifikuar edhe prej mbikëqyrësve sepse janë 3 që e përcjellin vazhdimisht punën, ai materiali i pretenduar është 500 kubik që është hedhur skaj rrugës dhe nuk është ndonjë  sasi e madhe dhe për këtë arsye kam bë edhe ankese sepse nuk jam pajtuar me sasinë që e ka shkruar KPMM-ja”, thekson Gashi.

Udhëheqësi i projekteve në Komunën e Gjakovës, Rexhë Rexha, thotë se KPMM-ja ka mundur ta gjejë kompaninë duke eksportuar jashtëligjshëm dhe është dënuar kompania. Ai thotë se nuk ka vërejtje në ndërtimin e rrugës sepse po vazhdon mbikëqyrja.

“Vlera e këtij projekti është 3 milionë e 800 mijë euro, dhe mbikëqyrja është duke vazhduar rregullisht”, theksoi Raxha.

Materiali i marrë ilegalisht dyshohet se është përdorur në ndërtimin e rrugës që lidh fshatin Cernicë dhe Livoq të Gjilanit. Kompania “Zuka Company” nga Gjilan e cila e ka ndërtuar rrugën që lidh fshatin Cernicë dhe Livoq të Gjilanit dyshohet se ka marrë material në fshatin Cërnicë në mënyrë ilegale dhe e ka përdorur për mbushjen e rrugës.

Fatmir Gërguri, kryeinspektori i Komisionit për Miniera dhe Minerale, ka folur për këtë rast.

“Edhe këtë kompani e kemi dënuar së paku dy herë dhe i kemi bërë kallëzim penal”, theksoi Gërguri.

Muhedin Zuka, pronari i kopanisë, e pranon se inspektorët e KPMM-së e kishin takuar atë duke punuar në një pronë private dhe thotë se jo krejt materialin e marrë aty e ka përdorur në trasenë e rrugës. Ai është dënuar me mbi 13 mijë euro për këtë gjë.

“Ne nuk e kemi degraduar ambientin dhe kemi shkuar ne një vend privat te një pronar privat dhe aty kanë ardhur inspektorët dhe na kanë dënuar”, tha Zuka.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, thekson se është në dijeni të këtij shqetësimi të KPMM-së por shton se Komuna e Gjilanit tash e tutje do të bashkëpunojë edhe më shumë me inspektorët e kësaj të fundit që mos të pësojnë qytetarët nga papërgjegjësia e dikujt.

Kryeinspektori i KPMM-së, Fatmir Gërguri ka thënë se kanë telashe edhe me bizneset që i licencojnë për eksploatim të zhavorrit, pasi të njëjtat shpesh nuk e kryejnë obligimin ligjor për të kthyer sipërfaqen në gjendjen e mëparshme. Kurse për kompanitë që nuk janë fare të autorizuara për eksploatim, Gërguri thotë se i ka njoftuar organet kompetente se të njëjtat nuk i kthejnë sipërfaqen në gjendjen e mëparshme.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.