Dënime me gjobë për krimet në ambient

Kriminelet e ambientit nuk po shkojnë në burg në Kosovë. Gjykatat po shqiptojnë dënime me gjoba për personat që kanë bërë krime në ambient, duke përfshirë eksplatimin e zhavorit, hedhjen e mbeturinave inerte në shtratet e lumenjëve e dëmtimin e pyjeve. Të vetmit që janë dënuar me burg janë personat që janë zënë duke vjedhur pyjet.

Nga 50 aktgjykime të analizuara, kishte raste kur ishte shqiptuar dënim prej 200 euro edhe pse dëmi i shkaktuar ishte rreth 16 mijë euro. Recedivistët janë dënuar me gjobë edhe pse gjykata kishte konstatuar se i njëjti përsona ishte i dënuar 6 herë për vepra penale.

Gjatë analizimit të vendimeve është vërejtur që Gjykatat i kanë dyfishuar rrethanat lehtësuese dhe kanë shqiptuar dënime minimale për dëmtimin e mjedisit, ndërkohë që këto dënime nuk kanë ndikuar në ulje të krimeve ambientale pasi personat e njëjtë kanë kryerë serish krime, pra janë bërë recidivist.

Me qëllim të hulumtimit të trajtimit të veprave penale kundër mjedisit BIRN ka kërkuar të dhëna nga Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Nga përgjigjet e pranuara vërehet se Këshilli Prokurorial nuk posedon të dhëna statistikore lidhur me trajtimin e veprave penale kundër mjedisit.

“Zyra për Statistika nuk posedon të dhëna për Kapitulli XXVll- Veprat penale kundër mjedisit, kafshëve, bimëve dhe objekteve kulturore”, thuhet në përgjigjen e pranuar nga Prokuroria e Shtetit për KALLXO.com.

Kurse KGjK të dhënat statistikore të cilat i posedon dhe të cilat janë lehtësisht të qasshme për publikun i posedon për vitet 2015-2019, kurse për vitet pasuese BIRN është në pritje të përgjigjes nga ky institucion.

Kodi Penal i Kosovë parasheh se çdo person i cili bën ndotjen, degradimin ose shkatërrimin e ajrit, ujit ose tokës apo i shfrytëzon jashtë mase burimet natyrore, duhet që të dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vite.

Kurse personat të cilët e bëjë ndotjen apo degradimin e ambientit nga pakujdesia, atëherë ligjvënësi ka paraparë që të njëjtit do të dënohen me gjobë ose me burgim deri në një vit.

E në rastet më të rënda kur si rezultat i kryerjes së kësaj vepre penale dëmtohet shëndeti i një numri të madh të njerëzve, dëmtim apo asgjësim të plotë a të pjesshëm të botës bimore a shtazore, atëherë kryesi mund të dënohet deri në 5 vite burgim, ndërsa në rastet e dëmeve/shkatërrimit të papërmirësueshme ndaj mjedisit, atëherë ekziston mundësia që kryesi të dënohet deri në 8 vite burgim.

Analizimi i akgjykimeve 

BIRN ka analizuar më shumë se 45 aktgjykime për dënimin e veprat penale të kryera kundër mjedisit. Analizimi i aktgjykimeve të gjykatave të rregullta tregon se si ndotësit e ajrit dhe lumenjëve kryesisht dënohen me dënim me gjobë, për dallim nga personat të cilët i vjedhin pyjet të cilët Gjykatat u shqiptojnë kryesisht burgime me kusht si dhe në rastet kur dënohen me gjobë, lartësia e gjobës është me e lartë.

Të dy këto vepra penale janë në të njëjtin kapitull, bëjnë pjesë në mesin e veprave të cilat konsiderohen si vepra penale kundër mjedisit. Për personat të cilët me vetëdije apo qëllimisht bëjnë ndotjen, degradimin ose shkatërrimin e ajrit, ujit apo tokës, ligjëvënësi ka paraparë mundësinë e dënimit minimal me gjobë ose burgim deri në dy vite.

Kurse për personat që me qëllim të vjedhjes presin sasinë e drurëve që tejkalojnë sasinë e dy metrave kub, kryesi minimalisht dënohet me gjobë ose me burgim deri në një  vit.

Pra, dënimet për vjedhje të pyjeve janë paraparë të jenë më të ulëta se sa dënimet ndaj perso0nave që bëjnë dëgradimin e ambientit. Por, analiza tregonse praktika gjyqësore në Kosovë më ashpër e dënon vjedhjen e pyjeve sesa ndotjen, degradimin apo shkatërrimin e ajrit, ujit apo tokës.

Dukuria negative e shpeshtimit të rasteve të dëmtimit të mjedisit sic është ndotja, shkatërrimi apo degradimi i ajrit e ujit është shqetësues në raport me marrjen e masave për mbrojtjen e këtyre resurseve të rralla natyrore.

Politika ndëshkimore

Të dhënat nga analizimi i aktgjykimeve pasqyrojnë faktin se me rastin e matjes së rrethanave lehtësuese dhe rënduese gjykatat kanë bërë dyfishim të matjes së rrethanave lehtësuese.

Kodi Penal parasheh pranimin e fajit si rrethanë lehtësuese e po ashtu është paraparë edhe keqardhja e shfaqur nga i pandehuri si rrethanë lehtësuese. Me Udhëzuesin për Politikën Ndëshkimore mund të argumentohet se pranimi i fajësisë është provë e keqardhjes dhe rrjedhimisht mund të merret parasysh nga gjykata gjatë vlerësimit nëse vërtet ekziston keqardhja apo pendimi.

Pra, i akuzuari duke pranuar fajësinë tregon së është duke marrë përgjegjësinë për veprimet e tij dhe se është penduar për to. Ndonëse kjo në vetvete mund të mos jetë bindëse, në të dyja rastet gjykata duhet t’ia atribuoj faktet vetëm njërës rrethanë lehtësuese.

Ilustrim

Duke i’a atribuuar këtë më shumë se një rrethane lehtësuese, gjykata bën llogaritje të dyfishtë të fakteve që ka para vetes dhe në mënyrë jo të drejtë merr parasysh më shumë rrethana lehtësuese sesa që thotë udhëzuesi.

Me analizimin e aktgjykimeve në fjalë, në disa raste kishte dyfishim të rrethanave lëhtësuese është bërë kur është marrë për bazë pranimi i fajësisë nga i akuzuari dhe kërkim falja e shprehja e keqardhjes si rrethana të ndara, duke mos i llogaritur të dyja në një.

Kundrejt dëmit që i është shkaktuar mjedisit nga kryesit e këtyre veprave, dënimet e shqiptuara nga gjykatat janë shumë simbolike dhe jo të baraspeshuara me dëmin e shkaktuar. 

Shfrytëzimi ilegal i gurit gelqeror 

Gjykatat kanë dënuar edhe personat të cilët kanë shfrytëzuar në mënyrë ilegale gurin gëlqeror edhe për këtë vepër penale dënimet kanë qenë me gjobë.

Gjykata e Ferizajt e kishte dënuar një person me gjobë prej 1 mijë euro për shfrytëzim ilegal të gurit gëlqeror, edhe pse i njëjti ishte recidivist. Me rastin e shqiptimit të këtij dënimi, gjykata është arsyetuar se është arritur qëllimi i dënimit pasi i njëjti ishte në proporcion me veprën penale si dhe me sjelljën e të pandehurit. Në arsyetimin e gjykatës thuhet se dënimi i shqiptuar është adekuat me intensitetin e rrezikimit të vlerave të mbrojtura, duke konstatuar se vendimi i shqiptuar konsiderohet se do të ndikojë tek i akuzuari dhe personat tjerë qe të shmangen nga kryerja e veprave penale në të ardhmen e të forcohet detyrimi për respektimin e ligjit. 

Krejt këtë arsyetim gjykata e ka dhënë me rastin e shqiptimit të dënimit ndaj të pandehurit i cili është recidivist. Madje në aktgjykim është konstatuar se i njëjti ka qenë kryes i gjashtë veprave të të tjera, duke përfshirë vepren penale për shfrytëzim ilegal të gurit gëlqeror. Pra, gjykata ka konstatuar se i panehuri është recidivist dhe e ka kry vepër e njëjtë penale dhe prapë i ka shqiptuar dënim me gjobë prej 1 mijë euro.

Zbutja e dënimeve në emër të gjendjes ekonomike

Në një rast tjetër, Gjykata e Gjilanit e kishte dënuar me gjobë në vlerë prej 400 euro një person për veprën penale të ushtrimit të ndikimit të aktivitetit të jashtëligjshëm minierar duke operuar pa qenë i pajisur me licencë nga organi kompetent. Edhe në këtë rast, në aktgjykim ishte konstatuar se i njëjti ka qenë recidivist, pasi kishte qenë i dënuar për vepra të tjera penale.

Në një rast tjetër, Gjykata e Pejës e kishte dënuar një person me 300 euro edhe pse ishte konstatuar se i nëjti kishte shkaktuar dëme në vlerë 5 mijë euro. Rasti kishte ndodh në vitin 2017 dhe në Gjykatë është dërguar nga inspektorët e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale – KPMM, pasi personi i njëjti ishte zënë duke bërë përpunimin/seperiminilegal të resurseve minerale dhe atë të rërës dhe zhavorrit.

Në arsyetimin e vendimit të kësaj Gjykate, gjyqtari i rastit nuk kishte konsideruar asnjë rrethanë rënduese në veprimet e të akuzuarit. 

“Rrethanë renduese në rastin konkret gjyqtari nuk ka gjetur, kurse nga ato lehtësuese ka çmuar: pranimin e sinqertë të fajësisë, pendimin e thellë për këtë gjë, qëndrimin korrekt në gjykatë, fakti se i pandehuri është mbajtës i familjes 6 anëtarësh, dhe kësisoj gjyqtari mendon se edhe me një vendim si në dispozitvin e aktgjykimit ndaj të pandehurit do të arrihet qëllimi i ndëshkimit”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Pejës.

E njëjta gjykatë e kishte dënuar me kusht prej 6 muajve si dhe dënim em gjobë në lartësi të 300 eurove një person për veprën penale të vjedhjes së pyllit. I akuzuari që u gjet fajtor nga Gjykata e Pejës për vjedhjen e pyllit meqë i njëjti ishte zënë duke prerë dru ilegalisht në Parkun Kombëtarë Bjeshkët e Nëmura. Vlera e dëmit të shkaktuar ishte në lartësi të afro 400 eurove.

Gjykata, ilustrim
Foto: Pixabay

Një rast tjetër të analizuar nga BIRN është edhe rasti i gjykuar nga Gjykata e Gjakovës ndaj një personi i cili i kishte hedhur mbeturinat përkatësisht mbetjet materialit ndërtimor buzë lumit , me c’rast me këtë veprim kishte ndotur mjedisin dhe kishte rrezikuar jetën dhe shëndetin e njeriut. Për këtë veprim, të njëjtit Gjykata i kishte shqiptuar burgim me kusht prej dy muajve i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse i akuzuari brenda kohës se verifikimit në afatin prej një viti, nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Dënime të rënda për vjedhje e pyetjeve

BIRN ka analizuar edhe një vendim tjetër të marrë nga Gjykata e Gjakovës, e cila e kishte dënuar me një gjobë prej 200 eurove një person i cili ishte akuzuar se ka shkaktur dëme në vlerë prej rreth 16 mijë euro.

Gjykata kishte konstatuar se i akuzuari duke përdorur eskavatorin, pa licencë dhe në mënyrë ilegale ka shfrytëzuar jashtë mase burimet natyrore, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete në kundërshtim me Ligjin për Minierat dhe Mineralet e duke i shkaktuar kështu dëm të konsiderueshëm shtetit. 

Gjykata e Mitrovicës e kishte dënuar me gjobë prej 400 euro të akzuarit për vjedhjen e 18 trungjejve te llojit te drurit ah në vellim prej 20 cm.

Gjykata e Gjilanit e ka dënuar me gjobë prej 550 euro një person për veprën e njëjtë penale të ndotjes degradimit dhe shkatërrimit të mjedisit ndaj të akuzuarit që i ka shkaktuar dëm shtetit në vlerë prej mbi 5 mijë eurove. E njëjta gjykatë, ndaj të akuzuarit për vjerdhje të pyllit ka shkaktuar dënim me kushtë me kohëzgjatje prej 6 muajëve burim edhe pse ishte konstatuar se i kishte shkaktuar dëm shteti në lartësi prej 400 eurove. Në rastin konkret Gjykata si rrethanë rënduese ka marrë shkallën e përgjegjësisë penale dhe rrezikshmërinë e veprës penale.