Ramush Haradinaj shpall kandidaturën për president të Kosovës

Në një mbledhje të strukturave të larta të saj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shpallur kandidaturën e kryetarit të saj, Ramush Haradinaj, për president të Kosovës.

Në mbledhjen e mbajtur sot, AAK ka diskutuar për zhvillimet politike dhe qeverisëse në vend.

Sipas njoftimit të partisë, Këshilli Drejtues i AAK-së e ka autorizuar kryetarin Haradinaj që në emër të Aleancës të zhvillojë çfarëdo bisedimesh eventuale për rikonfigurimin eventual të Qeverisë, përfshirë këtu edhe çështjen e presidentit nëse kjo do vjen në rend të ditës.

“Këshilli Drejtues po ashtu, ka kërkuar me shumicë, që në këto bisedime, kandidat për president të jetë kryetari Ramush Haradinaj”, thuhet në njoftim.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u ka shprehur ngushëllime të gjithë atyre që kanë humbur familjarët nga COVID-19.

AAK ka ftuar qytetarët e vendit të respektojnë udhëzimet e ekspertëve shëndetësorë, në mënyrë që sa më shpejt të dilet nga kjo pandemi.

“Aleanca nuk përkrah bllokimin e vendit, kufizimin e lirisë së lëvizjes dhe bllokimin e bizneseve dhe ekonomisë. Përkundrazi, Aleanca konsideron se bizneset dhe qytetarët duhet të mbështeten sa më shumë me grante e subvencione, që do ndihmojnë në kapërcimin e krizës aktuale”, thuhet tutje në komunikatë.

AAK nuk përkrah dialogun teknik në nivele të ulëta koordinatorësh, duke e konsideruar si të gabuar dhe kthim prapa në pozicionin e Kosovës.

AAK përkrah dialogun me lidership amerikan, që do përfundojë me njohjen reciproke mes dy vendeve.

Koalicionin qeveritar e kemi mbështetur pa kushte, për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike, në mënyrë që një qeveri legjitime të marrë masat e duhura në dobi të qytetarëve të vendit. Por, AAK nuk do të përkrah marrëveshjet e natyrës teknike në të cilat ekziston rreziku që po rrëshqasim.

Aleanca do të jetë si gjithmonë konstruktive në interes të vendit në rast të zgjidhjeve politike të cilat janë në dobi të mirëqenies së qytetarëve.