‘Kriza’ në koalicionin qeverisës, LDK komenton kërkesat e AAK-së

Zhvillimet e fundit lidhur me dialogun me Serbinë, si dhe hyrja e pjesëtarëve të xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës kanë shpërfaqur pakënaqësitë dhe kritikat mes partnerëve të koalicionit qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

AAK-ja po kërkon rol më të theksuar në qeveri për procesin e dialogut, përderisa nga LDK-ja thonë se koalicioni duhet të mirëfunksionojë dhe se nuk është koha e duhur për shkuarje në zgjedhje të reja.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha shkurt për KALLXO.com se nuk i interesojnë këto deklarata.

“Me të thënë të drejtën është çështje mediale. S’më interesojnë këto deklarata, këto janë çështje të koalicionit, me koordinimin në qeveri merret kryeministri. S’është punë e imja”, tha Gashi për KALLXO.com.

Ndërsa, nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova tha se për këto tema duhet të diskutojnë të dy kryetarët e partive.

Sipas Rugovës, ngjarjet e fundit janë më shumë “spekulime”.

“Koalicioni është formuar me vendimet e kryesisë së LDK-së dhe për këtë çështje kryesia e LDK-së nuk është mbledhë për ta diskutuar. Unë mendoj që koalicioni duhet të funksionojë. Si duket ka më shumë, këso, që e thojmë ne një fjalë popullore ‘hasretxhi’ që mezi po presin me u prishë ai koalicion”, tha ai për KALLXO.com.

Nënkryetari i LDK-së, megjithatë vlerëson se çdo gjë mes partnerëve në qeveri mund të zgjidhet përmes dialogut.

“Për ato çështje e ka marrë përsipër kryetari i LDK-së, z. Isa Mustafa, të takohet me Ramush Haradinajn dhe këta dy liderë që janë nënshkrues të koalicionit duhet ta bisedojnë dhe është çështje e tyre. Çdo gjë mund të zgjidhet përmes dialogut”, u shpreh ai.

Rugova theksoi se në këtë kohë nuk duhet të mbahen zgjedhjet.

“Nuk ka zgjedhje, duhet me mbajtë qeverinë, është periudhë e rëndë e cila nuk ka asnjë vlerë të shkohet në zgjedhje. Nuk e kemi luksin e zgjedhjeve të reja”, shtoi Rugova.

KALLXO.com ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga zëvendëskryeministri Driton Selmanaj (LDK), por ai ka qenë i paqasshëm përmes telefonit.

Vetë Selmanaj një ditë më parë duke iu përgjigjur zyrtarëve të AAK-së, në lidhje me negociatat me Serbinë, tha se e posti i kryeministrit është autoriteti i vetëm ekzekutiv që udhëheq procesin e dialogut.

“Për të gjithë ata që ende kanë dilema. Kryeministri i Qeverise së Kosovës është autoriteti i vetëm ekzekutiv që udhëheq dialogun mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Platforma e vetme politike për dialog është dhe mbetet Kushtetuta e Kosovës”, shkroi ai në Facebook.

Në anën tjetër, zyrtarë të AAK-së, përfshirë vetë kryetarin Ramush Haradinaj publikisht ditë më parë shfaqën kritika ndaj kryeministrit Avdullah Hoti për negociatat me Serbinë dhe mospërfshirjen e zyrtarëve të tyre në këtë proces.

I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj kishte deklaruar se nuk ka qenë në dijeni për emërimin e Skender Hysenit koordinator shtetëror për dialogun.

Ndërsa, edhe ministri i Drejtësisë që vjen nga radhët e AAK-së, Selim Selimi ka kërkuar që të jetë pjesë e bisedimeve në Bruksel, pasi sipas tij procesverbalet nga takimet, për partinë e tij janë të pamjaftueshme.

Ndërkohë, hyrja e disa trupave të ushtrisë së Serbisë në territorin e Kosovës, përkatësisht në Karaçevë të Kamenicës, për të cilin veprim KFOR-it tha se është bërë në sinkronim me ta, nxiti reagime ndaj qeverisë edhe nga vetë anëtarë të kabinetit të Hotit.

Fillimisht, atë ditë ish-kryeministri Ramush Haradinaj kishte vizituar vendin e ngjarjes  fshatin Karaçevë të Kamenicës. Ndërsa, kryetari i Gjilanit, njëherit nënkryetar i LDK-së, Lutfi Haziri kishte thënë se “nëse nuk dëshironi me pa xhandarmësinë serbe në Karaçevë duke të vendoset kufiri në Ristovc”.

Më pas kishte reaguar kryeministri Avdullah Hoti i cili ishte shprehur se në ditët në vijim do të merren veprime konkrete nga institucionet e sigurisë së Kosovës, në koordinim me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, përfshirë këtu patrullimet e përbashkëta me KFOR-in.

Por ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë Hoti, Meliza Haradinaj-Stublla thotë se ngjarja e 7 gushtit në Karaçevë nuk rezulton të jetë patrullim i sinkronizuar, por patrullim i përbashkët mes KFOR-it dhe Serbisë.

Sipas saj, për këtë gjë askush nuk ka mandat e as autorizim.

Stublla-Haradinaj, e cila vjen radhët e AAK-së kishte deklaruar se mekanizmat e sigurisë në asnjë mënyrë nuk do të duhej të lejojnë, e aq më pak të lehtësojnë patrullime të tilla në territorin e Republikës së Kosovës, që sipas saj shkaktojnë shqetësime dhe pasiguri te qytetarët e asaj ane.

Kurse, ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu (LDK), ka thënë se gjatë një takimi me komandantin e KFOR-it, gjeneralimajorin Michele Risi, është njoftuar se hyrja e forcave të xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët i këtyre forcave me pjesëtarët e KFOR-it.

Qeveria e Kosovës në krye me Avdullah Hotin e LDK-së u votua më 3 qershor 2020. Isa Mustafa, si kryetar i LDK-së lidhi marrëveshje për bashkëqeverisje me AAK-në e Ramush Haradinajt, Nismën e Fatmir Limajt, Listën Serbe dhe pakicat tjera në Kuvend të Kosovës.

Telashet “teknike” të një koalicioni politik