Foto: Aleanca Kosova e Re/ Facebook

AKR-ja e Behgjet Pacollit nuk ia ka dhënë VV-së nënshkrimet për mocionin ndaj qeverisë

Aleanca Kosova e Re (AKR) e Behgjet Pacollit, nuk ia ka ofruar nënshkrimet Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me mocionin e paralajmëruar nga kjo parti politike për rrëzimin e qeverisë.

Nga kjo parti mes tjerash thonë se nuk përkrahin rrëzimin e qeverisë Hoti, pa u analizuar situata në lidhje me zhvillimet politike, duke demantuar kështu deklarimet se AKR është pro rrëzimit të ekzekutivit.

Deputetja nga radhët e AKR-së në Kuvendin e Kosovës, Mirlinda Sopi- Krasniqi ka thënë për KALLXO.com se nuk i kanë dhënë nënshkrimet për mocionin e LVV-së.

“Jo, nuk i kemi foruar nënshkrimet [për mocionin e LVV].  Nënshkrimet nuk i kemi dhënë, ndërsa për qëndrime zyrtare të partisë konsultoni sekretarin më mirë, ai e jep qëndrimin zyrtar të partisë”, është shprehur ajo.

E pyetur se cili është qëndrimi i saj si deputete, Sopi- Krasniqi theksoi se nuk ka ndonjë qëndrim individual.

“Nuk kam qëndrim individual sepse aty përfaqësoj një subjekt politik dhe normlisht që unë e përfaqësoj edhe qëndrimin e partisë. Në momentin që partia jep nënshkrim për rrëzimin e qeverisë, atëherë edhe unë jam pro asaj”, shtoi deputetja për KALLXO.com.

Ndërsa, sekretari i AKR-së, Vesel Makolli ka thënë për KALLXO.com se ende nuk e kanë analizuar situatën për të pasur një qëndrim.

“Janë dy opsione, shkurja në zgjedhje ose zgjedhja e presidentit. Prandaj jemi për atë që këto dy opsione të qiten në tavolinë, të mblidhen të gjitha partitë, të merret opsioni më i mirë për vendin. Ne si parti gjithmonë kemi qenë në përkrahje të institucionalizmit, e kemi pasur gjithmonë interesin shtetëror përpara atij partiak. Më së miri është që kjo të analizohet mirë e mirë”, tha ai.

“Jo, jo nuk është [qëndrimi pro rrëzimit të qeverisë] pa u analizuar kjo. Në pyetje është Kosova, shteti, të gjithë duhet me qenë unik”, shtoi Makolli.

Ai foli edhe për mocionin e LVV-së.

“Jo, jo nuk e përkrahim pa dalë me u analizu. E shohim atë që është më e mira për shtetin, jo ta përkrahim Ad-hoc, ajo nuk shkon ashtu. Është situata shumë delikate pas zhvillimeve në Hagë”, shtoi sekretari i AKR-së.

Një javë më parë, Naim Murseli këshilltar i kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacollit, ka thënë se kjo parti do ta mbështesë rrëzimin e Qeverisë aktuale të kryesuar nga Avdullah Hoti.

“Kjo qeveri tani ka humbur besueshmërinë e saj dhe qytetarët po presin me padurim një të re për të marrë detyrën. Në këtë situatë asnjë President i ri nuk do të mund të zgjidhet pa vullnetin e opozitës. AKR do të mbështesë rrëzimin e kësaj qeverie”, ka thënë Murseli.

AKR-ja në Kuvendin e Kosovës përfaqësohet nga dy deputetët, Behgjet Pacolli dhe Mirlinda Sopi- Krasniqi.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu ka thënë për KALLXO.com se mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë tashmë bartë 31 nënshkrimet e Grupit Parlamentar të kësaj partie.

“Me përjashtim të Listës Serbe, shkresa e mocionit, me rastin e fillimit të mbledhjes së nënshkrimeve, iu ështe dërguar PDK-së, AAK-së e NISMA-AKR-së. Deputetë e zyrtarë të këtyre subjekteve kanë shprehur edhe publikisht kritika e pakënaqësi të hapura ndaj kësaj qeverie”, ka thënë ai.

Kryeziu ka shtuar se mocioni i mosbesimit i nisur nga Lëvizja Vetëvendosje tash katër muaj më parë, është adresa e duhur për të shprehur kundërshtimin ndaj kësaj qeverie edhe përmes veprimit politik në Kuvend për rrëzimin e saj.

“Pra ka një nismë për rrëzimin e qeverisë. Fati i këtij mocioni, për të cilin duhen 40 nënshkrime të deputetëve që të inciohet në kuvend, varet tash nga gatishmëria e të tjerëve dhe serioziteti i tyre për rrëzimin e kësaj qeverie, duke filluar nga subjekti tjetër politik opozitar në kuvend”, thuhet në përgjigjen e tij për KALLXO.com.

Pas dorëheqjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, nga 5 nëntori i këtij viti detyrën e presidentes është duke e ushtruar kryeparlamentarja Vjosa Osmani, e cila nuk mund të qëndrojë në këtë pozitë më shumë se gjashtë muaj.

Kurse, Qeveria e Kosovës ende nuk ka ndonjë datë konkrete se kur pritet të mbahet tryeza me partitë politike vendore për të diskutuar për çështjen e presidentit të ardhshëm.

Synimin për pozitën e kreut të shtetit e kanë bërë publik disa prej partive politike në Kosovë, kurse Lëvizja Vetëvendosje është duke kërkuar më ngulm mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.