Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Kandidati i AKR-së për kryetar kërkon rinumërim të votave në Prishtinë
Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës në zgjedhjet e 17 tetorit nga Aleanca Kosova e Re, Gëzim Mehmeti, ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të rinumërojë votat në të gjitha vendvotimet në kryeqytet, pasi që, sipas tij, ka pasur shumë parregullsi.
“Kërkesa jonë është që në Prishtinë të gjitha vendvotimet, 238 të rinumërohen. Këto i themi duke u bazuar në këto fakte, në këto parregullsi që i kemi, që janë për publike. Ne po ashtu do të parashtrojmë ankesa bazuar në afatet ligjore në PZAP”, tha ai derisa shpalosi dokumentet të cilat, sipas tij, dëshmojnë parregullsitë.
Sipas tij, provat të cilat ai thotë se i ka AKR tregojnë se ka pasur parregullsi, pasi që janë shpallur të pavlefshme fletët e votimit si dhe kanë manipuluar dhe regjistruar të dhëna jo të vërteta.
Ai potencon se KQZ i ka përgatitur mirë zgjedhjet por që sipas tij disa individë të caktuar, grupacione dhe subjekte, kanë abuzuar me votën e qytetarëve.
Mehmeti gjatë një konference për shtyp po ashtu shpalosi disa dokumente të cilat sipas tij, janë prova të cilat tregojnë parregullsitë në ditën e zgjedhjeve në Prishtinë dhe për këtë ai thekson se është i bindur që KQZ do të reagojë.
Shtatë ditë më parë në nivel vendi janë mbajtur zgjedhjet komunale për të parin e komunës si dhe për anëtarët e asambleve komunale.
21 komuna pritet të shkojnë në balotazh për kryetarë.