Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tejeci: Do të jap dorëheqje nëse më ngritet aktakuzë

Kandidati i Aleancës Kosova e Re për kryetar të Prizrenit, Afrim Tejeci, ka dhënë disa zotime në DebatPernime përballë Jeta Xharrës.

Berisha ka thënë se do të jap dorëheqje nëse do t’i ngritet aktakuzë atij dhe drejtorëve të emëruar nga ai.

Po ashtu, kandidati i AKR-së ka treguar që ai, bashkë me asamblistët dhe fondacionin e Behgjet Pacollit e financojnë fushatën e partisë.

Jeta Xharra: Kush po ua financon fushatën?

Afrim Tejeci: Na jemi AKR, bashkë me asamblistë, është edhe një fondacion nga Behgjet Pacolli.

Jeta Xharra: A jepni dorëheqje nëse ju ngrisin aktakuzë?

Afrim Tejeci: Po, natyrisht.

Jeta Xharra: A i shkarkoni drejtorët e komunës nëse ju ngritet aktakuzë?

Afrim Tejeci: Po.

Jeta Xharra: Kur do t’a publikoni listën e uzurpatorëve të pronave komunale?

Afrim Tejeci: Sa të rrimë qaty në karrige.

Jeta Xharra: A do t’a vendosni kriter të plotë që drejtorët e shkollave të jenë apolitik?

Afrim Tejeci: Absolutisht, do t’u jepet hapësirë njerëzve profesionistë në çdo fushë që janë.

Jeta Xharra: A do të nisni procedura disiplinore për zyrtarët e komunës për të cilët raporti i auditorit ka gjetur shkelje?

Afrim Tejeci: Absolutisht, njerëzit që nuk e meritojnë as që mundet të bisedohet. Do të kërkojmë njerëz edhe nga partitë e tjera dhe nga shoqëria civile që mos të kemi probleme.

Jeta Xharra: Cili do jetë vendimi i parë që keni me e marrë si kryetar i komunës?

Afrim Tejeci: Të mbrojmë zonën historike të qytetit.

Jeta Xharra: A vjen në debat nëse i fitoni zgjedhjet? 

Afrim Tejeci: Absolutisht do të vij në debat.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë karrigen e të parit të Prizrenit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Prizrenit: Afrim Tejeci nga AKR; Anton Quni nga LDK; Milazim Lushaj, kandidat i pavarur; Mytaher Haskuka nga LVV; Shaqir Totaj nga PDK dhe Zafir Berisha nga Nisma Socialdemokrate.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe shtatë kandidate për asambliste në Kuvendin Komunal të Prizrenit: Afërdita Morina nga LDK; Afërdita Spahiu nga AKR; Dafina Bllaca nga PDK; Lirije Bytyqi nga Nisma Socialdemokrate; Mimoza Bushrani nga LVV; Ngadhjesa Bresa nga Lista GUXO dhe Shqipe Kastrati nga AAK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.