Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidati i AKR-së për Prishtinën tregon së çfarë do të bëhet me ndërtimet në zonën e Badovcit

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Aleanca Kosova e Re, Gëzim Mehmeti ka thënë se nëse bëhet kryetar, ndërtimet në zonën e liqenit të Badovcit do të lejohen vetëm aty ku parashihet me rregulloret në fuqi.

Ai ka shtuar se do ta mbrojnë zonën e parkut të Gërmisë.

“Në bazë të legjislacionit në fuqi në Badovc nuk lejohet ndërtimi, pjesërisht lejohet për shtëpi ndërtimi. Do të lejohet ndërtimi aty ku lejohet. Ne do ta mbrojmë zonën e Gërmisë. Zona e Kolovicës dhe Sofalisë do të vazhdohet ashtu siç është, me ndërtime të ulëta. Ne nuk duhet të harrojmë që Badovci është shpallur zonë e mbrojtur me anë të një vendimi të Kuvendit rreth liqenit që do të thotë se në zonat dy dhe një nuk do të lejohet ndërtimi”, theksoi ai.

Mehmeti ka shtuar se bëhet fjalë për zonën e Badovcin.

“Nuk flitetet vetëm për Badovcin por për zonën Badovcit, do të thotë është një zonë katastrale në anën e majtë dhe kompetencë ka komuna e Prishtinës dhe ka vendim për këtë”, tha ai.

Sonte, për herë të parë, kandidatët për kryetar të Prishtinës debatojnë mes vete në #DebatPernime.

Kandidatët për kryetar të Prishtinës të cilët do të shpalosin programet dhe planet e tyre për kryeqytetin për katër vitet e ardhshme.

Se si do të duket Prishtina në vitin 2025 do të tregojnë: Arben Vitia nga LVV; Avni Çakmaku nga Fjala; Daut Haradinaj nga AAK; Florim Isufi Partia Balliste; Gëzim Mehmeti nga AKR; Përparim Rama nga LDK dhe Uran Ismail nga PDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës së Prishtinës janë edhe kandidatet për asambliste: Diona Mejzinolli nga LVV; Donjeta Dragusha nga LDK; Dhurata Salihi nga AAK; Eliza Hoxha nga PDK; Figen Shabani nga KDTP; Fiknete Bejta nga AKR dhe Marigonë Tahiri nga Lëvizja për Bashkim.