Foto: Facebook/ Aleanca Kosova e Re

AKR pro rrëzimit të Qeverisë Hoti

Naim Murseli, këshilltar i kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacollit, ka thënë se kjo parti do ta mbështesë rrëzimin e Qeverisë aktuale të kryesuar nga Avdullah Hoti.

Murseli përmes një postimi në Facebook tha se vetëm një opozitë e bashkuar mund të hapë rrugë për zgjedhje të reja në Kosovë, duke i lidhur ato edhe me postin e presidentit.

“Kjo qeveri tani ka humbur besueshmërinë e saj dhe qytetarët po presin me padurim një të re për të marrë detyrën. Në këtë situatë asnjë President i ri nuk do të mund të zgjidhet pa vullnetin e opozitës. AKR do të mbështesë rrëzimin e kësaj qeverie”, ka thënë Murseli.

Sot edhe deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka kërkuar që të shpërndahet Kuvendi i Kosovës.

Posti i presidentit të ri të vendit ka ndikuar që diskursi ndërmjet partive politike të vend të ashpërsohet.

Të martën, ish-kryeministri kosovar, tani pretendent për shef të shtetit, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Partinë Demokratike të Kosovës. Madje, ai tha se, në kohën kur lidhi koalicion me PDK-në, në vitin 2017, ishte kritikuar shumë se u bë bashkë me ‘hajnat e Pronto-s’.

Komenti i Haradinajt erdhi pasi zyrtarë të PDK-së kanë thënë se nuk i kanë borxh votën për president me pretendimin se ishte PDK ajo që e bëri kreun e AAK-së kryeministër të vendit në vitin 2017 si pjesë e koalicionit parazgjedhor PDK-AAK-NISMA.

Krahas kësaj, ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se kjo parti nuk do të votojë në Kuvend një president që krijon përçarje në vend.

Kurse, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se emri i presidentit të Kosovës kalon nëpër zyrat e kësaj partie.

Ushtruese e detyrës së presidentit është kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, por në bazë të Kushtetutës ajo nuk mund të ushtrojë këtë detyrë më shumë se gjashtë muaj.

Partnerët e koalicionit qeverisës (Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe pakicat) kanë edhe pesë muaj kohë për arritjen e dakordimit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Më 24 nëntor, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka paralajmëruar thirrjen e një takimi me liderët e partive politike për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Ai ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme, nuk janë opsion.

Deri më tash, vetëm lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ka shprehur hapur synimin për t’u bërë president i vendit, por ai nuk është mbështetur nga LDK-ja.