Gjykimi për mbindërtimin në Drenas | Foto: KALLXO.com

Eksperti e Konsideron të Parrezikshëm Mbindërtimin në Drenas

Në gjykimin për mbindërtimin në kompleksin banesor numër pesë të Komunës së Drenasit, për të cilin po akuzohen, ndërtuesi i tij, njëri nga banorët dhe dy zyrtarë komunalë, një ekspert i ndërtimtarisë tregoi rezultatet e ekspertizës së tij.

Eksperti i ndërtimtarisë Lulzim Hoti deklaroi se pas marrjes së aktvendimit që t’i bëjë ekspertizë këtij objekti, e ka vizituar atë për ta parë nga afër.

Sipas Hotit, kompleksi banesor i Komunës së Drenasit përbëhet nga përdhesa dhe katër kate, ndërsa mbi këto kate është vendosur edhe një nënkulm- mbindërtim.

Ai tha se mbindërtimi është dashur të definohet në pesë pika, ashtu si është caktuar nga gjykata.

“Provat që kam marrë janë përgjigje të dhëna në raport dhe janë bazuar në rregullat, ligjin e ndërtimit, kodin e ndërtimit dhe stabilitetin e strukturës sipas Eurocode 2. Këto të dhëna pastaj i kam elaboruar dhe jam përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues”, deklaroi eksperti i ndërtimtarisë Lulzim Hoti.

Ai tha se fakte ka marrë në vendshikim dhe me vizita, njërën në organin komunal dhe një në objekt.

Eksperti theksoi se edhe në raport ka deklaruar se nënkulmi i mbindërtuar nuk posedon leje ndërtimi.

Meqë në shkresat e lëndës është një pëlqim që është dhënë nga komuna për renovim, eksperti sqaroi se pëlqimi ishte marrë nga banorët me nënshkrime që dëmet dhe lagështia të eliminohen, por jo që të bëhej mbindërtim.

Pyetjes së trupit gjykues se nëse ky mbindërtim kishte rrezikuar jetën e banorëve, eksperti Hoti iu përgjigj negativisht.

“Ndërtimi i nënkulmit si mbindërtim nuk rrezikon jetën dhe trupin e njerëzve pasi që struktura, konstruktura aktuale në krahasim me peshën e termo-izolimit, pllakave të betonit nuk e tejkalon peshën e konstruksionit të drurit me shtyllat aktuale. Kjo është verifikuar dhe llogaritur edhe nga projekti i Prof.Dr Bujar Emra që ka llogaritur peshat, strukturën dhe stabilitetin”, deklaroi eksperti i ndërtimtarisë.

Në seancën e këtij gjykimi të zhvilluar në muajin maj gjykata kishte marrë vendim që rrezikshmëria e mbindërtimit të vlerësohej nga një ekspert i ndërtimtarisë.

http://kallxo.com/gjykimi-per-mbindertimin-ne-banesat-e-komunes/

Sipas aktakuzës, Izet Kukaj, pronari i kompanisë “Elita-A” gjatë qershorit të vitit 2013 në bllokun banesor numër V të Komunës së Drenasit pa leje dhe në mënyrë të kundërligjshme ndërtoi një kat në nënkulm me gjithsej 14 banesa që kishin sipërfaqe 1800 metra katrorë.

Aktakuza precizon se 13 nga këto banesa Izet Kukaj i ka shitur në shumën prej 252 mijë eurove, ndërsa njërën nga to e ka ndalur për vete.

Hyrije Xhemajlaj-Thaçi që në periudhën kur akuzohet ishte drejtoreshë e Inspektoratit Komunal të Drenasit dhe Halim Vrellaku që kryente detyrën e shefit të Inspektoratit ngarkohen se nuk vepruan për të parandaluar ndërtimin pa leje.

Sipas aktakuzës, njërën nga banesat e mbindërtimit ilegal në objektin banesor të Drenasit e bleu vëllai i të akuzuarës  Hyrije Xhemajlaj-Thaçi që në atë kohë udhëhiqte Drejtorinë e Inspektimit.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 5 korrik.

KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për këtë gjykim.

http://kallxo.com/gjykimi-per-ndertimin-pa-leje-ne-drenas/