Me 4.5 milionë euro nga Granti i Performancës pritet të ndërtohet dhe zgjerohet sheshi në Drenas

4.5 milionë euro që i ka fituar nga Granti i Performancës komunale, kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci ka vendosur që të realizojë një projekt në qytet.

Me këto mjete, po planifikon të ndërtojë dhe zgjerojë sheshin “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci” në Drenas.

Sipas njoftimit të Komunës së Drenasit, ky projekt do të bashkëfinancohet nga Ministria e Administrimti të Pushtetit Lokal, projektit DEMOS dhe Komunës së Drenasit, dhe vlera totale për realizimin e këtij projekti është 4,492,660.60 euro.

Sipas tyre, MAPL do të ndajë shumën prej 616,388.80, DEMOS shumën prej 1,118,387.08 dhe Komuna e Drenasit vlerën prej 2,457,884.72. 

“Këto mjete për realizimin e këtij projekti, nuk do të shpenzohen nga buxhet i përgjithshëm komunal, por janë mjete të fituara nga Granti i Performancës Komunale, ku Komuna e Drenasit në nivel vendi, ka fituar vendin e parë” – thuhet në njoftimin e Komunës së Drenasit.

Komuna e Drenasit ka fituar sërish grantin e performacës nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në vlerë prej 2 milionë e 34 mijë e 775 euro.

Kryetari Ramiz Lladrovci këtë arritje ia ka dedikuar ish-presidentit Hashim Thaçi, pasi kjo datë sipas tij, është afër shpalljes së Pavarësisë dhe Epopesë së UÇK-së.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) e Kosovës, në partneritet me BE-në në Kosovë, dhe qeveritë e Zvicrës, Suedisë dhe Norvegjisë, ndanë sot Grantet e Performancës Komunale në vlerë prej 7.85 milionë euro për gjashtë komunat me performancën më të mirë në Kosovë.

Grantet iu dhanë Gllogocit, Lipjanit, Obiliqit, Vitisë, Gjakovës dhe Klinës, për performancën e tyre të mirë gjatë vitit 2021 në fushat e qeverisjes demokratike, menaxhimit komunal dhe ofrimit të shërbimeve publike, ndër të tjera.