Drenas, hapet shqyrtimi publik për planin rregullues për qendrën e qytetit

Komuna e Drenasit ka bërë sot hapjen zyrtare të shqyrtimit publik të Projekt-Dokumentit – Plani Rregullues i Hollësishëm për Qendrën e Qytetit.

Sipas Komunës së Drenasit, qëllimi i këtij prezantimi ishte që të zhvillohen konsultime dhe që të inkurajohet pjesëmarrja transparente e publikut në procesin e hartimit të këtij dokumenti të planifikimit hapësinor që përcakton kushtet për rregullimin e hapësirave për zona urbane apo zona rurale, siç është përcaktuar në Planin Zhvillimor Komunal dhe Hartën Zonale Komunale për një periudhë së paku 8 vjeçare.

Në këtë takim, kryetari i Komunws, Ramiz Lladrovci është shprehur se është i lumtur që gjatë qeverisjes së tij ka arritur të miratojë dy dokumentet me të rëndësishme të planifikimit hapësinor, siç janë Plani Zhvillimor i Komunës së Gllogocit 2020-2028 dhe Harta Zonale e Komunës së Gllogocit 2022-2030/

Kryetari Lladrovci ka falënderuar kontribuuesit e hartimit të Planit Rregullues të Hollësishëm për Qendrën e Qytetit, Ekipin Komunal të Planifikimit Hapësinor, kompaninë hartuese INSI shpk për dhënien e kontributit gjatë procesit të hartimit të Planit Rregullues të Hollësishëm.

Gjatë periudhës së shqyrtimit publik qytetarët e Komunës së Drenasit do të kenë mundësi që të japin vërejtjet, komentet dhe sugjerimet.

Shqyrtimi publik do të zgjatë 30 ditë që nga dita e hapjes.

Projekt dokumentin Plani Rregullues i Hollësishëm për Qendrën e Qytetit Gllogoc mund ta gjeni të publikuar në ueb faqen e Komunës së Drenasit në këtë LINK.