Ramush Haradinaj -kryeminister

Verë, raki, mish e mantia në darkën e Qeverisë së Ramush Haradinajt (Dokument)

Natën 1 shkurtit të vitit të kaluar në emër të kabinetit të Kryeministrit Ramush Haradinaj ishin shpenzuar 153 euro për një darkë.

Në këtë darkë ishin konsumuar pije alkoolike me vlerë prej 56 euro e 30 cent.

Fatura ishte shtypur në ora 22:00 të datës 1 shkurt 2018, dhe ishte nënshkruar nga shefi i kabinetit të Ramush Haradinajt.

Në këtë darkë, që nuk dihet se kush ka marrë pjesë janë konsumuar 2 shishe verë Cabernet me vlerë totale prej 50 euro, apo 25 euro për shishe.

Poashtu janë pirë edhe 3 gota raki të kumbullës që kanë kushtuar 6 euro e 30 cent.

As në këtë darkë nuk ka munguar ajvari dhe djathi. Për këto dy produkte ishin shpenzuar 8 euro e 40.

Të pranishmit në këtë darkë kanë ngrënë edhe mantia e lloje të ndryshme të mishit.

KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka marrë faturat e shpenzimeve të drekave dhe darkave zyrtare të Kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave.