Dështon Largimi i Uzurpatorit të Pronës në Pejë

Prokuroria Themelore në Pejë ia refuzoi kërkesën Policisë së Kosovës për ta liruar një pronë nga uzurpuesi, me arsyetimin se me këtë rast është duke u marrë gjykata.

Kryeprokurori i Pejës Agron Galani tha për KALLXO.com përmes telefonit se rasti ka qenë në procedurë gjyqësore dhe se prokuroria nuk ka mundur të ndërhyjë sipas kërkesës së Policisë.

“Ajo pronë e uzurpume është me aktgjykim të plotfuqishëm, domethënë gjyqtari ka marrë vendim. Edhe Gjykata e Apelit e ka marrë vendimin përfundimtar, edhe tash gjykata i ka dhënë një javë ditë afat për ta liruar pronën. E për këtë arsye ne si prokurori nuk mundemi me ndërhy, sepse në kompetenca vendimi gjyqësor është i gjykatës,” deklaroi kryeprokurori Galani.

Galani bëri të ditur se nëse gjatë ekzekutimit të vendimit të gjykatës mund të ndodhë diçka që përmban elemente të veprës penale atëherë prokuroria do të reagojë sipas ligjit.

“E tani nëse del ndonjë gjë gjatë ekzekutimit, nëse mund të ketë kërcënime, apo pengesë në ekzekutimin e vendimit gjyqësor, atëherë ne kemi punë aty si prokurori. Pra, këtu kemi të bëjmë me një procedurë gjyqësore dhe ne si prokurori kur rasti është në procedurë e sipër ne nuk mundemi me ndërhy,” tha kryeprokurori i Pejës.

Ndryshe, AKP-ja muajin e kaluar publikoi listat e uzurpatorëve të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore. Deri më tani nuk ka asnjë informatë nëse prokuroritë kompetente kanë filluar të merren me uzurpatorët e pronave shoqërore për t`i liruar ato.

http://kallxo.com/akp-publikon-uzurpatoret-emra-te-njohur-ne-liste/

E gjitha çfarë ka dalë zyrtarisht deri më tani nga Prokuroria e Shtetit është një komunikatë, përmes së cilës është thënë se do të hetohen të gjithë uzurpatorët e pasurisë shoqërore.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” në dy vazhdime u mor me uzurpuesit e pronës shoqërore në Kosovë.

Uzurpatorët e Paprekshëm

Uzurpatorët e Paprekshëm 2

[interaction id=”56e9551251c54f4063c68e97″]