Presidenti i ENQA-s i dorëzoi drejtorit të AKA-së vendimin për Statusin e ri të Agjencisë së Akreditimit, Foto:AKA
Agjencia e Akreditimit pranon vendimin për pranim në ENQA
Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) ka njoftuar se Douglas Blackstock, presidenti i Asociacionit Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) i ka dorëzuar drejtorit të AKA-së, Naim Gashi, vendimin për statusin “afilliate” të AKA-së.
“Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), që po mbahet në Stokholm të Suedisë, Presidenti i ENQA-s, Douglas Blackstock, edhe zyrtarisht, i ka dorëzuar drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), Naim Gashi, vendimin për statusin “afilliate” të AKA-së”- thuhet në njoftimin e AKA-së.
Tutje thuhet thuhet se vigjilje të kësaj Asambleje, drejtori i AKA-së, ka zhvilluar takime të veçanta me drejtues të ENQA-s, Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) si dhe me drejtues të agjencive homologe në rajon dhe Evropë.
Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) më 3 tetor 2022 është bërë pjesë e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) me statusin anëtar “affiliate”.
Në vitin 2018, Agjencia e Kosovës për Akreditim u përjashtua nga EQAR, për shkak të shkarkimit të bordit të kësaj Agjencie që ishte bërë me kërkesë të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.
Kjo organizatë kishte konsideruar se AKA ka humbur mundësinë të veprojë si e pavarur pas asaj ndërhyrjeje politike.
Pas kësaj, më 19 prill të vitit 2018, Agjencisë së Kosovës për Akreditim i ishte degraduar statusi brenda ENQA-s nga anëtare me të drejta të plota në anëtare nën shqyrtim.
Por, më 2 tetor të vitit 2019, ENQA përfundimisht e përjashtoi AKA-në.