AGK Reagon Pas Vazhdimit të Gjykimit të Mekajt në Seancë të Mbyllur

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka pritur me shqetësim lajmin për vazhdimin e gjykimit të ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj, në seancë të mbyllur.

“Ne kemi pritur se ky vendim do të ndryshohej dhe se gjykata do të krijonte transparencë. Megjithatë, me mosndryshimin e vendimit për rihapje të seancës, sistemi i drejtësisë ka injoruar kërkesat e publikut dhe komunitetit të gazetarëve”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Sipas Asociacionit të Gazetarëve, arsyetimi i gjyqtarit të rastit se seancat janë mbyllur krejtësisht për shkak të mbrojtjes së jetës personale të të akuzuarve, dëmtuarve dhe pjesëmarrësve të tjerë në procedurë nuk është i qëndrueshëm.

“Në kërkojmë që ky rast të rihapet për opinion. Mund të jetë i pranueshëm vendimi për mbylljen e disa seancave porse jo i gjithë procesi gjyqësor”, thuhet në reagim.

Reagimi i AGK-së vjen pas lajmit të publikuar nga KALLXO.com lidhur me seancën e mbyllur në rastin e ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit dhe tre zyrtarëve të tjerë, që po gjykohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

http://kallxo.com/salih-mekaj-vazhdon-te-gjykohet-ne-seance-te-mbyllur/

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka shkruar kohë me parë edhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Megjithatë edhe ky institucion nuk ka dhënë ndonjë mendim sa i përket mbylljes së proceseve gjyqësore.

Duke u thirrur në mandatin që ka Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka thënë se mbetet krejtësisht përgjegjësi e gjykatëseve se si të veprojnë në këto raste.

“Përkundër kësaj, ne konsiderojmë se KGJK-ja duhet të ketë një rol më aktiv pasi edhe ky institucion bart një pjesë të përgjegjësisë për dështimet apo suksesin e sistemit të drejtësisë. Kërkojmë edhe publikisht që KGJK-ja të deklarohet në lidhje me këtë rast”, thekson AGK.

Shqetësimin e Asociacionit të Gazetarëve për mbylljen e seancave gjyqësore, sidomos rastit “Mekaj”, e ka përkrahur edhe European Federation of Journalists.

EFJ kohë më parë ka reaguar publikisht duke mbështetur kërkesën e gazetarëve që proceset gjyqësore të jenë të hapura për publik si dhe për gazetarët duke ia rikujtuar sistemit të drejtësisë se parimi bazë për punën e gjykatave është transparenca.

AGK kishte reaguar edhe ndaj mbylljes së seancës në gjykimin e Azem Sylës dhe të tjerëve në rastin “Tokat”.

http://kallxo.com/gazetaret-te-shqetesuar-mbylljen-e-seances-ndaj-azem-syles/

Mediat dhe publiku janë përjashtuar edhe në rastin “Stenta”.

http://kallxo.com/mbyllet-per-mediat-gjykimi-ne-rastin-stenta/