Shtyhet Gjykimi i Ilir Tolajt

Gjykata sot kishte paraparë të mbante shqyrtimin gjyqësor ndaj ish-sekretarit të përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolajt dhe pesë personave të tjerë, por seanca nuk u zhvillua meqë mungoi e akuzuara Valentina Haxhijaj.

Kryetarja e trupit gjykues Valbona Selimaj tregoi në gjykatë se e akuzuara me anë të avokatit të saj ka bërë me dije se do të mungojë sot.

“Gjykata para fillimit të këtij shqyrtimi gjyqësor ka pranuar një njoftim përmes avokatit Naser Sopjani se e mbrojtura e tij Valentina Haxhijaj-Pacolli, nuk mund të prezantojë në këtë shqyrtim pasi e ka vajzën e sëmurë dhe këtij njoftimi i ka bashkangjitur edhe dokumentacion mjekësor,” tha kryetarja e trupit gjykues.

Mbrojtësi i Ilir Tolajt, avokati Besnik Berisha, i propozoi gjykatës që të veçohet procedura për Haxhijajn dhe të vazhdohet gjykimi ndaj Tolajt dhe të tjerëve.

“Unë propozoj që të veçohet për zonjën Haxhiu. Zyrtarët e lartë që i paraqet akuza do të jetë më e lehtë për ta, për neve edhe për trupin gjykues,” propozoi Berisha.

Por trupi gjykues e refuzoi propozimin e tij.

“Trupi gjykues pas këshillimit dhe votimit merr këtë aktvendim-refuzohet propozimi për veçimin e kësaj procedure,” njoftoi kryetarja e trupit gjykues Valbona Selimaj.

Nga këto rrethana, kryetarja e trupit gjykues mori vendim që seanca të mos mbahet . Ajo caktoi seancën e radhës më 15 shtator 2016.

Ish-sekretari i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë Ilir Tolaj, bashkë me Bekim Fushën, Zenel Kuqin, Valentina Haxhijajn, Remzije Thaçin dhe Florije Tahirin  akuzohen për keqpërdorim të detyrës.

Pjesë e aktakuzës ishin edhe dy biznesmenë, Arion Lleshi e Shpend Agani.

Lleshi e Agani lidhën marrëveshje për pranim fajësie me prokurorin special, të cilën më pas e pranoi edhe gjykata.

Pas aprovimit të pranimit të fajësisë, gjykata i dënoi Lleshin e Aganin me nga dy vjet burg me kusht dhe me nga 1,000 euro gjobë. Po ashtu, biznesmenët u obliguan që t’i kthejnë shtetit 400 mijë euro.