Komuna Hedh Poshtë Ankesat e Kandidatëve Për Mësimdhënës

Konkurset e shpallura për mësimdhënës në komunën e Gjakovës gjatë muajit gusht të këtij  viti kanë ngjallur pakënaqësi në mesin e atyre që nuk janë pranuar.

Disa nga kandidatet e diskualifikuar kanë drejtuar kritika në drejtim të zyrtarëve të Drejtorisë se Arsimit në Gjakovë.

Dardan Dushi, konkurrent për pozitën e mësimdhënësit në lëndën e  Informatikës,  tha se ky ka qenë testi me i çuditshëm që ai i është nënshtruar ndonjëherë.

Sipas tij kandidatëve u janë shpërndarë testet dhe nuk u është dhënë asnjë udhëzim i vetëm rreth tyre.

Nexhdet Hoti, konkurrent për pozitën e mësimdhënësit në lëndën e matematikës, tha se një nga aspektet e mosrespektimit të konkursit ka qenë edhe njoftimi i kandidatëve për testin përmes Facebookut.

Aferdita Dubali e cila përmes një projekti te Caritas-it për ndihmë mësuesve të moshuar, ka dhënë mësim në shkollën “Yll Morina“ ne Gjakovë për 4 muaj, tash ka mbetur pa punë.

“Qysh në intervistën e parë kam venë re që janë bërë padrejtësi, qysh ne konfirmimin se kur do të mbahet intervista, pasi qe kjo u konfirmua përmes facebookut dhe ditën e shtunë ku e gjithë bota mendoj se është pushim dhe vazhdojnë me problemet e tyre familjare“, tha Dubali

Ndërsa Nexhmedin Varaku udhëheqës i zyrës së arsimit në Drejtorinë për Kulturë dhe Arsim në Gjakovë, thotë se testimet kanë qenë të suksesshme.

“Drejtën me thanë ankesa ne drejtori nuk kemi pasur ndonjë numër të theksuar të ankesave që kanë bërë aplikantët, e vetmja ankesë e tyre ka qenë kontrollimi i testit dhe në këtë javë kemi ofruar“, tha Varaku

Sa i përket asaj qe kandidatet nuk kanë qenë te njoftuar me kriteret Varaku deklaron te kundërtën.

“Unë ne testimin e parë kam qenë vetë dhe ju kemi treguar kandidateve se tre të parët që marrin më së shumti pikë do të ftohen ne intervistë“, tha Varaku.

Edhe sipas Diana Çarkagjiut, drejtoreshë për arsim në Komunën e Gjakovës, testimi ka shkuar mirë.

“Me duket se nuk po pajtohem me realitetin e tyre, testet kanë qenë të hapura për të gjithë kandidatët që kanë dyshuar për formën e vlerësimit, dhe ne për secilin test kemi pas një qelës në të cilin jemi bazuar“, tha ajo.

Çarkaxhiu thotë se një kandidat për të hyrë në intervistë duhet plotësuar një numër të caktuar pyetjeve.

“Në situata kur kemi pas 20 pyetje, kemi kërkuar 15 pyetje të sakta që të vijnë në intervistë, por fatkeqësisht nuk i kemi gjetur as aq në disa teste“, tha drejtoresha.

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila ka mbajtur një takim me të pakënaqurit e konkursit për mësimdhënës më 15 shtator, ku janë diskutuar shumë ankesa, ndërsa Kusari – Lila ka mbrojtur vlerësimet e komisionit përzgjedhës.