Foto: Adelina Ahmeti/ Kallxo.com
Detajet e fundit nga Zubin Potoku: Vendosen postblloqe, në vendngjarja po punohet ende
Ekipet e ujësjellësit ‘KRU Mitrovica’ dhe ekspertë të ndryshëm të cështjeve infrastukturore,janë parë në vendin e ngjarjes në fshatin Varagë, aty ku mbrëmjen e 29 nëntorit u dëmtua kanali i Ibër-Lepencit nga një shpërthim i detonuar.
Si pasojë e këtij sulmi, rajoni i Mitrovicës dhe komuna tjera kanë mbetur pa furnizim me ujë të pijshëm.
Në rajonin e Mitrovicës, qytetarët po furnizohen përmes autoboteve të vendosura nëpër pika të ndryshme.
Gazetarja e KALLXO.com, Adelinë Ahmeti raporton nga vendi i ngjarjes se punimet janë duke vazhduar për të rregulluar dëmtimet në kanalin e Ibër-Lepencit që është dëmtuar më parë.
Nga terreni, ekipi i KALLXO.com raporton se Njësitet e Regimit të Shpejtë po vazhdojnë të ruajnë perimetrin në vendin ku ka ndodhur shpërthimi, teksa kanë parë që janë vendosur edhe postblloqe të Policisë së Kosovës.
Gjithashtu, KFOR-i edhe EULEX po qëndrojnë në afërsi të vendit të ngjarjes.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se pas shpërthimit në kanalin e Iber-Lepencit, sipas analizave të para, të kryera në ujin e patrajtuar, uji që kalon nëpër kanalin e Ibër-Lepencit nuk është për momentin i pastër për pije.
Analizat janë kryer nga Qendra Rajonale e Shëndetësisë Publike në Mitrovicë, në bashkëpunim me Kompaninë Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”, të cilët sipas Ministrisë kanë marrë mostrat e ujit të patrajtuar për të kryer analizat e nevojshme.
“Ndërkohë që përveç analizave mikrobiologjike dhe atyre bakteriologjike, IKSHPK/QRSHP Mitrovicë, do të analizojë edhe paramatra të tjerë që kanë të bëjnë me praninë e metaleve në ujë”- njofton Ministria.
Ministria ka njoftuar se IKSHPK është në bashkëpunim të ngushtë me Kompaninë Rajonale Ujësjellësi në Mitrovicë dhe KRU “Prishtina”, do të monitorojnë ujin nga Kanali i Ibër Lepencit dhe do t’i kryejnë të gjitha analizat e nevojshme për t’u siguruar që uji, para se të lejohet për pije, t’i përmbush parametrat e lejuar.
Kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar se tashmë janë bërë arrestimet e para në lidhje me sulmin terrorist të mbrëmshëm në Zubin Potok.
Në orët e para të mëngjesit kanë nisur bastisjet në disa lokacione lidhur me sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
“Policia po i zhvillon hetimet. Ka kryer bastisje, ka edhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminelë e terroristë do të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës demokratike të Kosovës” – ka thënë Kurti nga vendi i ngjarjes.
Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut. Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.
Ky shpërthim ka shkaktuar probleme në furnizim me ujë dhe rrymë në Kosovë.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit të shkaktuar, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Kryeshefi i Ibër-Lepencit, Faruk Mujka ka thënë se besojnë që së shpejti do të bëjnë zgjidhje edhe për ujë të pijshëm.
Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024) ku ka folur për këtë shpërthim.
Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar. Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.