Bamieh: EULEX Donte ta Ndalonte Rastin “Sekiraqa” Shkaku i Francesco Florit

Prokurorja e susenduar e EULEX-it, Maria Bamieh, është shprehur e befasuar ndaj deklaratave që ish kolegët e saj i bënë sot gjatë seancës gjyqësore në rastin e shpërthimit në lokalin “Sekiraqa” për fshehje të provave nga ana e saj.

Prokurori i ri i këtij rasti, sot kërkoi dhe mori kohë shtesë për ta shqyrtuar dosjen pasi tha se ka dëshmi të reja të cilat, sipas tij, nuk janë prezantuar nga prokurorja e mëparshme e rastit, Bamieh.

“Ky është një rast të cilin EULEX-i ka dashur ta ndalojë që nga fillimi i tij pasi që dëshmitarët kishin bërë akuza kundër Francessco Florit”, tha Bamieh.

“Nuk kam fshehur ndonjë provë apo dëshmi nga gjykata dhe kjo është një akuzë e rëndë për të cilën do të kërkoj përgjegjësi”, tha Bamieh në një deklaratë që iu shërnda mediave në gjuhën angleze dhe shqipe nga e-maili i saj privat.

Ajo ka thënë se zyra e saj ka qenë e kontrolluar pa qenë jo fare e pranishme, gjë të cilën e ka cilësuar se është në kundërshtim me të gjitha procedurat hetuese, prandaj dyshon se dikush ka mundur të vendosë dëshmi aty.

“Nuk jam duke thënë që një gjë e tillë ka ndodhur pasi që ende besoj në kolegët e mi, pavarësisht rrethanave të vështira nëpër të cilat jam duke kaluar”, u shpreh ajo.

“Besoj që çështjes së dëshmive EULEX është duke i dhënë drejtim të gabuar qëllimisht për të cilën ekziton shpjegim ligjor. Mua nuk më kanë dhënë mundësi që të transferoj rastet e mia te prokurorët tjerë dhe askujt nuk i lejohet të flasë me mua. Sikur të lejohesha të transferoja punën time si duhet këto akuza nuk do të ishin bërë”, tha Bamieh.

“Kërkoj publikisht që të di se për çfarë dëshmi të fshehura bëhet fjalë. Pse do të fshihja dëshmi dhe t’i lija ato në zyrën time? Kërkoj të di se çfarë kanë thënë prokurorët për këtë çështje në gjykatë”.

“Sidoqoftë, unë do të përgjigjem në të gjitha çështjet që ngriten nga hetuesi special dhe do të kërkoj që kjo çështje të hetohet deri në fund”, tha Maria Bamieh.

Më shumë rreth temës:

Rrëfimi i Prokurores Maria Bamieh Për 300 Mijë Eurot e Dhëna te Gjykatësi i EULEX-it (VIDEO)

Gjyqtari i EULEX-it Thotë Se Nuk i Mori 300 Mijë Euro Ryshfet (VIDEO)

Flet Personi që Thotë se Mblodhi Paratë Për Gjyqtarin Francesko Florit (VIDEO)