Shpend Ahmeti në Tregun e Gjelbër - Foto: VV

Shpend Ahmeti Premton Revitalizim të Tregjeve Statike

Kryetari i Komunës së Prishtinës dhe kandidat për t’u rizgjedhur, Shpend Ahmeti, ka vizituar sot tregun me shumicë, ku me tregtarët diskutoi problemin e menaxhimit të kësaj hapësire.

Me këtë rast, Ahmeti tha se tregjet në Prishtinë aktualisht funksionojnë si ndërmarrje shoqërore nën menaxhim të AKP-së dhe se Komuna që drejton në mandatin e parë është fokusuar në krijimin e tregut mobil për prodhime vendore.

Në mandatin e radhës, ka thënë ai, fokusi do të jetë në revitalizimin e tregjeve statike në komunën e Prishtinës.

Për Tregun e Gjelbër Ahmeti tha se në vitin 2016 Komuna ka prezantuar projektin e tregut të ri në lokacionin ku momentalisht gjendet AKP.

“Ajo tokë është pronë e Komunës së Prishtinës dhe në të do të vendoset tregu i ri i rrethuar nga hapësira komerciale, duke ruajtur çdo dru dhe çdo gjelbërim në atë pjesë”, theksoi kryetari i Prishtinës, duke shtuar se parashihet që aty të ndërtohet edhe një parking mesatar nëntokësor. Projekti fillon zbatimin në vitin 2018

Sa i përket Tregut në Ulpianë, Ahmeti tha se ai do të revitalizohet në përputhje me kërkesat e lagjes, por edhe duke përmirësuar dukshëm kushtet dhe dukjen. Realizimi i këtij projekti do të nisë në vitin 2019.

Lidhur me tregun me shumicë, që gjendet rrugës për Fushë-Kosovë, kandidati i Vetëvendosjes tha se për shkak se një pjesë e tij është e vendosur në pronë të ndërmarrjeve shoqërore të menaxhuara nga AKP-ja, shitësit shumë shpesh janë ballafaquar me probleme të qirasë.

“Gjatë mandatit të dytë do të bëhet zgjidhja e vendosjes përfundimtare të tregut”, potencoi ai.

Sa i përket tregut të automjeteve, Shpend Ahmeti tha se statusi i tij do të rregullohet, për shkak të interesimit shumë të madh që ka për atë treg. “Do t’i bëjmë të gjitha investimet e nevojshme ashtu që të jetë sa më funksional”, tha i pari i Prishtinës.

“Të gjitha këto do ta krijojnë një Ndërmarrje Publike Komunale, që do të quhet “Tregjet e Prishtinës”. Ajo ndërmarrje do të funksionojë dhe do të mirëmbahet nga të hyrat që i merr prej shfrytëzimit të hapësirave nga shitësit. Ato para do t’i shfrytëzojmë për investime të reja në ato pjesë. Me funksionalizimin e tregjeve të reja do të arrijmë t’i mënjanojmë edhe shitësit ilegalë ambulantë nga hapësirat publike në Prishtinë”, tha ai.