Shkodër, Policia kap mbi 19 mijë bimë kanabis dhe 65 kilogramë marijuanë në formë çokollate
Policia e Shtetit shqiptar përgjatë një aksioni në rajonin e Shkodrës që ka zgjatur rreth një javë ka kapur mbi 19 mijë bimë kanabis sativa dhe 65 kilogramë mariuhanë në disa raste të ndara.
Fillimisht në 11 raste janë evidentuar dhe asgjësuar 19,300 fidane kanabis të kultivuar në kubikë, vazo dhe në tokë në Malësinë e Madhe, Vaun e Dejës dhe janë sekuestraur 2 mijë e 160 fara kanabisi.
“Për këto raste nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Komisariateve në varësi të saj nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër si dhe për disa raste me SPAK, vijojnë hetimet proaktive për persona dhe grupe kriminale që organizojnë këtë veprimtari kriminale” – thuhet në njoftim.
Në rastin tjetër, gjatë orëve të fundit Policia e Shtetit ka ndërhyrë në lagjen “Skënderbeg” në Shkodër ku në një ambient të përshtatur me tunel kanë gjetur dhe sekuestruar 65.5 kilogramë marijuanë të përpunuar në formë çokollate.
Në vazhdim të operacionit, në brendësi të një automjeti të parkuar në afërsi të këtij ambienti janë gjetur edhe 31.5 kilogramë kanabis në formë boçe dhe një sasi municioni luftarak.
“Në momentin e ndërhyrjes nuk janë kosntatuar personat e dyshuar por nga hetimet paraprake është bërë shpallja në kërkim e dy shtetasve si autorë të dyshuar të këtij rasti dhe konkretisht shtetasit N. M., 42 vjeç dhe B. M., 37 vjec, lindur në fshatin “Ura e Shtrenjtë” dhe banues në Shkodër, për të cilët vijon puna për kapjen e tyre” – thuhet në njoftim.